Monday, January 07, 2008

U zyrtarizua marrëveshja e koalicionit qeverisës PDK - LDK

U zyrtarizua marrëveshja e koalicionit qeverisës PDK - LDK
Pas disa shtyrjeve radhazi, sot Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës përfundimisht kanë zyrtarizuar marrëveshjen për koalicion, e cila është nënshkruar në orët e pasdites në Kuvendin e Kosovës. Sipas marrëveshjes, mandati i të gjitha institucioneve të Kosovës : Kuvendit, Qeverisë dhe Presidentit, buron nga zgjedhjet e 17 Nëntorit të Vitit 2007, dhe zgjat sipas dispozitave ligjore në fuqi. Në vazhdim po japim tekstin e plotë të marrëveshjes:
Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), me qëllim të formimit të institucioneve qendrore të Kosovës, lidhin këtë:



Marrëveshje

I. Parimet bazë të qeverisjes në Kosovë

1. Mandati i të gjitha institucioneve të Kosovës : Kuvendit, Qeverisë dhe Presidentit, buron nga zgjedhjet e 17 Nëntorit të Vitit 2007, dhe zgjat sipas dispozitave ligjore në fuqi,
2. Qeverisja do të jetë në partneritet të plotë dhe do të vërehet në të gjitha institucionet,
3. Qeveria do të ketë një program mbi bazën e projekteve cilësore dhe partneritetit, i cili do të miratohet në Kuvend,
4. Vlerësimin e punës së ministrave e bëjnë partnerët e koalicionit,
5. Kandidatët për ministra duhet të jenë njerëz me kredibilitet dhe aftësi profesionale,
6. Kandidatët për ministra nuk duhet të kenë konflikt interesi me veprimtarinë e tyre private dhe postet që drejtojnë.
7. Kandidatët për ministra do të propozohen nga partitë përkatëse dhe do të emërohen nga Kryeministri,
8. Shkarkimi i ministrave bëhet nga Kryeministri,





II. Ndarja e pozitave të institucioneve qendrore:

1. Presidenti i Kosovës do të zgjedhet nga radhët e LDK-së, respektivisht z. Fatmir Sejdiu,
2. Kryeministri i Kosovës do të zgjedhet nga radhët e PDK-së, respektivisht z. Hashim Thaçi,
3. Kryetari i Kuvendit të Kosovës do të zgjedhet nga radhët e PDK-së,
4. Qeveria e Kosovës do të ketë dy zëvëndëskryeministra, dhe atë, një i propozuar nga PDK-ja dhe një i propozuar nga LDK-ja.


5. Ndarja e ministrive është me sa vijon:

5.1. Ministritë që do t’i takojnë PDK-së janë:

1. Ministria e Ekonomisë dhe Financave,
2. Minisitria e Energjetikës dhe Minierave,
3. Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit,
4. Ministria e Punëve të Brendshme,
5. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
6. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,
7. Ministria e Shërbimeve Publike.


5.2. Ministritë që i takojnë LDK-së janë:

1. Ministria e Drejtësisë
2. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
3. Ministria e Shëndetësisë
4. Ministria e Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Çështjeve Jorezidente
5. Ministria e Pushtetit Lokal.

5.3. Partitë të cilat udhëheqin ministritë përkatëse janë përgjegjëse për propozimin e ministrit dhe zëvendësministrit.

5.4. Dy ministritë e parapara për formim, ndërkohë, do të ndahen nga një ministri për secilën parti të lartëshënuar, LDK - PDK. Në këto ministri do të ketë shpërndarje - Ministri do të jetë nga një parti, ndërsa zv. ministri nga partia tjetër.

5.5. Ministritë që do t’i takojnë komunitetit serb janë:


1. Ministria e Kthimit,
2. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale.

5.6. Ministria që do t’i takojë komunitetit pakicë joserb është:

1. Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

III. PDK dhe LDK obligohen që në zgjedhjet lokale të radhës në vitin 2009 dhe në zgjedhjet nacionale të radhës të garojnë si të vetme dhe pa ndonjë koalicion paraprak.
IV. Votimi i institucioneve, i Presidentit dhe Qeverise bëhet në pako

V. Partnerët e koalicionit zotohen se nuk do të ketë mocion votëbesimi për Presidentin dhe Kryeministrin.

VI. Marrëveshja hyn në fuqi menjëherë për një mandat qeverisës.
RTK

Blogged with Flock

Saturday, June 30, 2007

MIRËSEVJEN NË UNMIKISTAN!

Marrë nga “Dagens Nyheter”, e përditshmja më e madhe suedeze  “MIRËSEVJEN NË UNMIKISTAN!” (1) 

DËSHTIMI GJIGAND 

Shkruan: Maciej Zaremba 

Ky ishte shansi i madh dhe misioni i madh i OKB-së. UNMIK-u do ta ndërtonte Kosovën e ardhshme prej rrëzës. Tetë vjet më vonë, shumëkush në Kosovë dëshiron ta flakë kolonializmin e kaltër. Në katër reportazhe, reporteri i shpërblyer Marciej Zaremba e heton një dështim gjigand.

 
Shoferi i taksisë shan gjermanisht dhe godet timonin. Përreth ushton jehona e borive. Një Nisan Patrol i madh e ka bllokuar udhëkryqin. Aty brenda një thatanik me grada e tund marshin dëshpërimisht. “Ja tash prapë!”, - ulurin shoferi im. Pastaj i plas diçka në bark dhe fillon të qeshë. “Ha ha, së pari turqit, pastaj serbët – e tash? Na ka invaduar Pakistani! Na ndihmo, o Zot! Ku jemi kështu? Kësaj i thonë Katanga afrikane!”.

 
Mu kështu ulëriu. E se si i erdhi ndërmend Katanga, këtë s’e di as vet.  
Po ku ndodhemi, vërtet? Polici që s’mund ta vozisë kerrin është pakistanas, shihet nga uniforma. Aeroporti ku aterrova është islandas. Ndërsa kalojmë nëpër rrugën kryesore të quajtur Bill Klinton (portreti i të cilit na qesh nga fasadat) në mobil më plingon një mesazh ku dikush më dëshiron mirëseardhje në Monaco. Te semafori tjetër më plingon prapë. Tash jam i mirëseardhur në Serbi.

 
Sikur të mos e dija se ku jam, sikur të më kish shkarkuar dikush këtu, a do ta gjeja se ku jam? Sigurisht që jo. Udhëzimet e zjarrfikjes në “Grand” Hotel të Prishtinës janë në shumë gjuhë, veç jo në gjuhën e pastrueses.  
Por edhe ky është një informacion. Në këtë vend, s’qenka menduar që edhe vendasit mund të flenë nëpër hotele.

 
Por kur të del gjumi në mëngjes nga një tingull prerës, që sikur vjen nga vemëzat e ndryshkura, e kupton përnjëherë se ku ndodhesh. Prapa dritareve të hotelit ngrihet një re e zezë, që kridhet, kthen, gjuhet anash. Korbat e njohur të Prishtinës… Dikur moti, provinca Kosovë e mori emrin e vet nga mullizezat. Tashti është invaduar edhe nga korbat. Thonë se kjo ndodh për shkak të kufomave.

 
“Revolucion”, më thotë Albin Kurti duke pirë kapuçino, “do të bëjmë revolucion”. Kur e thotë këtë për herë të tretë, njerëzit nisin të shikojnë kah ne. Ata e njohin, na japin vështrime memece, por i mprehin veshët.

 
Ai s’të duket si revolucionar. Duket si student i moshuar nga Berkeley. Pak i rrumbullt nga orët para datorit, syze, lëkurë të zbehtë, duar të buta e të bardha. Por pamja mashtron. Albini Kurti është idoli i rinisë, e kjo s’është pak këtu ku çdo i dyti është nën 25 vjeç. Para dhjetë vjetësh, kishte frizurë rasta e u printe protestave studentore kundër Millosheviçit. Kur i dështuan aksionet paqësore, u bë përkthyes i të huajve e ideolog i UÇK-së.

 
Tashti ai ka aq njerëz sa ta tapetojë tërë vendin me fjalën Vetëvendosje, që është emri i lëvizjes së tij. Askush nuk dyshon se mund ta nxjerrë popullin në rrugë.

 
Albin Kurti na siguron se revolucioni i tij do të jetë paqësor. Njëqindmijë njerëz do ta rrethojnë UNMIK-un, policinë dhe Gjykatën Supreme. Do të qëndrojnë sa të ketë nevojë. Një javë, një muaj. Pastaj kolonializmi do t’ia mbathë; ai që po ia copëton vendin, po ia vjedh bashkëqytetarët, e po ia dhunon femrat. Nëse dua ta di se ku kanë shkuar paratë e Kosovës, thotë Kurti, duhet të shikoj vilat e reja në Londër. Apo në Amsterdam. Nëse dua të mësoj për moralin e pushtetit kolonial, duhet të shkoj në bordelet e Prishtinës. “Ato nuk ekzistonin fare më parë”.

 
Jashtë endet xhipat, agregati i dizelit ushton, Albin Kurti më citon deklaratat e OKB-së, Malkolm X dhe liderët e luftërave antikolonialiste. “Të gjithë kanë të drejtën e vetëvendosjes!”. Mund të ishte fare lehtë Kongoja e viteve 1960. Por jemi në Kosovë, dy hapa prej Romës. Dhe pushteti kolonial, që u dashka flakur, jemi ne – unë e ti, lexues i dashur. Dmth., edhe Suedia, ithtarja më e flaktë e një OKB-je, e cila ka tetë vjet që sundon Kosovën; apo Unmikistanin në slangun lokal, mbas fjalës UNMIK: United Nations Interim Administration Mission in Kosovo.

 
Kur OKB-ja zbarkoi këtu para tetë vjetësh, na priten si çlirimtarë. Që atëherë, ka suedezë që janë plagosur e kanë vdekur për këtë mision. Afër 1 miliard euro (ndihma më e lartë) i kemi shpenzuar për siguri, shtet ligjor, ndihmë ikanakëve, arsim dhe zhvillim ekonomik. E tashti na ndodh që të na pështyjnë, e të na sabotojnë kerrin. Në tetor na e qiten një tualet para UNMIK-ut, duke na thënë që të dhiejmë aty, e jo mbi tërë Kosovën. “Mënyra e vetme për ta mbajtur Kosovën të pastër është t’ju flakim juve prej këtu”, na përshëndeste Albin Kurti.

 
Çka don ky njeri? Në bisedë me mua është mondan, i nuancuar e i kulturuar. Madje ma citon psikoanalitikun francez, Zhak Lakanin. Në traktet e veta është më brutal: ekziston një kolonë e pestë brenda vendit, serbët lokalë. Ata thonë se i duan rehat kishat e veta, por ne e dimë se ç’plane thurin ata…  
Këso fjalë gjejnë terren në këto troje, ku “i huaj” gjithmonë ka qenë sinonim për “armik” dhe ku protesta paqësore rrallë ka prurë rezultate.

 
Dikush thotë që Albin Kurti dëshiron të bëhet at i kombit, Garibaldi: shtatore në qendër, e emrin në libra të historisë. Por shumëkush garon për këtë status gjatë kësaj vere 2007: që të bëhet ndërtuesi i shtetit, burri që me vendosmëri, dhelpëri apo dhunë ia pushtoi lirinë një populli të poshtëruar. “Nuk duam mision të OKB-së në Kosovë, po mision të Kosovës në OKB!”, thërret Kurti. Një aventurier? Ndoshta. Veçse ky zemërim kundër UNMIK-ut mbi të cilin kalëron ai, nuk është shpikja e tij.

 
Lexoj te një buletin i OKB-së me titullin folës “Early Warning Report” se sall 30 për qind të kosovarëve ndjejnë besim për OKB-në. Para katër vjetësh, kjo shifër ishte dyfish më e lartë. Çdo i dyti është gati të marrë pjesë në protestë të organizuara kundër bashkësisë ndërkombëtare. Athua veç pse OKB-ja s’po u jep atë shtet që e dëshirojnë me mish e shpirt?

 
Në ndarje, Albin Kurti ma jep një trakt. Janë udhëzimet për evakuimin tim. “Ten Comandments of Evacuation” është lexim i hidhur për miqtë e OKB-së. “Mos harro portretin e Kofi Ananit… Mos e merr ashensorin se ndoshta s’ka rrymë, remember? Mos e çaj kokën për vendasit. Mendo veç për veten tënde, ashtu si ke menduar tërë kohën këtu. Por, para së gjithash, mos e harro Kosovën. Se s’do ta gjesh kurrë më një mision si ky, ku ke mundur të sillesh si ta ka dashur qejfi”.

 
Para se të ndahemi, Albin Kurti më thotë: “A të kujtohet Algjeria? Ata që i shporrën francezët e kishin shkruar “liri, barazi, vëllazërim”, në fletoret e veta. Ne do ta shporrim administratën e UNMIK-un duke u thirrur në idealet e larta të OKB-së, që ju i keni tradhtuar këtu në Kosovë”.

 
Unë, në fakt, erdha në Kosovë për shkak të idealeve. E pse besoja se s’ka vend më të përshtatshëm prej ku mund ta shohim avenynë e ardhmërisë.  
Misioni në Kosovë nuk është sall më i madhi në historinë e OKB-së. Ky është edhe i vetmi ku bashkësia ndërkombëtare ka marrë përgjegjësinë e plotë për një vend ku gjithçka është mbyllur. Pra,këtë radhë jo vetëm që sigurojmë paqen dhe pompojmë ujë të pijes – e ndërtojmë një rend krejt të ri prej zeros: premë ligje, stërvitim policë, vendosim shenja trafiku, shkruajmë planprograme të shkollave dhe vjelim taksa. Shteti i parë i OKB-së pra, provizor vërtet, por komplet, kur të gjitha parimet, prej barazisë para ligjit gjer te ndalimi para semaforit të kuq, mund të sajohen pa asnjë pengesë nga askush, për t’ua lënë pastaj të gatshme një demokracie lokale.

 
Nëse i besojmë Albin Kurtit, gjithçka ka mbaruar në skëterrë.

 
Ndoshta ai veç do ta njollos OKB-në? Po, ai është revolucionar, e ka nevojë për armiq. Por ja, e kemi edhe Marian, një eksperte suedeze që vajti në Kosovë si ithtare e OKB-së e u kthye me depresion klinik: “Imazhi im për botën është rrëzuar. E kam humbur besimin. S’kam mundur të besoj kurrë se njerëz të OKB-së mund të sillen në atë mënyrë”.

 
E si qenkan sjellë, pra? T’ia nisim nga efektet.

 
I numëroj kamerierët në kafe-barin e “Grand” Hotelit në Prishtinë. Si një tufë e korbave melankolikë, ata rrinë ulur si klloçka rreth aklave të dritareve. Janë njëzetenjë persona. E pra, është e natyrshme që u merr kohë ta gjejnë mysafirin e vetëm në këtë mjedis. Një njeri më shumë s’luan rol.  
Sipas statistikës, këta 21 shërbyes bëjnë pjesë në atë gjysmë të popullsisë që ka punë. E njëjta vlen edhe për ata çuna pranë 660 pompave të benzinës ku s’qaset njeri. Në vendin e OKB-së ka një stacion të benzinës çdo 6 km, një rekord fantastik që zbulon se shumë prej këtyre ndërmarrjeve nuk merren sall me karburante por – sikur edhe hotelet – lajnë para të pista të drogave, armëve dhe trafikimit. (VIJON)
 

(Maciej Zaremba është kontribuues i rregullt në “Dagens Nyheter”. Ai është shpallur dy herë Gazetar i Vitit nga Shoqata e Gazetarëve të Suedisë. Përktheu nga suedishtja: Shqiptar OSEKU)

---------------------------------- 
 

Marrë nga “Dagens Nyheter”, e përditshmja më e madhe suedeze  “MIRËSEVJEN NË UNMIKISTAN!” (2) 

Korrupsioni e shtjerr ekonominë dhe e zgropon drejtësinë 

Si është e mundur athua që ky vend i OKB-së me qymyr sa ta ndriçojë krejt Ballkanin, e ku janë investuar 3 md euro në dy elektrana, nuk prodhon rrymë sa t’i mjaftojë as për veten, por ndotje 70 përqind më të larta se norma e EU-së? Kosovës nuk i duhet shumë, 600 megavat, as sa prodhon një reaktor suedez në Forsmark tamam jo. Por shumica kanë rrymë veç pak orë në ditë, e disa s’kanë fare.  

Shkruan: Maciej Zaremba 
 

Në vitin e tetë të misionit ë OKB-së, pas mëse 22 md eurove të shpenzuara në një rajon sa provinca suedeze e Skanisë, e me popullsi veç 2 mil, lulëzon ekonomia e zezë, ndërsa e bardha është para kollapsit. Ekziston  një spjegim standard i kësaj mizerie: për sa kohë që nuk është nxjerrur pavarësia prej Serbisë, askush s’guxon të investojë në këtë vend. E besueshme. Por çfarë investimesh u dashkan për të mbjellur tranguj!?

 
I shetis të gjitha tregjet për të gjetur produkte lokale. Sapuni – prej Bullgarisë. Këmishat – prej Tajvanit. Ndoshta mielli? Çek. Uji i pijes nga Hungaria. Brutoprodhimi kombëtar i Kosovës është më i ulët se i Ruandës, prandaj të duket surrealiste të blesh domate turke e sallta italiane – në një vend bujqësor arat e të cilit shtrihen bjerrë.

 
Pse janë kështu? Sepse, më thotë zotëri Bajrami në Odën Ekonomike, njerëzit fitojnë më shumë duke u shitor përtypës ndërkombëtarëve sesa duke punuar tokën. Por edhe sepse gjykatat e OKB-së as pas tetë vjetësh s’kanë arritur të saktësojnë se kujt i përkasin arat. Së fundi, dhe kjo e zemëron më së shumti, se OKB-ja e ka lejuar Evropën t’i plandos çmimet e artikujve të vet ushqimorë në Kosovë. E pra, kjo është goxha e çuditshme: një litër qumësht që vie prej Sllovakisë, sa vjen e bëhet më e lirë gjatë rrugës. Një kanaçe e importuar Coca-Cola këtu mund të blehet për sall 2 euro.  
 
Më kujtohet shoferi që thërriste për Afrikën dhe kuptoj që e kishte me vend. Ekonomia kosovare është tamam koloniale. Veçse afrikanët së paku i kishin lëndët e para, për t’i këmbyer ato me rrobaqepëse. Kosova s’i ka as ato, meqë xeheroret (plumb, zink, argjend) janë bjerrë. Është një simbolikë goxha e qëlluar kjo që Kosova bukvalisht jeton nga mbeturinat. Produkti parësor i eksportit janë hekurishtat. Por ky e mbulon sall një përqind të importit.  
 
Si është e mundur athua që ky vend i OKB-së me qymyr sa ta ndriçojë krejt Ballkanin, e ku janë investuar 3 md euro në dy elektrana, nuk prodhon rrymë sa t’i mjaftojë as për veten, por ndotje 70 përqind më të larta se norma e EU-së? Kosovës nuk i duhet shumë, 600 megavat, as sa prodhon një reaktor suedez në Forsmark tamam jo. Por shumica kanë rrymë veç pak orë në ditë, e disa fare.

 
Nuk do ta lodh më lexuesin me statistikë. Veç do t’i jap ca pamje të shkurta që sinjalojnë nivelin e problemeve dhe dëshpërimin e njerëzve: Një lopë franceze nga BE subvencionohet në Kosovë me 2.5 euro në ditë, e çdo i dyti kosovar jeton me të tretën e asaj shume. Dhe e din që viti tjetër nuk do të jetë aspak më i mirë. Nëse e plaçkisin, hajni nuk gjindet, ndonëse ky është vendi më i dendur me policë në Evropë. Nëse kërkon tokën e vet, gjykata ngrit supet: në gjykata ka 30 000 lëndë të pazgjidhura. Nëse sëmuret, spitali i kërkon t’i merr me vete barnat e fashat. Nëse është serb a rom mund t’i digjet edhe shtëpia – ndërsa ushtari i Natos bën sehir.  
 
Po, këto kanë ndodhur, madje shumë herë. Një zhgënjim i pafalshëm, por mjerisht aspak i pakuptueshëm.  
 
Kam shpenzuar muaj të tërë për të kuptuar se ç’ka ndodhur me këtë mision, vetëm për të zbuluar se ekziston një mënyrë më e lehtë: Merre një kuvendar komunal suedez, tregoja Unmikistanin, hierarkitë, listat e pagave, shefat, gjithçka – dhe pyete nëse mund të udhëhiqet kështu një qytezë suedeze. “E paimagjinueshme”, më është përgjegjur ajo, “nëse s’do që qytezën ta marrin në dorë bandat e motociklistëve.”  
 
Në fakt nuk ka ndonjë spjegim të thjeshtë për këtë debakël, por ekziston një monstër, njëfarë metode fantazmë në tërë këtë çmendi. Në këta artikuj, kam vendosur t’ia kërkoj emrin kësaj metode.  
 
Misionet e OKB-së janë të vështira për t’u vlerësuar, meqë janë ikëse. Bashkësia ndërkombëtare ka trup të madh por kujtesën e zogut. Përgjegjësit ndërrohen gjithnjë, raportet harrohen, shikimi drejtohet gjithnjë qëllimisht para, qysh viti i kaluar quhet histori antike. Kosova është përjashtim nga ky rregull. Për herë të parë, ne dimë për gabimet tona, madje më shumë se duam të dimë. Për fat të mirë, dy fenomene suedeze janë shkaktare të këtij dallimi.  
 
I pari quhet Inga-Brit Ahlenius. Kur ajo u bë tepër e pavarur për shijen e qeverisë Persson, në nëntor 2003, iu dha detyrë të ndërtonte zyrës e auditorit në Kosovë. Fenomeni tjetër quhet Ombudsmani i Drejtësisë, një detyrë kjo që parlamenti suedez e themeloi më 1809. Kofi Ananit iu duk që Kosovës do t’i bënte mirë një institucion që do ta mbikëqyrte OKB-në. Por askush s’mund ta dinte se personi që do t’ia jipnin detyrën do ta merrte atë me aq seriozitet.  
 
E para gjë që bëri Inga-Brit Ahlenius në Kosovë ishte ngritja e tabelave: “Kurrë mos harroni se çdo cent i shpërdorur është vjedhje prej të varfërve. Gustav Möller (1884-1970), ministër social suedez.” E pasta, zonja Ahlenius tok me OLAF-in, që është organ antikorrupsion i BE-së, u vu ta hetonte aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës. Ata besonin se hetimet do të mirnin gjashtë muaj. Ato morën përmbi dy vjet.  
 
Kur u përmblodh raporti më 2006 nga zonja Ahlenius, që atëbotë ishte bërë shefe e auditimit për tërë OKB-në, në OKB shpërtheu stuhia. Sipas raportit, një numër i zyrtarëve e kishte plaçkitur me vjet ndërmarrjen. Korrupsioni dhe keqdrejtimi ishin “sistematike” por mund të vazhdonin pa dënim meqë kreu i OKB-së në Kosovë nuk krijonte rutina të kontrollit dhe s’lodhej për të ndërhyrë kundër mashtrimeve dhe korrupsionit: Guvernatori i Kosovës i kishte marrur 33 raporte për keqësi, por i kish strukur shumicën prej tyre në sirtar të tavolinës.  
 
Nëse OKB-ja vazhdon ta injorojë korrupsionin e vet, paralajmëroi Ahlenius, atëhere kjo do ta kërcënojë tërë misionin.  
 
Njerëzit në Kosovë këtë e kishin kuptuar qysh moti. Lëmshi në aeroportin e Prishtinës ishte fejton në shtypin lokal: mitot për viza, për punë, taksa të zhdukura për transport, nepotizmi… Por tek tashti do të niste fshesa, apo jo?  
 
Veni re vazhdimin. Guvernatori Jessen-Petersen u hodh në kundërsulm. Në aeroport s’ka korrupsion, tha ai, raporti ishte i pabazë, ishte humbje kohe ta përmendje kot. Aerporti ishte një ndërmarrje e mbarë, madje storje e suksesit. Jessen-Petersen ishte i kënaqur pse kish zbatuar 21 prej gjithsejt 74 rekomandimeve të UNMIK-ut.  
 
Pa të shohim pak se çka iu pat dukur Jessen-Petersenit e paarsyeshme për t’u dënuar, e madje edhe për ta përmendur.  
 
Aeroporti në Prishtinë ka sot trafik sikur ai në Luleo, portin polar të Suedisë. Por ndërsa në Luleo ka 100 të punësuar, në Prishtinë janë mbi 500. Ata u bënë kaq në kohën e Jessen-Petersenit. Atij ia dhanë me kohë një raport (377/04) se çka ishte shkaku. Ai s’bëri asgjë. Mua më mori 6 muaj ta nxjerr këtë raport sekret nga OKB-ja në Nju Jork. Ai është i shkurtër, tërë emrat janë fshirë. Por me ndihmën e burimeve nga Prishtina, mund ta rikonstruktosh tërë vargun e ngjarjeve.  
 
Aeroportit i duhet një shef i personelit. Sipas rregullave të OKB-së, vendpunimi duhet të anonsohet. Por drejtori britanik Ioan Woollet e merr një jaran të vetin, ta quyyajmë Smith. Pastaj nis një veprimtari e ethshme. Gjatë verës 2004, Smithi punëson tre veta në ditë. Disa dinë pak anglisht, tjerëve u mungon çdo kualifikim por do ta përforcojnë nënndarjen e ekonomisë. Gra jashtëzakonisht të bukura, vërejnë dëshmitarët. Madje disa janë fituese në gara bukurie.  
 
Pas katër muajsh, personeli është dyfishuar, nga 23 në 486 vetë. Janë gati 200 vetë më shumë se ç’duhet. Por atëhere mr Smith e ka lëshuar Kosovën (për të shërbyer në Sudan). Edhe mr Wollett ia ka mbadhur nga Unmikistani. Askush s’e di saktësisht se sa para e vjelën në Kosovë, por dihet që ishin miliona. Mitoja për punësim në aeroport ishte mnes njëmijë e tremijë euro. Por femrat atraktive mund të paguanin edhe me “shërbime intime”, thonë burimet prishtinase. Pos britanikëve, edhe nja dhjetë vendorë ishin të përzier në këtë treg të shërbimeve.  
 
Le t’i kujtojmë premisat. Pas urrejtjes etnike, korrupsioni është problemi më i madh i Kosovës. Ai e shtjerr ekonominë dhe e zgropon drejtësinë. E megjithatë, një grup i individëve guximtarë veprojnë mu ashtu si i ka këshilluar OKB-ja. Ata e sfidojnë shoqërinë vendore (“mos fol keq kurrë për të tutë”) dhe marrin mbi krye rreziqe të mëdha kur flasin me hetuesit. Një person është vrarë tashmë. Se ç’i kërcënon femrat, këtë as që kam nevojë ta them. E pra, këta meritojnë admirim dhe mbështetje. Por shih se çfarë “keqkuptimi”. Del se kriminelët gëzonin mbrojtjen e OKB-së.  
 
Ata që i besuan OKB-së e kanë marrë një leksion që zor se do ta harrojnë. Natyrisht që pyet njeriu, pse ndodh kështu? Mos ishin Jessen-Peterseni dhe burrat e tij ndoshta të kërcënuar nga mafia lokale? Kjo së paku do të ishte dramatike. Por druaj se shkaku ishte më i trivial se kaq.  
 
Jessen-Peterseni ishte guvernatori i pestë i Kosovës brenda poaq viteve. Tingëllon e pabesueshme, por duket qartë që OKB-ja mendon se mund ta ndërtosh një shtet me punësime të përkohshme. E pra, si rezonon një guvernator i huaj, që llogarit se mund të rrijë sall një vit a dy,  e që ia ka vënë syrin një pozite më të majmë? Ngrit tonin, flak nga puna kolegët e korruptuar, grindet me kumbarët e tyre në Nju Jork? Rrezikon raporte negative? Apo është më mirë të raportosh suksese?

 
Në vjeshtën 2005, Jessen-Peterseni shpreson të bëhet kreu i UNHRC-rë, pra mbrojtës i parë i të drejtave të ikanakëve. Atë vjeshtë, ai hedh poshtë të gjitha njëmbëdhjetë propozimet e OIO-së për luftim të korrupsionit. (Propozimi i nëntë, për shembull, sugjeronte që punësimet të bëhet në bazë meritash.)

 
Raporti i tij vjetor për KS të OKB-së nuk flet asgjë për realitetin e përditshëm të provincës. Por si reklamë për vet Jessen-Petersenin, ai raport është kryevepër. 
 

(Maciej Zaremba është kontribuues i rregullt në “Dagens Nyheter”. Ai është shpallur dy herë Gazetar i Vitit nga Shoqata e Gazetarëve të Suedisë. Përktheu nga suedishtja: Shqiptar OSEKU)

-------------------------------------- 
 
Marrë nga
“Dagens Nyheter”, e përditshmja më e madhe suedeze  “MIRËSEVJEN NË UNMIKISTAN!” (3) 

UNMIKISTANI E DYZET HAJDUTËT  

Shkruan: Maciej Zaremba 

Tetë vjet pas nisjes së misionit të OKB-së, Kosova vuan nga korrupsioni, kaosi dhe varfëria. Megjithatë, është lehtë të bëhesh milioner – me para të ndihmave. Për këtë, si dhe për ata që majen, bën fjalë artikulli i dytë nga seria e Maciej Zarembës.

 
Një ditë në dhjetor, zonjës Hisari i hesht telefoni. “Duhet ta paguani llogarinë”, i thonë në Telekomin e Kosovës. Por kjo nuk është llogaria ime, shpjegon zonja Hisari. Është e herr Trushlerit, që ka banuar tek unë me qira. Xho Trushler, të gjithë e njohin atë.

 
Herr Trushler është goxha i njohur në Kosovë. Është kreu i ndërmarrjes energjetike KEK, të përmendur vazhdimisht për prerjet e rrymës. Telekomi e kontakton zotin Trushler. “Nuk është llogaria ime”, përshëndet ai. “Por ju keni banuar te zonja Hisari dhe thirrjet janë për në Gjermani”. “S’e di fare se për çka flisni”. As nuk lëkundet madje as kur nëpunësit ia shpien dëshmitë se thirrjet kanë qenë për në adresën e shtëpisë së tij në Bohum të Gjermanisë. Ai s’do të paguajë, e mjaft!

 
Zonja Hisari është 60 vjeç, e ve, pa të hyra. Në momentin e shkrimit s’e kam saktësuar ende sa e ka pasur rrogën Trushleri kur ndodh kjo, por është diku më se 20 000 euro përafërsisht. Para të ndihmave. Agjencia suedeze për zhvillim ndërkombëtar e mbështet ndërmarrjen e drejtuar prej tij, BE-ja ia paguan rrogën, gjithçka nën mbikëqyrje të OKB-së që ka ardhur në Kosovë për të garantuar drejtësi, siguri, e të drejta njerëzore.

 
Andaj, zonja Hisari nuk dorëzohet. Ajo i shkruan OKB-së në Kosovë. U sa keq, i thonë, por OKB-ja s’ka përgjegjësi për aferat private të personelit. Atëherë zonja Hisari e padit gjermanin në gjykatë. S’ka zgjidhje tjetër, llogaria është 6 900 D-mark, rroga mesatare e dy vjetëve për shqiptarët.  
Fatkeqësisht, përgjigjet gjykata, ne s’kemi autorizim ta gjykojmë zotin Trushler. Ai punon për OKB-në dhe ka imunitet në Kosovë. E mund t’i lë llogaritë pa paguar? E po, si duket... a jo, prit pak, imuniteti i tij mund të pezullohet. Nga Kofi Anani. Pse a mos do ta shqetësojë edhe atë zonja Hisari shkaku i një llogarie?

 
Kjo ndodhi më 2001. Më 2007, OKB-ja është nisur ta lëshojë Kosovën. Misioni i ndërtimit të një shteti ligjor quhet pothuajse i mbaruar. Kofi Anani e ka lënë detyrën e vet. Telefoni i zonjës Hisari mbetet i heshtur. Ajo vetë është bindur tashti se OKB-ja është një bandë hajdutësh.

 
Unë kam gjetur që përvojat e zonjës Hisari me OKB-në ndahen nga shumëkush. Kjo e shpjegon pse rinia e Kosovës sot vendos shirita policorë “Skenë krimi – mos u avit” përreth ndërtesës së UNMIK-ut. Arsyen e hidhërimit të tyre do ta shpjegoj në artikullin e ardhshëm. Por, së pari, le ta ndjekim herr Trushlerin edhe një copë here.

 
Ai ka dy shefa të OKB-së mbi veten. Viceguvernatorin e Kosovës Andy Beapark, për shembull. A s’lodhet ky fare për fytyrën e OKB-së? Kur gjermani e turpëron misionin (llogaria e zonjës Hisari bëhet fejton në shtypin lokal), pse s’e detyrojnë të paguajë? Apo pse s’e këqyrin nëse ai vërtet është njeri i përshtatshëm për t’i administruar paratë e ndihmave?

 
E pra, pse? Them se përgjigjen duhej ta jepte një prokuror i gjyqit. Dy vjet më vonë (!) Xho Trushler e lëshon Kosovën. Me vete i ka marrë 4.3 mil USD, të transferuara në ndërmarrje të rreme në Gjibraltar.  
Kur auditorët e OKB-së nga Nju Jorku të mundohen ta rekonstruojnë se çka ndodhur, zbulojnë se burri që e ka drejtuar dy vjet KEK-un s’kishte kompetencë për detyrën e besuar. CV-ja e tij ishte e rreme. Ai nuk ishte inxhinier. As ekonom. As kishte studiuar në Boston e Floridë, as kishte doktoruar në Aachen. As që kishte përvojë dhjetëvjeçare si ndërmarrës privat. E si edhe ta kishte, në moshën 33 vjeç!? Xho Trushler ishte një mashtrues recidiv gjerman, me nja dy ndërmarrje të rreme.

 
Nëse do të kuptosh pse Kosova pas tetë vjetësh udhëheqjeje nga OKB-ja dhe miliarda në ndihma ndodhet ende në gjendje mizërie, duhet ta studiosh detajet rreth aferës Trushler. Si e mori punën? Hetuesit zbulojnë se askush s’ia ka kontrolluar meritat. Pse? Hetuesit nuk e hetojnë këtë pyetje.

 
Por hetuesit zbulojnë që Trushleri i ka paguar pasardhësit të vet një shumë të majme. Që ky pasardhës nga Kanadaja e ka pranuar. Ai s’mund ta shpjegojë këtë transaksion të parëndomtë. Ishte dhuratë private, thotë ai kur hetuesit befas zënë ta pyesin. Vërtet, 200 000 USD, për asgjë? Ashtu or.... që thua ti, herr Trushler mendonte që bija ime këndonte shumë bukur. Andaj i dha një donacion karrierës së saj si këngëtare...

 
Ndale filmin! Pa mbaruar pra ende punë me Xho Trushlerin, OKB-ja vetë e punëson një figurë tjetër komplet ireale. Rastësi?

 
Kur auditorët e hetojnë edhe këtë, ata përdorin një replikë nga Xhejms Bondi. Ky Trushler, thonë ata, ishte pajisur nga Unmikistani me “licence to steel” – licencë për të vjedhur. Askush s’e kontrollonte, çdo mbikëqyrje normale ishte jashtë efekti, shefat e lartë kishin pushtet absolut – por s’merreshin kurrë në përgjegjësi.

 
Ishte kjo një diagnozë irrituese në vjeshtën e 2003-s, që do të vërtetohej prapë sall pak më vonë. Ata që e kishin punësuar Trushlerin mund ta lëshonin vendin me lëvdata e me pasuri përrallore në xhep. Viceguvernatorit Andy Beapark, që refuzoi gjer në fund të vepronte kundër Trushlerit, madje iu dha besimi ta rindërtojë Irakun.

 
As Xho Trushleri nuk u dënua në Kosovë. Madje ai u dënua më shumë shkaku i arsyeve dytësore. Gjyqësia gjermani ia nguli kthetrat kur u mor vesh se ai kishte gënjyer se qenkësh doktor. Doktor gjerman! Për këtë krim, e për mashtrime tjera, atij i dhanë 42 muaj në burg.

 
Edhe UNMIK-u u hetua me këtë rast. “Mungesë e dukshme e mekanizmave të kontrollit”, u tha. “Lehtë për njerëz pa merita që të marrin detyra të cilat s’do t’i kishin tjetërkund. Mjafton ta njohësh dikën që e njeh dikën”, etj., etj. E, pra, meqë arka e hapur e bën hajnin më të guximshëm, atëherë gjykata ia zbuti dënimin Xho Trushlerit.

 
“Kush nuk ikën prej Kosovës me xhepat plot, ose është budalla, ose i shenjtë”, më thotë Y. “Kosova është plehërishte e politikanëve të dobët e eldorado për hajna”, thotë X. “Disa vjedhin krejt haptazi, të pafytyrë e të pangopur si fëmijë. Së shpejti do t’i ulin pantallonat për ta bërë në mes të rrugës”, thotë N. “Kam qenë në plot misione të OKB-së, por asnjë kaq i kalbur sa ky”, thotë Z.

 
Këta katër vijnë nga vende të ndryshme dhe kanë (apo kishin) pozita qendrore në UNMIK. Por askush s’kishte vështrim më të qartë se Marie Fuçi, e cila më 2004 ishte drejtore ekzekutive e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, dado e të gjitha ndërmarrjeve publike.

 
“Njeriu në rrugë sot e ka gjendjen më keq sesa para se të vinin diplomatët perëndimorë me para që Kosova s’i kish parë kurrë”, thotë Marie Fuçi. “Ata që kanë fituar nga ndihmat s’janë kosovarët, po mafiet, një grusht i politikanëve lokalë, si dhe një varg i administruesve qyqarë e inkompetentë perëndimorë”. Fuçi pohon se paratë e taksave tona janë shpenzuar në projekte “që s’e kanë ndihmuar qytetarin e Kosovës, por e kanë majmur nomenklaturën e Kosovës dhe të OKB-së”. Ajo rrëfen se si gjysma e orarit të saj të punës i shkonte për të kontaktuar agjenci të ndryshme antikorrupsion, “shumica krejt inkompetente”. Gjersa ajo më në fund u shpall persona non grata brenda OKB-së.

 
Marie Fuçi e fajëson OKB-në. Por thotë se edhe BE-ja dhe USAID-i janë bashkëfajtorë për korrupsionin, meqë i shpërndajnë fondet e taksapaguesve pa këqyrur si përdoren.

 
“Korrupsion” është një nocion relativ. Veç kur fillova të gërmoj në raste konkrete, nisa ta mësoj thellësinë e mizëries. Atë realizim nuk mund t’jua ofroj juve duke stivuar mbiemra. Andaj, ke durim, të lutem. Më lejo ta tregoj rrëfimin për dyzet hajdutët, nga libri “1001 mënyra për ta plaçkitur Kosovën”. Disa janë tashmë publikë, disa i kam zhvarrosur vet.  
 
Profiterin e parë, le ta quajmë Bo Olson. Ai është nga lloji modest, i pranishëm gjithandej. Në atdheun e vet ndoshta ishte nëpunës i shtruar. Në Kosovë arrin si konsultë major pranë Telekomit PTK. “Në fakt, ai vend pune duhej të anonsohej. Por unë e njoha një në Bangkok, që e njihte shefin austriak në Prishtinë” më shpjegon vetë Bo Olsoni. Dhe çka ka punuar ky në Kosovë? “U jepja këshilla si ta organizojnë punën... e ju ndihmoja si t’i shkruajnë konkurset e punës”.

 
“Ai nuk e meritonte as çerekun e rrogës”, më thonë gjindja në vendpunimin e tij. Mund ta marr me mend. Rroga ishte 11 euro në muaj. Po, për Zotin! Atë rrogë ia kish prerë cubi numër dy, Lame Xhema. Ajo bën pjesë në kategorinë e entuziastëve vendorë që OKB-ja i ka plasuar në drejtim të ndërmarrjeve. Meqë ajo është shqiptare, i jepet rrogë e vendorëve, 1 000 euro në muaj. Por është e lirë të punësojë “konsultë”  nga bota e jashtme për dhjetëfish më shumë. Kështu që ajo i punëson një duzinë syresh, tregon Olsoni. Lexuesi besoj i bie vetë në fije aferës. Dhe, vërtet: kur zonja Xheme dhe zoti Olson vendosen në paraburgim, ai s’ka para për ta paguar gjysmëmilioni kaucion, por ajo ka.

 
Sa Bo Olsona ka Kosova? Inga-Brit Ahlenius, shefe e auditimit qendror të OKB-së në Nju Jork, ka hetuar se si punësohet personeli i UNMIK-ut. Mes viteve 2003 e 2005, për 1 758 vende të punës në Kosovë konkurruan 403 792 persona. Shkurt, 229 kërkues për çdo vend pune. Një studim ka zbuluar se gjashtë nga dhjetë të punësuar janë pranuar ashtu si Bo Olsoni, nga dikush që e njihnin, pa merita, e pa u shpallur anonsi për vendin e punës.

 
Lloji i tretë i cubave është familjar me dy të parët, por më i pafytyrë. Do të thosha: më i adaptuar ndaj ambientit lokal. Ai quhet Gavin Xhefri dhe është drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes së njëjtë. Ai e anashkalon shefin e ekonomisë dhe e importon një të njohur të vetin nga Londra. Ky rri nëntë muaj, luan përditë poker në internet, si rrëfejnë kolegët, por i merr 16 000 euro në muaj plus veturë zyrtare plus – përnjëmend a! – një shumë shtesë për të marrë veturë me qira. (Nuk besova se ish e vërtetë gjersa s’e pashë kontratën me sytë e mi.) Ndoshta nuk jam fin, po t’ju kujtoj që paratë vijnë nga ai buxhet që duhet t’i mbajë 1 milion kosovarë që jetojnë me më pak se 2 euro në ditë? (VIJON) 

(Maciej Zaremba është kontribuues i rregullt në “Dagens Nyheter”. Ai është shpallur dy herë Gazetar i Vitit nga Shoqata e Gazetarëve të Suedisë. Përktheu nga suedishtja: Shqiptar OSEKU)

----------------------- 
 
“Dagens Nyheter”, e përditshmja më e madhe suedeze:  “MIRËSEVJEN NË UNMIKISTAN!” (4) 

DREJTËSIA E UNMIKISTANIT 

Shkruan: Maciej Zaremba 

Tipi i katërt i cubave ia vë syrin një preje më të majme dhe, prandaj, guxon të përballë ca rreziqe. Si britaniku Roxher Rejnollds, shef i OKB-së nga po kjo ndërmarrje. Ai e gjen një partner që quhet Norway Invest. Rejnolldsi i paguan 300 000 euro shefit të NI-së Ove Johansen, si kapar për një kontratë të premtuar disa milionëshe. Partneri i ri quhet se do ta ndërtojë telefoninë mobile. Pastaj Rejnolldsi e falënderon OKB-në për besimin e dhënë dhe kalon në firmën norvegjeze me pagën 20 000 euro në muaj – nga ato para të Kosovës që ia ka kontraktuar vetë firmës norvegjeze.

 
A bën vërtet të bësh kështu, ngritin kushtrimin gazetat lokale. Posi, pse s’bëka, njofton viceguvernatori Andy Beapark. Ai për vete nuk sheh këtu konflikt interesash.

 
Këtu është momenti ta lehtësojmë pak atmosferën. Në Kosovë nuk është keq gjithçka, fundja edhe në përralla të trishtuara ka zana të mira. Në Kosovë ato flasin italisht dhe ngasin Alfa Romeo. E çfarë fati se, kësaj radhe ato arrijnë në kohën e duhur. Një mëngjes, tri vetura të zeza ndalojnë para Norway Investit, e prej tyre dalin tetë individë në kostume të zeza. Janë policë nga Guardia di Finanza italiane, që për pak orë zbulojnë se drejtori ekzekutiv Ole Johansen, që kish një vit që po kontraktonte me OKB-në, në vendin e vet s’paskësh leje të hapë as kioskë të hamburgerëve. Ai është kriminel me ndalesë të ushtrimit të zejes si ndërmarrës. 9 mil krona norvegjeze në borxhe dhe 45 mil në asete të përmbaruara. Kështu, Kosova shpëtoi pahiri prej Johansenit. Veçse, asaj s’iu kthyen 300 000 eurot e kaparit.

 
“Kur korrupsioni kap gjashtë shifra, është lokal. Kur i kap shtatë shifra është në OKB”, pohon Albin Kurti, kreu i lëvizjes rinore “Vetëvendosje!”, që kanoset ta flakë OKB-në nga Kosova. Fatkeqësisht, ai ka të drejtë. Ja një rast tjetër. OKB-ja ia kontrakton firmës irlandeze ESBI misionin që ta zgjidhë problemin makabër të energjisë në Kosovë: KEK-u humbet 700 mil euro në vit, livron 5-6 prerje rryme në ditë, e arrin ta inkasojë sall çdo të dytin kilovat. Irlandezët qëndrojnë tre vjet, inkasojnë 10 mil euro në paga konsultash, dhe e lënë KEK-un ashtu siç e kishin gjetur. Kosova nuk ka ku të ankohet. Në kontratën sekrete nuk shkruan askund se ESBI-ja duhet të arrijë ndonjë rezultat. Ata morën paga veç... për të ndenjur në Kosovë!  
“Kjo është shkelje e detyrës zyrtare”, thotë një jurist. Detyra zyrtare e ka një pronar, qytetarin e Kosovës. E shkelësi i detyrës është OKB-ja, që së pari e lidhi kontratën, pastaj e zgjati, me gjithë faktin e protestave të vendorëve. Miku im jurist është njeri melankolik. Ai ëndërron që një ditë dy Alfa Romeo të zeza do të parkohen edhe para selisë së OKB-së. Por ai e di që kjo s’do të ndodhë kurrë.

 
Unë për vete besoj që ato s’do të parkohen kurrë as para qeverisë islandeze. “Islandezët po e plaçkitin ndërmarrjen e aeroportit”, alarmonte një ekonom i OKB-së pranë OLAF-it (Zyra e BE-së për antikorrupsion). Posi, e plaçkitin që ç’ke me të, por me bekimin e krerëve të OKB-së.

 
Në botë quhet se enti ajror i Islandës ICAA e ka marrë në dorë aeroportin e Prishtinës për sevap. Pajë, dikush duhej ta bënte. Andaj ICAA ia huazon licencat e veta dhe i mpreh rutinat, e mbikëqyr veprimtarinë, e përtërin pistën e aterrimeve që të miratohet, etj. Sa miqësorë, sa solidarë, këta islandezët... Por pas ca kohësh, kosovarët nisin të kruajnë kokën, athua pse s’po e kryejnë më punën mirëbërësit. Sa kohë iu dashka atyre ta ngritin një gardh përreth aeroportit!? Gjashtë muaj? Tre vjet më vonë, kjo s’është bërë ende.

 
Kosovarët nuk e dinë, por islandezët nuk kanë nxitim. Ata i kanë ngritur më se 15 mil euro në mëditje e paga konsultash. E ca më shumë do të ngritin edhe në të ardhmen. Kjo shumë është çereku i shpenzimeve të mjekësisë kosovare, por kush lodhet. Në kontratën sekrete të OKB-së me ICAA nuk ka asnjë afat kohor. Kontrata zgjatet automatikisht çdo vit. Le që islandezët marrin haraç në çdo kontratë të aeroportit me palë tjera afariste. Sa herë që ndërmarrja e aeroportit porosit datorë apo konsultë tjerë, në Islandë inkasohen 15 për qind të qarkullimit.

 
Dikur moti, bota kishte njëfarë rregulli. Italianët ishin të korruptuar, skandinavët ishin të ndershëm. Por në Kosovë, nocioni “the Viking mafia” i përmbledh profiterët danezë, norvegjezë, suedezë e islandezë. Ndërsa, qytetarët i luten Allahut që ata të zihen me presh në dorë nga italianët e pakorruptueshëm.

 
Cubi më i madh në përrallën e zezë të Kosovës nuk është ai që duhej të ishte, një kriminel i përveçëm. Por një shtet demokratik. Franca, nën drejtimin e socialistit Lionel Zhospën.

 
Sapo u bë e qartë, në verën e 1999-s, se OKB-ja do të hynte në Kosovë, e se një ministër francez (Bernar Kushneri) do t’i printe aksionit, qeveria e ngriti një komitet të veçantë, Mission interministérielle pour l’Europe du Sud-Est (Miese). Detyra: të parandalohet përsëritja e Bosnjes. Veçse jo ashtu si mendon ti, lexues i nderuar. Në Bosnjë, Franca dha 17 për qind të ndihmave, por mori sall 5 për qind të kontratave për ndërmarrje franceze. Në Kosovë duhej ndryshe.

 
Franca “duhet të japë me një dorë, e të marrë me tjetrën”, shkruan katërçipërisht ky komitet. Por duhet nxituar, duhet të jemi të parët në këtë “treg bingo” ku “gjithçka shitet më shtrenjtë shkaku i mjerimit”.  

Sipërmarrjet franceze marrin bekimin e qeverisë për t’i veshur nëpunësit e vet në uniformat e K-Forit, qëllimisht për të ngritur gardhe karshi konkurrentëve dhe për të “etabluar kontakte”. Duhet krijuar edhe vullnet të mirë, andaj “s’duhet përtuar që aty-këtu t’ia vëmë krahun edhe ndonjë pune humanitare”. Po, pikërisht kështu shkruan – germë për germë. Që thua ti, gjuha frënge e ka nganjëherë një qartësi të lakmueshme.

 
Miese këqyr që t’i përdorë kanalet e veta në OKB, në BE, e pranë Bankës Botërore, ashtu që misioni t’i shpërblejë ndërmarrjet franceze. Nevojat e ndihmave duhet formuluar në mënyrë të përshtatshme. Jo si në Bosnje, ku OKB-ja shpalli konkurs për minaheqje me qen, pa u lodhur fare pse ndërmarrjet franceze janë specializuar në minapastrim pa qen!

 
Dhe oilá – çfarë suksesi fantastik. Tre vjet më vonë, Franca është në vendin e 13 mes donatorëve (larg pas Suedisë), por i kishte zhvatur 30 për qind të gjitha kontratave të UNMIK-ut. Të shohim pak se si mund të shkonte puna.  
Kur arriti Bernar Kushneri në Kosovë, në verën e 1999-s, vendi nuk kishte telefoni. Siemensi gjerman dhe Alcateli francez dorëzuan ofertat e tyre. Një panel i ekspertëve vendorë e zgjedhin Siemensin. Oferta është më e lira dhe nuk është koloniale. Gjermanët ofrojnë që ta ndërtojnë një rrjet në Kosovë për një çmim fiks. Sipas ofertës franceze, rrjeti do të jetë pronë franceze dhe do ta përdorë numrin hyrës të Monakos.

 
Çfarë ndodh? Bernar Kushneri, ligjvënësi i Kosovës, shef qeverie e shef i gjyqësorit në të njëjtin person, e zëvendëson drejtorin shqiptar të Telekomit me një Paskal Kopën, i cili ia jep kontratën Alcatelit. E vetmja e mundshme, pohon Kopën, se veç Alcateli (në bashkëpunim me Monaco Telecom) mund ta pajisë Kosovën, që s’është shtet, me një numër hyrës.

 
Rezultati: pas shtatë vjetësh, Kosova e ka telefoninë më të keqe e më të shtrenjtë në kontinentin e Evropës, konstaton Këshilli i Evropës. Por sa herë që një kosovar e kap telefonin, cingëron në kontot franceze e monakeze. Me kohën, ka cingëruar goxha shumë. Pothuajse 100 mil euro, më shumë se krejt ndihma suedeze dhënë Kosovës.

 
Pagë goxha e mirë, do të thosha, për huazimin e një numri hyrës (0377) dhe disa shërbime minore. Por pse, pyes unë si suedez, që mendoja se po ndihmoja Kosovën e jo Francën, pse paska qenë e pamundur për OKB-në që t’ia ndreqë një numër vetjak Kosovës, kur është një organ i OKB-së (ITU) që merr vendimin? Kosovarët e kanë shtruar këtë pyetje qëkur. Më 2002, përgjigja u gjet. U gjet një letër nga zyrtari i OKB-së me emrin Kopën, drejtuar drejtorisë së ITU-së. Aty ai i lutet ITU-së që të mos miratojë një numër hyrës për Kosovën.

 
Pastaj, monsieur Kopën u zhduk nga Kosova. Herën tjetër, kur u shfaq sërish – quelle surprise – ai ishte përfaqësues i Alcatelit, na rrëfen Bedri Rama, shef i flakur nga PTK-ja.

 
Bedri Rama i ka shkruar letër të hapur OKB-së. Ai ka kërkuar të dijë se si t’u shpjegojë donatorëve, që i ofrojnë Kosovës ndihma për nevoja elementare, se asetet e Kosovës i gllabëron Monakoja. “Si t’ia shpjegoj këtë të papunëve, mësuesve, mjekëve që jetojnë në minimum të ekzistencës?”.  
Pyetje e pamundur. Kushdo që mendon se korrupsioni në Unmikistan ka përmasa bizare, le ta kujtojë që njeriu është kafshë që adaptohet ndaj ambientit. Gjithë këta Trushlerë e Johansenë... askush prej këtyre organizmave s’do të ish majur, sikur OKB-ja të mos e kish krijuar një habitat të përshtatshëm. Por në Kosovë, ata kanë gjetur një privilegj të cilin s’e kanë parë ëndërr as monakët e mesjetës. Për këtë do të shkruaj në artikullin e ardhshëm.

 
Më 18 gusht 2000, UNMIK-u i miratoi vetes imunitet në Kosovë. Aty e tutje, pushteti më i lartë në Kosovë u bë i paprekshëm për ligjin. Vendimi ishte retroaktiv.

 
Kosova ta kujton Suedinë ashtu që mysafiri duhet t’i heqë këpucët. Ato i merr nikoqiri, e t’i kthen prapë kur vjen koha të dalësh. Kjo shprehi katundare ka vlerë edhe në kryeqytetin e Prishtinës. Për të arritur te zonja Xhezide Zogiani, duhet të kalosh nëpër baltë, vajra, e plehra kuzhine. Kush s’i ka sytë mund të bie në kanalizim. Kapakët e kanalizimit peshojnë 20 kilogramë dhe hekurishtet janë eksporti i parë i këtij vendi. Por në apartamentin e zonjës Zogiani, pjesë e një ndërtese betoni, ka parket të larë, shtrojera të bardha, e serveta të hekurosura. Si dhe limonadë.

 
Xhezide Zogiani e mban mend fort mirë suedezen bionde nga SIDA e cila në prill të 2003-s i mësoi gratë e hekurudhës që t’i ushtronin të drejtat e veta. Se si ato kishin vlerë si meshkujt, se si Kosova ishte vend me ligj, drejtësi, e barazi gjinore. Zonja Zogiani u gëzua shumë nga leksionet e suedezes.  

Pak më vonë, atë e flakën nga puna, pas 29 vjetësh punë në hekurudhë. Ndërmarrja duhej të zvogëlohej. Por pse pikërisht unë? “Shiko këtu”, thotë zonja Zogiani, e ma tregon një diplomë, “Punëtore shembullore”. Veçse ajo ishte gruaja e vetme në nënndarjen e vet. Edhe tjetërkund u veprua njësoj. Burrat pa përvojë mbetën, ndërsa gratë me përvojë u flakën. Kështu, nëntëmbëdhjetë gra pranë UNIM Railways u kujtuan se ishin diskriminuar. Ja pra SIDA, faturën e leksioneve: ato u bënë tok dhe kërkuan që flakja e tyre të shqyrtohej në gjyq.

 
Por do ti, kjo s’u eci. U thanë se po t’i kishë diskriminuar një ndërmarrje private, gjykata do ta shqyrtonte lëndën e tyre. Por mjerisht, hekurudha është nën UNMIK-un. Dhe OKB-ja, i njoftoi gjykata, gëzon imunitet në Kosovë. Kështu që vendimi nuk mund të shqyrtohet. Është i pakthyeshëm. (VIJON) 

(Maciej Zaremba është kontribuues i rregullt në “Dagens Nyheter”. Ai është shpallur dy herë Gazetar i Vitit nga Shoqata e Gazetarëve të Suedisë. Përktheu nga suedishtja: Shqiptar OSEKU)

----------------- 
 
“Dagens Nyheter”, e përditshmja më e madhe suedeze: “MIRËSEVJEN NË UNMIKISTAN!” (5) 

DREJTËSIA E UNMIKISTANIT - “Executive orders” 

Shkruan: Maciej Zaremba 

Xhezide Zogiani s’u besoi veshëve, si më thotë. Asaj OKB-ja sapo i kish thënë që të mos e duronte diskriminimin. E se “gjithkush që kërkon t’i mbrojë të drejtat e veta civile... e gëzon të drejtën e gjykimit të paanshëm dhe publik”. E tashti i thoshin se ato parime që OKB-ja u mëson tjerëve vlejnë për tjerët – por jo për vetë OKB-në! Athua është kështu përnjëmend!?  
Po, është. Është e pakuptueshme, shkretëruese për misionin e OKB-së në Kosovë, por krejtësisht e vërtetë. Ekzistojnë sall dy rajone në Evropë ku qytetarët s’kanë ku të qahen për të drejtat e veta civile, as në vendin e vet e as në Strasburg: Rusia e Bardhë është një prej tyre, Unmikistani kosovar i dyti. Para se të provojmë të kuptojmë se si ka ardhur puna gjer këtu, le të përjetojmë se si mund të ndjehen pasojat.

 
KFOR-i i ka sot 17 000 ushtarë. Ata i binden NATO-s, që i bindet OKB-së. Një ditë prej dite, ata e shohin një veturë të dyshimtë. Ndoshta ka kokainë, ndoshta është e vjedhur. E marrin për hetim. Jo, or, qenka e pastër. Por kur pronari, ta quajmë Paloka, shkon për ta marrë veturën e vet te KFOR-i, vetura është zhdukur. E po, duket që e paskan vjedhur, konstatojnë ushtarët, që mund të jenë nga Azerbajxhani. S’paske fat, or, mik... Kompensim? Mos u lodh të shkosh te UNMIK-u, ata s’përgjigjen për ushtarët. As te NATO-ja, ajo s’përgjigjet për repartet e përveçme. E pra, ku të ankohet Paloka? Te Ministria e Mbrojtjes në Azerbajxhan. Apo mos ishte një epror turk që kishte kujdestarinë mbrëmë? Se atëherë do të shkosh në Ankara. Hajt, udha e mbarë!

 
Në KFOR ka reparte nga 36 vende, pos tjerash nga Rumania, Moldavia, Maroku dhe Mongolia. Tjerat po ia lë fantazisë së lexuesit.

 
Nuk e di saktësisht se si ndjehet sot zoti Paloka. Por kam folur gjerë e gjatë me doganierin Bedri Shabanin. Të dhembë zemra kur e dëgjon këtë burrë të stërmadh tek e rrëfen historinë e vet me zërin e një fëmije që ka humbur besimin.

 
Bedri Shabani ka bërë mu ashtu siç dëshiron OKB-ja që të bëjnë kosovarët. Ai e ka thyer zakonin shqiptar. Kur ai zbuloi se një varg i shefave të vet brenda doganës ishin mitosur nga përvjedhës të mallrave, ai mblodhi dëshmi dhe vajti drejt e në policinë e OKB-së. “I kisha 5 kg dokumente”. Koha kaloi, e s’ndodhi asgjë. Atëherë ai doli në shtyp. Ishte trim budalla, se në Kosovë ta heqin flamën për më pak. Dhe, ndodh befasia. Shefi i doganës arrestohet! Por lirohet pas pak, me urdhër të një gjykatësi të OKB-së. Gjykatësi shqiptar ankohet, qahet se e kanë anashkaluar, e akuzon OKB-në se saboton drejtësinë. Por njerëzit në rrugë i ngritin supet. Ata e njohin goxha mirë këtë stil.

 
Si thua ti, qëllon që guvernatori i Kosovës, diplomati gjerman Mikael Shtajner, kalon me vajzën e njërit prej shefave të doganës, që është mik i ngushtë me të arrestuarin. S’ka të keqe nga dashuria, thonë disa (ata më vonë u martuan). Por kujt t’i ankohet tash Bedri Shabani, kur guvernatori është i anshëm? Ai i shkruan Kofi Ananit. Ma tregon edhe kopjen e letrës. Më duket si përrallë. Vartësi besnik qahet kundër guvernatorit dhe i lutet me fjalë të thjeshta perandorit që ta mbrojë drejtësinë.

 
Gjer këtu ndoshta s’ishte katastrofë ende. Nuk e thotë dot askush se kush ka gabuar. Por tani ndodh e paimagjinueshmja. Shabani flaket nga doganat. Ishte gabim i pafalshëm, shkruajnë Doganat e UNMIK-ut, t’i shkruash Kofi Ananit. Nuk ishte fare gabim, vlerëson gjykata në Prishtinë, aty ku ankohet Shabani. Kofi Anani është autoritet suprem në Kosovë, atij mund t’i dërgohen ankime, Shabani ka ushtruar të drejtën e shprehjes së lirë. Pushimi nga puna është i paligjshëm.

 
A s’është kjo trimëruese? Së pari Shabani, një baba i gjashtë fëmijëve që rrezikon bukën e gojës, pastaj këta gjykatës ballkanikë që i kanë studiuar me gjithë mend të drejtat njerëzore. Thuajse OKB-ja qenka afër t’ia dalë mbanë misionit të vet.

 
Them se është më mirë të mos e përmbledh fare reagimin e UNMIK-ut ndaj këtij aktvendimi. Përkthimi më adekuat është: të drejtat njerëzore futni në bythë. Ne bëjmë si të na teket.

 
Tingëllon mbase tepër vrazhdë? Ja atëherë kështu: Kanë kaluar tre vjet qëkur gjykata e ka anuluar flakjen e zotit Shabani nga puna. Ai është ende pa punë. Shefi i doganave të OKB-së refuzon t’i bindet gjykatës së vënë nga OKB-ja, e cila ka vendosur sipas ligjeve të prera nga OKB-ja. Dhe s’ka njeri që mund ta detyrojë ndryshe.

 
Ju tregova këtë histori në detaje, meqë është tipike. Në Kosovë ka mijëra zogianë e shabanë, për të cilët OKB-ja s’është veçse padrejtësi e iluzioneve të thyera. Por ka edhe rrëfime tjera. Ekziston një shtëpi në Prishtinë me tabela të bardha. “Was is das?”, e pyes shoferin. “Das is Hilfe!”, ndriçon ai.  
Si suedez, kjo ta ngrohë zemrën. Ombudsperson, thotë mbishkrimi në tabelë. Termi burimor “Ombudsman” OKB-së iu duk se e shprehte pabarazinë gjinore, e OKB-ja e do fort barazinë gjinore, të paktën në tabela.  

Ombudsmani ka qenë institucioni i vetëm kosovar ku vendasit kanë mundur të ankohen kundër pushtetit. Mijëra kanë bërë ashtu gjatë viteve. Të gjithë kanë marrë përgjigje, disa kanë fituar. Por atyre më të dëmtuarve, ombudsmani s’ka mundur t’u ndihmojë.

 
Marek Antoni Novicki, jurist ndërkombëtar me rrënjë në lëvizjen polake për të drejta qytetare, që ishte ombudsman i Kosovës për pesë vjet rresht, e kupton hidhërimin kundër OKB-së. “Gjithçka është në raportet e mia”. Aty shkruan se në Kosovë, është vetë OKB-ja që i thyen më së shpeshti të drejtat e njeriut. E se qytetarët s’kanë si të nxjerrin drejtësi karshi OKB-së.

 
“Në aspektin ligjor, Kosova është vrima e zezë e Evropës”, thotë Novicki. “Është tamam kafkiane. OKB-ja arrin për t’i mbrojtur të drejtat njerëzore – dhe i privon njëherësh qytetarët nga të gjitha mjetet ekzistuese për t’i ushtruar këto të drejta”.

 
Ky privim ndodhi më 18 gusht 2000. Atë ditë, guvernatori i miratoi imunitet (edhe retroaktiv!) ligjor tërë misionit. Tërë organet e OKB-së në Kosovë, si të punësuarit civilë, ashtu edhe ushtarët, gjithsej 60 000 vetë, u vunë mbi ligjin. Ata s’mund të pandehen, të paditen, madje as të hetohen, as nga madhorit lokale të drejtësisë, e as nga askush tjetër. Përjashtim i vetëm janë ushtarët që pandehen nga qeveria vetjake. Veç nëse dikush kryen krim serioz mund t’i tërhiqet imuniteti – nga Sekretari i Përgjithshëm, e vetëm dhe vetëm nga ai.

 
Novicki thotë se ky vendim ishte i paligjshëm, i palogjikshëm dhe komplet shkretërues. I paligjshëm, pse vetë ndeshet me Konventën e Evropës. “Nuk thirresh dot në të drejtën e gjykimit të drejtë – neni 6 – nëse pushteti është imun ndaj ligjit”.

 
Jologjik, meqë qëllimi i imunitetit në misione tjera ka qenë që ta mbrojë personelin e OKB-së nga pushtetet vendore, nga policë të droguar afganë apo nga gjykatat islamike në Sudan. Po në Kosovë? Aty vetë OKB-ja është pushtet i vetëm sovran. Ajo vendos vetë mbi policinë, shkruan ligje, e emëron gjykatës. “Ajo që ndodhi në Kosovë”, thotë Novicki, “është se pushteti u bë imun karshi vetes. Ai s’kishte më nevojë që t’i respektojë ligjet e veta”.

 
E pyes Novickin nëse OKB-ja mendonte që personat e saj ishin engjëj. Imuniteti nuk i shfuqizoi sall kosovarët. Edhe UNMIK-u e ka pasur të vështirë qysh atëherë që t’i disiplinojë vartësit e vet. “S’beson se mendonin fare asokohe”, përgjigjet Novicki.

 
Atëherë e pyes zotin Hans Korell, athua si mendonte ai vetë. Atëbotë ai ishte shef ligjor i OKB-së në Nju Jork, ai e autorizoi imunitetin. A ishte, vërtet, punë e urtë që t’i imunizosh doganierët, policët, të gjitha madhorit e Kosovës karshi ligjeve të OKB-së?  
Hans Korellit i ndalet fryma kur dëgjon detajet. “Çfarë thua, or! Natyrisht që s’qe menduar ashtu!”. Ky interpretim, thotë zoti Korell, është keqinterpretim i vrazhdë i imunitetit. Nuk patëm thënë që ta mbrojmë një polic të OKB-së që nget veturën i dehur, meqë ngasja e veturës në gjendje të dehur nuk është pjesë e misionit ndërkombëtar. E çka atëherë për drejtorin i cili (në artikullin tim të kaluar) ikën pa dënim prej llogarisë telefonike? “S’e patëm thënë kurrë që imuniteti do të vepronte në këtë mënyrë!”.

 
Jo pra, qartë që jo. Por kështu është interpretuar ai, sipas raporteve të ombudsmanit. Pushteti u bë i paprekshëm nga ligji. Për juristët e OKB-së mbetet detyrë urgjente të marrin vesh se si ka ndodhur kjo rrëshqitje.  
Në vitet 1970, në SHBA dhe në Itali u kryen disa eksperimente sociale (Milgram, Zimbardo) për të parë se ç’ndodh kur disa njerëz kanë pushtet të pakufizuar mbi tjerët. Disa prej eksperimenteve u desh të ndërpriten, pse u bënë të frikshëm. Them se Kosova është një eksperiment i tillë, padije, i papërgjegjshëm, por në shkallë të plotë. Efektet do t’i kuptosh kur të shohësh kosovarët te ndezin veturat e OKB-së. Por çka zbulon kjo për ne, për demokracitë tona?

 
Druaj se ato janë tejet fragjile. Se ato qëndrojnë më pak falë bindjeve tona, e më shumë falë frikës nga sanksionet. Kur imuniteti kosovar na çliroi nga frika e sanksioneve, u deshën sall pak muaj që demokratë besnikë nga Kopenhaga apo Parisi t’i flaknin parimet njërin pas tjetrit: Habeas Corpus (askush s’bën të burgoset pa gjyq të paanshëm), paanshmëria e gjyqësorit, barazia para ligjit.

 
Kosovarët, vërtet, s’ishin qengja më 1999, por ju betohem se ata s’i ka urtësuar gjë as ky tretman tetëvjeçar si të ishin heretikë të ndjekur. Cili suedez do t’u bindej ca ligjeve të shkruara sall frëngjisht? Pa shikoni nivelin e arrogancës koloniale: në Kosovë, ku çdo i pesti nuk di shkrim-lexim, e ku rryma ndalet orë e çast, OKB-ja pret ligje sall në anglisht, e që mund t’i gjesh vetëm në internet. E nëse ndodh, ruana Zot, që ndonjë gjykatë të ankohet, kjo nuk ndryshon gjë, pse në Unmikistan gjykata i bindet guvernatorit, i cili mund ta zhvendosë një gjykatës, e t’i injorojë të gjitha aktvendimet që s’para i pëlqejnë.

 
Këtu paraburgoset një gangster i njohur. Por ai është i popullarizuar, disa e shohin si hero çlirimtar. E pakëndshme, mund të ketë protesta... E po, UNMIK-u e urdhëron gjykatësin ta çlirojë të pandehurin. Kjo nuk ndodh askund në Evropë, pos në Kosovë. Apo anasjelltas: një gjykatë (me gjykatës ndërkombëtarë) vendos ta çlirojë një të paraburgosur për mungesë provash. Megjithatë, guvernatori dëshiron ta mbajë atë prapa grilash. Kështu që ai i urdhëron gardianët ta shpërfillin aktvendimin. S’është e mundur as në Indi, por nën OKB-në është e mundur: “Executive orders”, urdhra ekzekutive quhen këta, që i mbajnë njerëzit brenda burgut pa hetim, pa vendim, pa afat, e pa të drejtë ankese. (VIJON) 

(Maciej Zaremba është kontribuues i rregullt në “Dagens Nyheter”. Ai është shpallur dy herë Gazetar i Vitit nga Shoqata e Gazetarëve të Suedisë. Përktheu nga suedishtja: Shqiptar OSEKU)

---------------------- 
 
“Dagens Nyheter”, e përditshmja më e madhe suedeze: “MIRËSEVJEN NË UNMIKISTAN!” (6) 

Burrëria, guximi, e çorapëzat mbi çizme 

Shkruan: Maciej Zaremba 

Në nëntor të 2005-s, komisionari për të Drejta të Njeriut i Këshillit të Evropës, zoti Alvaro Gil Robles, pati lëshuar kushtrimin në Le Monde. A është e mundur që kemi një Guantanamo në zemër të Evropës? Si senior, e kemi. Bondstell quhet, një bazë amerikane pranë kufirit maqedon, ku të burgosur në po ato anembanat e portokallta si në Kubë, rrinë pa afat, pa proces, pa avokat apo aktvendim. Sepse guvernatori i OKB-së mendon se janë terroristë. Ombudsmani Novicki s’i ka lënë dy gurë bashkë duke protestuar kundër këtyre abuzimeve. Por te kush të ankohet? Edhe mbi Xhorxh Bushin është dikush, është Gjykata e Lartë. E mbi governatorin e OKB-së është veç Zoti.

 
“A kjo qenka ajo barazia mes njerëzve”, më thotë Fatmiri në Prishtinë. Ma tregon një foto ku shihen ca burra duke dalë nga një ndërtesë. “Janë gjykatës”, thotë ai, “që e kanë dënuar një bos të mafies shqiptare. Shumë e parëndomtë në Kosovë, shumë e rrezikshme për shëndetin. Ja, këqyr! Ai majtas është britanik, i rrethuar nga truprojat. E përcjellin deri te vetura, që është e blinduar. Do ta ruajnë edhe në gjumë. Britaniku ka rrogë tridhjetë herë më të lartë se këta dy djathtas, që janë gjykatës vendorë. Ata rrezikojnë më së shumti, i kanë familjet këtu. Por lihen pa mbrojtje”.

 
E ç’t’i përgjigjem unë, veç i shtrëngoj dhëmbët. Nga të gjitha abuzimet e OKB-së, kjo tradhtia e saj kundër atyre pak guximtarëve që e kanë sfiduar korrupsionin dhe mafien është më e pafalshmja.

 
“OKB-ja i ka tradhtuar kosovarët më të shkëlqyer e më idealistë në favor të atyre më të paskrupujve”, shkruajnë dy ish-bashkëpunëtorë të UNMIK-ut, Uit Mejson dhe Jan King. “OKB-ja do të pendohet thellë për këto të pabëra”, shkruan gjykatëse Dejvid Marshall, që e ka vëzhguar Kosovën për llogari të OSBE-së.

 
Si ndodh atëherë që këto të pabëra nuk janë përmendur në media tash tetë vjet? Një përgjigje e mundshme është, se mua më mori gjashtë muaj për të mbledhur njoftime të besueshme për këta artikuj.

 
Si duhet të bëjë njeriu për të kuptuar se çfarë pune bën “Claims Office”, Zyra e Ankesave, në Prishtinë? Zyrtarët pohojnë se kosovarët mund të drejtohen aty p.sh. nëse OKB-ja ua ka dëmtuar veturat apo të ngjashme. Sa ankohen? Si mirëpriten? Unë u desh që të lajmërohesha te roja në selinë e UNMIK-ut. Aty ishin të ngjeshur pesë djem në bluzat e kaltra të UNMIK-ut. Studionin mbase dikur medicinën apo ekonominë, tashti punojnë si roje për trefishin e pagës së profesorit. Jo, s’bën të hyj. E po, e thërras shefen e zyrës për ankesa. Ajo më drejton te shefi i vet, i cili as ai nuk flet me media. Ai më drejton te Zyra për Media e UNMIK-ut.

 
Ky vend është pesë kilometra larg. Në portë shkruan se zyra është e hapur shtatë ditë në javë, por askush s’e hap derën në ora tre një të martë. I thërras të pesë numrat në derë, s’ka përgjigje. Shkoj te një internet café, pres sa kalon ndërprerja e rrymës, e i dërgoj e-mail njëfarë Georgy Kakukut, emrit të parë në listë. Pas dy ditësh, shoh se s’ka ende përgjigje. I mëshoj derës me grushte sërish, e ç’të shoh – një njeri! “Hi, I’m Jeff Bieley”, më thotë amerikani, ndërsa i bën me dorë një vendasi të përkorë që t’ia vendosë pjatën e drekës mbi tavolinë.

 
Jo, OKB-së s’i ka arritur ndonjë letër nga DN. “I shkruat mr. Kakuk? Ha, ha, ai ka ikur prej këtu qëkur... Si the, është ende emri i tij si përgjegjës?”

 
Jo, mr. Bieley nuk mund të më vejë në kontakt me Claims Office. Mund ta pyes atë vetë, e përmes tij t’i marr përgjigjet. Merr maks një javë. Po desha të shtroj pyetje pasuese? Tre ditë, jo më shumë. “Sa kohë do të qëndroni në Kosovë?”.

 
Nga 6 000 funksionarët e UNMIK-ut, janë sall tre që mund të flasin me shtypin, me shpjegon zoti Bieley. Të gjithë tjerët shkojnë përmes tij. Okej, i them, ja pyetjet e mia. “A jo, m’i dërgoni me e-mail”. Në Kosovë, ku gjysma e vendit ka rrymë sall tre orë në ditë!? Mr. Bieley i ngrit supet e më bën shenj se bisedës informative i ka ardhur fundi.  
Pyetjet e mia i dërgova në adresën
bieley@un.org më 24 qershor vitin e kaluar. Përgjigjen po e pres ende.

 
Mundet që juristët e OKB-së s’e dinin se çfarë kishin bërë kur i ngulfatën gjykatat kosovare e kur u mbyllen gojën njerëzve të vet. Por tjerët e kanë kuptuar goxha mirë. Pas tetë vjetësh të këtij eksperimenti, Kosova është shndërruar në qendër të trafikimit me gra e droga. Kujto, pra, këto herën tjetër kur të shikosh këta ballkanikë tek gjuajnë me gurë, u vënë flakën veturave të OKB-së e bëjnë bujë. Do t’ju thonë se atyre Nju Jorku u ka ofruar zemrën e demokracisë, por se ata s’kanë mend ta pranojnë.

 
Kjo s’do të jetë e vërtetë. Atyre u është ofruar llumi. Pse ka ndodhur kështu, këtë do të orvatem ta kuptoj në artikullin e fundit.  

Burrëria… 

A munden policë nga diktaturat t'ia mësojnë tjetërkujt ligjin e rendin? Se kështu ndodh në Kosovë. A mund ta ndërtosh një shtet me të punësuar të përkohshëm? Në artikullin e fundit të serisë "Kolonia Kosovë", Maciej Zaremba e kërkon frymën e vërtetë të OKB-së dhe e gjen Mikelin suedez.

 
"Ishte vështirë të koncentrohesh", thotë Mikeli. Por çka ndjeu në ato momente? "Është tmerr të tregosh - por s'ishin aspak mendime pozitive".

 
Veç kur më rrëfen se si ai dhe ushtarët tjerë kishin falënderuar shoqi-shoqin pas asaj që kishte ndodhur, arrij të kuptoj se çka është duke më thënë. Termi mendime negative te ky rreshter suedez d. t. th se ata s'do ta mbijetonin natën. Vështirë të koncentrohesh d. t. th i tmerruar. Por ai s'i përdor këto fjalë. Në fjalorin e Mikelit, burrat nuk ikin. Ata rigrupohen.

 
Mike ka marrë pjesë në betejën e Çagllavicës, që ndodhi më 17 mars 2004. Besoj se lexuesi nuk e njeh. As unë s'e njihja, pa ardhur në Kosovë. E habitshme, kur ta kesh parasysh se ajo që ndodhi aty ishte aksioni më i rëndësishëm i armatosur i Suedisë këto 100 vjetët e fundit. Edhe më e habitshme kur kupton që u krye nga pjekës, zdrukthëtarë dhe vullnetarë tjerë, të udhëhequr asaj dite nga një epror që nuk iu bind urdhrit.  

Mjafton sall kjo si arsye për ta rrëfyer këtë storje. Por ka edhe tjera: Atë ditë, trupat e OKB-së pësuan humbjen më të ndjeshme pas Srebrenicës. Para 17 000 ushtarëve dhe 4 000 policëve, banditë shqiptarë u vërsulën kundër minoriteteve të veta. 900 njerëz u plagosën, 19 u vranë, nja 30 kisha u shkatërruan, 700 shtëpi u dogjën, 4 500 vetë u vunë në arrati.

 
"Nuk arrij ta kuptoj", më thotë Hans Hokanson, kolonel-lëjtnant nga treva e Gotlandit, Suedi. "Ta mbrosh manastirin në Prizren - kjo është detyrë e ëndrrave për një ushtar. Kepa në të gjitha anët, një lum, një urë e vetme e ngushtë. M'i jep 20 burra, pa ta mbroj kundër 1000 vetëve. Çka ndodhi?"

 
E pra, çka ndodhi? Kur nja 200 ekstremistë shqiptarë, të armatosur me molotovë, arritën te manastiri i shek. XVI, e dërguan një negociator me flamur të bardhë. I cili i njoftoi gjermanët e K-Forit se s'do t'u prekte kush qimet e helmetave nëse skajohen diku, sa të djegin gjindja lirisht. Por nëse do të kundërshtonin do të vriteshin. Me ç'rast gjermanët i sprapsën autoblindat e veta dhe shikuan nga distanca djegien e manastirit.

 
"I ndoqëm udhëzimet tona", më shpjegon gjenerali i tyre, Holger Kamerhof. Sipas Rregullave të Angazhimit, që i ka secili ushtar në xhep, detyra e tyre ishte t’i mbronin jetët. Por aty nuk shkruante se mund të përdornin dhunë për një ndërtesë. Rezultati: Në mbarim të ditës, asnjë ushtar gjerman as ishte gërvishtur. Por gjithçka që duhej ta kishin ruajtur ishte përcëlluar. Sikur edhe ato që ishin nën rojën franceze, manastiri në Drenicë dhe shtëpitë serbe në Svinjare.

 
Atë ditë, Hans Hokansoni i kishte 700 burra nën komandë. Shumica suedeze, por edhe çekë, finlandezë, sllovakë dhe irlandezë. Ata u desh të ndërhynin aq rrëmbyeshëm, sa s'arritën të marrin as harta, as ujë. Mijëra shqiptarë ishin nisur drejt enklavave serbe Çagllavicë dhe Graçanicë ku ndodhen manastire të njohura. Në duar kishin shufra hekuri, gurë, ca armë zjarri, si dhe batanije të ngjyera në benzinë në maje të shkopinjve. (Kështu i djegin shtëpitë në Kosovë. I shtyjnë nëpër dritare e i ndezin.)

 
Hokansoni i rreshtoi burrat e vet para katundit, s’kish tjetër. Atyre u dhanë të njëjtin propozim si gjermanëve. "Hapni udhë!". U përgjigjën jo. Pastaj i shtrënguan radhët e bënë ballë. "Ishte si betejë mesjetare", thotë një vëzhgues. Kërbaçët kundër hunjve dhe mburojat kundër vargonjve, shtatëqind kundër dhjetë mijë shqiptarëve që sulmonin në valë. Sa do të bënin ballë?

 
Ndonjë orë, besonte Hokansoni. Për përforcime s’kish shans, se atë ditë po digjej tërë Kosova. Pas pak, kazerma suedeze ishte bosh. "Të gjithë që mund të ecnin ose qëndronin, kuzhinierët dhe mekanikët që s'kishin mbajtur kërbaç në dorë ndonjëherë". Askush s'i urdhëroi, ata erdhën vetë. U rrahën dy orë, katër, gjashtë... s'kishin ujë, alivanoseshin nga dehidrimi, përmirreshin, u thyheshin duart e këmbët, e plumbat u fishkëllenin mbi kokë. Por u rrahën njëmbëdhjetë orë pa pushim. Gjersa u err, e sulmuesit u lodhën. (VIJON)

-------------------------------- 
 
“Dagens Nyheter”, e përditshmja më e madhe suedeze: “MIRËSEVJEN NË UNMIKISTAN!” (7) 

Një mision i OKB-së që s’është si një ekspeditë polare 

Shkruan: Maciej Zaremba 

Tridhjetepesë ushtarë u plagosën. Por Çagllavica nuk u dogj. Dhe manastiri në Graçanicë qëndron ende. Kur Hokansoni pa se do t'ia merrnin krahët, thirri në radio: "Mbrojeni manastirin... përdorni forcë vrastare në rast nevoje". Ndonëse ai e kishte në xhep të njëjtin doracak si gjermanët në Prizren. Por pse veproi ashtu?

 
Para se ta shpinin në Kosovë, Hokansoni mendonte se Departamenti i Jashtëm do t'ia mësonte historinë e vendit. Kur nuk ndodhi ashtu, ai i bleu librat vetë. Prandaj, e dinte se manastiri në Graçanicë është simbol kulturor serb. Po të prishej ai, tërë Serbia do të ngrihej në këmbë. Përndryshe, thotë Hokansoni, "çdo urdhër e ka një afat të skadimit. Kur mbetesh vetëm duhet të marrësh vendime vetjake".

 
"Asaj dite, ishte Hokansoni dhe burrat e tij që përbënë dallimin mes të mirës e të keqes", thotë gjenerali Anders Brännström, i cili ishte shef i Hokansonit në Kosovë. "Po ta kish priorituar edhe ai sigurinë e ushtarëve si tjerët, ndërgjegjen e Suedisë do ta kishë brejtur një Srebrenicë e re".

 
E tregoj këtë kaq gjerësisht meqë në gazetat e atdheut, aksioni i suedezëve gjeti më pak hapësirë se bytha lakuriqe e një idoli të popullarizuar. Ky më duket si ogur i kohës. Hokansonit i duket sall e çuditshme. Por, ndoshta, gjindja në Suedi mendojnë, thotë ai, se "ushtarët e OKB-së duhet sall t'u shpërndajnë kukulla fëmijëve e ta promovojnë barazinë gjinore. Atyre u vjen zor kur ta shohin me armë në dorë".

 
Kur NATO-ja dhe institutet e pavarura e analizojnë debaklin e 17 marsit, del se veprimi më i përgjegjshëm i një eprori paska qenë mosbindja ndaj urdhrit. Por vetëm suedezët dhe italianët vepruan ashtu.

 
Atë ditë, ushtarët gjithandej Kosovës e panë që s'i prinin një ushtrie, po diçkaje që dukej si një sanatorium në shëtitje. Çdo grup pacientësh i kishte udhëzimet e veta. Amerikanët s'luftonin dot me civilë. Sllovakët e kishin të ndaluar të përdorin kërbaçë. Gjermanët e kishin të ndaluar ta kapërcejnë rrugën, se aty mbaronte sektori i tyre. Etj. etj.

 
Këto quhen Caveat, kufizime që çdo shtet i ka kërkuar për të marrë pjesë në mision. Me pasojën që shumica e forcave të K-Forit ishin të papërdorshme në orën e zorit. Vetëm 17, nga 55 njësi, kishin leje të shtypin trazira. Dhe s'kish një gjeneral në tërë Kosovën që ta dinte se çka kishin të ndaluar përndryshe. "Disa ndoshta s'kishin as leje të rrinë jashtë shtëpisë pas orës pesë", përqeshet një epror suedez.

 
Ndoshta të thotë mendja që një mision i OKB-së është si një ekspeditë polare: Caku i qartë, udhëheqja e vendosur, pajisjet e duhura, specialistët më të shkathët e më të përkushtuar ndaj detyrës. Ke të drejtë ta kërkosh këtë, shkaku i rrogave të larta dhe faktit se 229 vetë konkurrojnë për çdo vend pune këtu. Por misioni i OKB-së në Kosovë ka shumë pak nga tërë këto. Atë s'mund ta krahasosh me ndonjë fenomen të njohur, por ka ca ngjashmëri me qendrën shëndetësore në qytezën [suedeze] Sveg.

 
Në Sveg, doktorët ndërrohen çdo javë. Në Kosovë, ushtarët i kthejnë sapo të kenë mësuar ta gjejnë rrugën. Gjashtë muaj është afati i rotacionit, njësoj si për policët. Guvernatori ndërrohet për vjet, shumica e funksionarëve po ashtu. Por këtu mbarojnë krahasimet me Svegun. Se kur aty mjeku i radhës bën ordinim të gabuar, atij i del problem me Drejtorinë Kombëtare të Shëndetit. E kur një polic i OKB-së e flak në plehra një kallëzim penal, ai s'ka pse të trembet. OKB-ja s'ka sanksione për shkelje të detyrës zyrtare. Më e keqja që mund të të ndodhë është të mos ta zgjasin kontratën.

 
Një britanik më tregon se ekziston një kthinë në policinë e OKB-së, e mbushur gjer te pullazi me kallëzime penale të palexuara. Më duket e besueshme, se shumica e krimeve në Kosovë nuk hetohen. Por pse të hetojnë policët, kur s'kanë qejf? Kjo, në fakt, s'është fare pyetje pa lidhje. Si edhe kjo tjetra: Çka bën zoti Bangura në Prishtinë? I mëson kosovarët si t'i drejtojnë hekurudhat, për 8 000 euro në muaj. Hekurudhorët vendorë që u duhen të jetojnë me 150 euro në muaj ndjehen paksa të poshtëruar nga ky sistem, aq më shumë pasi zoti Bangura s'ka lidhje me trenat. Si të ketë. Ai vjen nga Siera Leone, ku pampuri u ndal së fundi më 1975. Ai është ekspert i porteve ujore.

 
Zoti Bhatakarja nga Bangladeshi, në anën tjetër, nuk është ekspert në asgjë. Ai është roje i parkingjeve, s'ka patentë shoferi, e flet veç bengali. Por, ndoshta, ka paguar mirë në Daka, se tashti është polic i OKB-së. Janë me qindra si ai, individë inkompetentë në policinë e OKB-së, në ekonomi, e në drejtësi. Apo si thua për një ekspert ligjor të plazheve që heton vrasjet. Ata vijnë shpesh nga "non skiing nations", vende pa skiatorë pra, që është zhargon i OKB-së për Afrikën dhe Azinë.

 
Jo, ardhja e tyre në Kosovë nuk është enigmë. Është fjala për sistemin e OKB-së. "Është e rëndësishme të duket që krejt bota merr përgjegjësi", na njofton një diplomat. Tashti, vërtet, disa nuk vyejnë, "por kuotimi i tyre është çmimi që ne duhet ta paguajmë për legjitimitet".

 
Cilët ne? Çmimin po e paguan Kosova. Kush beson përnjëmend se një forcë policore nga 44 shtete, prej tyre gjysma vende gjysmëdemokratike, prej tyre gjysma diktatura, prej tyre gjysma që s'i kuptojnë kolegët e vet, prej tyre gjysma që s'janë as policë, do ta rrezikojnë jetën e vet për ta promovuar ligjin e rendin në një vend që s'ka njohur kurrë diçka të tillë?

 
As që e kanë bërë ndonjëherë. Ata kanë ndenjur duarkryq, ndërsa mafia ka infiltruar madhorit kosovare dhe misionin e OKB-së. Kjo histori na mëson, se OKB-ja ka nevojë për një korpus të vet policor, me inspektorë nga vendet e BE-së, që janë gati të ndërhyjnë me afat të shkurtë – e, të cilin, duhet ta paguajmë ne.

 
Nëse lexuesi mendon se ky artikull ka të bëjë me probleme të largëta që s'kanë të bëjnë me të, dua ta njoftoj se mafiozët nga Kosova janë krerë të heroinës në qytezën [suedeze] të Kalmarit, e të skllevërve të seksit në Oslo. Ata do ta sponsorojnë Qeverinë në Prishtinë, atë ditë kur të shpallet pavarësia. E pra, ky nuk është faji i Kosovës, po faji ynë, që e kemi lejuar të ndodhë.

 
Asnjë nga shtatë guvernatorët e Kosovës nuk ka provuar të matet me ligat e gangsterëve kosovarë. Më e fuqishmja prej tyre, me rrënjë nga guerilja e UÇK-së, pothuajse gëzonte imunitet nën OKB-në, që druante se ata ndryshe mund të shkaktonin trazira. Madje edhe t'u bëjë dëm personelit të OKB-së. Nga ky shkak, OKB-ja s'i ka kërkuar kurrë fajtorët e qindra vrasjeve kundër serbëve, romëve (e kolaboratorëve të pandehur) që ndodhën më 1999.  
Ky ishte një kompromis shkretërues. Por jo krejt i pakuptueshëm, kur ta kujtosh se si është i ndërtuar misioni i OKB-së. Ballafaqimi i krimit të organizuar kërkon strategji, qëndrueshmëri, guxim dhe sakrificë. E pra, një mision të mirëfilltë, një detyrë të frymëzuar. Por bashkësia ndërkombëtare, me gjithë faktin e emërtimit, s'ka një mision në Kosovë. Ajo ka të shumtën vagabondë të përkohshëm të OKB-së, të paguar skajshmërisht por pa përgjegjësi tjetër pos karrierës vetjake, ku Kosova është sall një episod kalues. E karriera promovohet nëse raporton stabilitet dhe sukses, jo luftime zjarri me mafien e trazira. (Pale më po raportove policë të plagosur të OKB-së.)

 
Kështu pra, shtatë palë guvernatorë të ndryshëm këtu raportuan stabilitet dhe përparim, duke lënë pas tetë vjetësh një provincë që kalërohet nga mafiet. Këtë tash do ta marrë përsipër BE-ja. Ndërsa kosovarët e rëndomtë, panë e mësuan. Ata në OKB paskan parime fine, por nuk i mbrojnë nëse u kushton. Ja sa të vlefshme na qenkan ato farë parimesh...

 
Pse dallojnë veprimet suedeze kaq bukur në këtë sfond? Inga-Brit Ahlenius, që shtiret sikur nuk është në Ballkan. Jo, do të kemi standard të njëjtë si në Stokholm, dhe pikë! Ushtaraku i repartit të blinduar Hokanson, që rrihet për serbët sikur të ishin nga katundi [suedez] Slite. Dhe ombudsmani, polak vërtet, por ah sa suedez në besnikërinë e vet pedante ndaj rregullave.  
Kampi suedez Camp Victoria, jashtë Prishtinës, është një Suedi në miniaturë. Me kishë, stërvitore, zyrë postare, petulla me reçel dhe sortim të mbeturinave. Përjashta shqiptarët i flakin plehrat në rrugë, por këtu brenda ka kompostim, riqarkullim dhe standarde evropiane për mbrojtje të ambientit. "Mjerisht", na thotë kolonel-lëjtnanti Hokanson (heroi i Çagllavicës), "në tërë Kosovën nuk ka ndonjë post të certifikuar për riqarkullim të gomave". E çka bëni, atëherë? "E po... i kthejmë në Suedi".  

Pamja e një kamioni, që kalon mijëra plehërishte të Kosovës për të arritur te stacioni i certifikuar për riqarkullim 2 000 km larg është, aq bizare sa të ndjellë ironi. Por do të abstenoj. Shkaku i Ahleniusit, Hokansonit, e Mikelit nga Gotlandi, ai që në fillim të këtij artikulli gatitej të vdiste në Çagllavicë. Ai është në Kosovë përsëri, në krye të një ekipi kërkues që gjurmon armë e eksplozive. Ndodh që ekipi i tij duhet të bëjë "hyrje të forta". Kjo d. t. th. që ata i mëshojnë një shtëpie në mesnatë, duke u vërsulur nëpër dyert e mbyllura e nëpër dritare. Por nëse dalin gabim, kalojnë në "ç’shkallëzim": "Kërkojmë falje, i varim armët, mbathim çorapëza mbi çizme, e fotografojmë gjithçka që kemi thyer, ashtu që të zotët e shtëpisë të mund të kërkojnë kompensim në Camp Victoria".

 
"Çorapëza mbi çizme? Mos u tall".

 
"Nuk tallem. Që të mos u ndotim qilimat. Ja si këto këtu". I nxjerr mbrapsht xhepat e xhokës ushtarake. Jashtë derdhen llamba, busulla, diçka vdekjeprurëse, e, në fund, çorapëza të kaltra nga ato që i mbathin në spitale.  

Rreshteri Mikel thotë se ndodh që ata të cilëve u ka thyer dyert më vonë e gostitin me kafe. Për shkak të çorapëzave?

 
"Po. Sepse është shenj respekti".

 
"Përdor forcë vrastare" në njërën anë, çorapëza spitali në anën tjetër. Respekt... Them se OKB-ja ka se ç'të mësojë prej këtyre ushtarëve nga Gotlandi. Fol ç'të duash për popujt e çuditshëm të Ballkanit, por ata e kanë një karakter simpatik mesjetar: Përbuzin mbrojtës që s'e marrin veten seriozisht. Si p.sh. UNMIK-un. Por respektojnë kundërshtarë që i mëshojnë vetes pas. Si ky Mikeli, për shembull. (FUND) 

(Maciej Zaremba është kontribuues i rregullt në “Dagens Nyheter”. Ai është shpallur dy herë Gazetar i Vitit nga Shoqata e Gazetarëve të Suedisë. Përktheu nga suedishtja: Shqiptar OSEKU)

technorati tags:, , , , , , ,

Blogged with Flock

Monday, March 19, 2007

Sërish vjen Martti

eur@lbanian

Sërish vjen Martti

Seb Bytyçi

Në shkollën fillore detyroheshim të shkruanim hartime pa shije për pranverën, për marsin. Shkruanim për lule e bilbila. Pastaj erdhi marsi i vitit 1998 dhe përmbajtja e eseve filloriste për marsin ndryshoi. Marsi i vitit 2004, do të duhej të na detyronte që t’i vlerësojmë më me kujdes ato që shkruajmë. Nuk jam i sigurt se ka ndodhur kjo.

Me shumicë e pakicë

Muaji mars jo rastësisht e merr emrin nga perëndia romake e luftës, Mars. Në pjesën tonë të Europës, ku dimrat janë të ftohtë e verërat të nxehta, tranzicioni nga dimër në verë është mjaft traumatik. Gjakrat nxehen dhe kur kjo bashkohet me elemente tjera, mund të fitojmë një solucion mjaft të rrezikshëm. Këtë e pamë më 2004. Në fakt pakoja e Ahtisaarit nuk është asgjë më shumë se një kavanoz i madh me ujë të ftohtë akull për gjaknxehtësinë që treguam më 2004.

Kemi dëgjuar shumë ankesa për propozimin e Ahtisaarit për Kosovën. Një fakt që është përmendur shpesh është se në dokument fjala ‘serb’ përmendet shumë më shumë herë se fjala ‘shqiptar’. Qysh prej fillimit të negociatave, është ditur se ato në fakt ishin negociata për pakicën serbe e jo për statusin e Kosovës. Statusi i Kosovës dihej se do të ishte një lloj pavarësie. Nuk ka asgjë befasuese në faktin se dokumenti i Ahtisaarit përmend më shumë serbët se shqiptarët. Dokumenti i Ahtisaarit, është një listë e gjërave që fitojnë serbët në një Kosovë të pavarur. Shqiptarët e fitojnë Kosovën e pavarur.

Edhe pse e përsërisim gjithmonë se jemi shumicë në Kosovë, ne nuk e kuptojmë se jemi shumicë në Kosovë. Ne ende sillemi si një pakicë që ankohet gjithmonë. Shumica duhet të merr përgjegjësi për pakicën. Dhe ne jemi shumica.

Mos e dëmtoni çështjen

Një pjesë shumë e madhe e energjisë në Kosovë pas luftës, është shpenzuar në çështjen e statusit final, apo kërkesës së shqiptarëve për pavarësi. Dhe nuk jemi marrë me gjëra tjera me arsyetimin se janë të parëndësishme dhe se do të merremi me to ‘pas pavarësisë’. Edhe kur ligji merret me këto çështje (krimi i organizuar, pastrimi i parave, korrupsioni etj), sikur gjatë kësaj jave, ka njerëz që thonë se kjo nuk duhet të ndodhë se ‘nuk është koha tash’ dhe ‘dëmtohet çështja’. Në fakt duke mos e pastruar oborrin tonë ne kemi dëmtuar çështjen. Dëshira jonë e madhe për të mos e dëmtuar çështjen na solli një Përfaqësues Civil Ndërkombëtar me shumë pushtet në pakon e Ahtisaarit. Kemi dështuar që të fitojmë besimin e bashkësisë ndërkombëtare se mund të organizojmë shtet ligjor.

Mbi të gjitha këto ekziston rreziku se nuk po marrim mësim nga gabimet tona. Nëse nuk e kuptojmë përgjegjësinë tonë ndaj pakicave dhe nëse nuk krijojmë një shtet ligjor, sërish do të na vij Martti pas ca viteve. Pakoja e ndonjë Martti të ardhshëm të mundshëm, njëmend do të na dilte katërqysheli.

Washington, DC, SHBA