Pas vdekjes së Kryetarit Ibrahim Rugova shumë media të huaja dhe burrështetas te ndryshëm e cilësonin atë si njeri që ka promovuar demokracinë. Ironikisht, është pikërisht largimi nga skena i liderit të forcës më të madhe politike në Kosovë që hap rrugen për demokratizim të mëtejmë të Kosovës. Pas luftës, partia e udhëhequr nga Kryetari i ndjerë (LDK) shpeshëherë është akuzuar për mungesë së demokracisë së brendshme. Praktikat autoritare janë vënë re shpesh, sidomos tek nominimi i personave në poste politike. Kurse, mungesa e kuvendeve zgjedhore brenda LDK-së është përdorur nga konkurrentët e saj për të treguar mungesën e demokracisë.
Edhe pas dorëheqjes formale nga pozita e kryetarit të LDK-së, Kryetari Rugova kishte ruajtur autoritetin e tij në parti. Ndërsa, edhe praktikat në Presidencë nuk kanë mbetur pa u kritikuar. Daljet e rralla të Kryetarit të ndjerë në publik janë parë nga shumë vëzhgues dhe qytetarë si tipare të një lideri jodemokratik. Ndërkohë, LDK kishte shfrytëzuar trashëgëminë e kohës së paskomunizmit, kur kjo parti ishte identifikuar nga qytetarët me ardhjen e pluralizmit dhe me demokracinë. LDK dhe Kryetari Rugova kishin ndërtuar një kapital politik mbi këtë trashëgimi, duke pozicionuar veten si promovues kryesorë të demokracisë në sytë e kosovarëve dhe ndërkombëtarëve. Është ironike që pikërisht vdekja e Kryetarit Rugova përbën një shtysë të re për demokracinë. Kurse, LDK tash është para testit më të madh në historinë e ekzistencës së saj.
Kultura politike
Ikja e Rugovës ka kontribuar në disa mënyra në ndryshimin e kulturës politike në Kosovë. Si elitat si qytetarët kanë ndryshuar nga pjesëmarrja në ceremonitë pas vdekjes së Kryetarit. Për më tepër këto ndryshime janë substanciale dhe përgatisin terrenin për një qeverisjë më të mirë dhe pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve.
Elitat e përgjegjshme
Kosovarët po përballen me diçka që kurrë nuk janë përballur më parë në histori. Kjo është organizimi i ceremonive të mëdha shtetërore. Ceremonitë e tilla dëshmojnë për te pasurit e sensit të organizimit. Deri më tash institucionet kosovare kanë bërë një punë të shkëlqyeshme. Organizimi i ceremonive i përngjau një organizimi shtetëror dhe kjo është edhe një argument më shumë në pretendimet e kosovarëve për pavarësi. Ne fakt mediat nderkombëtare këtë e kanë parë si një përpjekje të kosovarëve për t’u dëshmuar se mund të udhëheqin një shtet. Mesazhin e kanë marrë të gjithë.
E tërë përvoja e përgatitjes dhe ekzekutimit të ceremonisë, në të njëjtën kohë, krijon një sensë përgjegjësie tek elitat politike. Kosovarët, si liderët si qytetarët, patën mundësi të shohin si është të jesh shtet. Shpresojmë se liderët këtë do t’a shohin si sfidë dhe do të kuptojnë se duhet punuar për të krijuar legjitimitet të institucioneve.
Qytetarët pjesëmarrës
Së pari, në mungesë të një lideri që mundohet të krijojë përkrahje duke u bazuar në kultin e liderit, qytetarët nuk do të votojnë më nga kjo bazë. Votuesit do të jenë më të kujdesshëm kur të vendosin se kujt do t’i japin përkrahjen e tyre. Ky është një hap i rëndësishëm në Kosovën pas-komuniste. Kemi parë në shembujt e shteteve tjera pas-komuniste se liderët të cilët në fillim identifikoheshin me ardhjen e demokracisë u shëndrruan në pengues të zhvillimit të saj.
Së dyti, LDK si partia me numrin më të madh të votave në Kosovë tash ka humbur burimin kryesor të votave të saj. Kjo do të duhej të ndërprente të ashtuquajturin votimin me inercion. Një numër më i madh i qytetarëve nuk do të votojnë më për LDK-në vetëm sepse kanë votuar më herët për të (për hirë të liderit ose jo). LDK do të duhet të jetë më konkurrente nëse dëshiron të ruajë (apo rrisë) numrin e votave. Fusha e lojës tash është më e nivelizuar. Në të njëjtën kohë edhe partitë tjera nuk do të kenë më arsye për të arsyetuar mossuksesin e tyre me ekzistimin e votimit inercial. Kjo përfundimisht do të çojë drejt një arene me konkurrente politike.
Mënyra e fundit si është ndryshuar kultura politike është vetë ceremonia e varrimit të Kryetarit Rugova. Përderisa kosovarët shkonin për t’i bërë homazhe Kryetarit të tyre të ndjerë, ata po kalonin nëpër një tranzicion pa vetëdijen e tyre. Kalimi nëpër ndërtesën e parlamentit u dha një mundësi kosovarëve për herë të parë të “prekin” pushtetin e zgjedhur nga ta. Kjo së bashku me varrimin kanë ndikuar thellësisht në perceptimet e kosovarëve për pushtetin. Për herë të parë ata janë në gjendje të vërtetojnë se shteti që po krijohet është i tyri, e jo një shtet i huaj okupues. Kjo është thelbësore për ndryshimin e sjelljes së qytetarëve në raport me pushtetin.
Pra, ngjarjet e fundit kanë ndikuar që kultura politike në kosovë të ndryshojë për disa stade nga ajo e llojit subjektiv në atë pjesëmarrës. Edhe pse ende nuk mund të themi se kosovarët ka një kulturë politike pjesëmarrëse, më lartë pamë se janë krijuar kushtet për të shkuar me hapa të sigurt drejt saj. Përkrahja e madhe që u dhanë kosovarët institucioneve i ka fuqizuar ata përkrah tyre. Liderët do t’a kuptojnë se duhet të japin llogari para tyre, dhe qytetarët, në të njëjtën kohë, do të shohin se mund dhe duhet të kërkojnë llogari nga liderët.
Bashkësia ndërkombëtare
Aspekti më i përfolur i varrimit të Kryetarit Rugova, ka qenë ndikimi i tij në perceptimin e bashkësisë ndërkombëtarë për Kosovën. Kosovarët u dëshmuan në sy të ndërkombëtarëve se dëshirojnë dhe mund të organizojnë një shtet. Por ende ka punë për t’u bërë. Bashkësia ndërkombëtarë do të bindet (ose jo) se ne jemi të aftë të mbajmë shtet vetëm pasi të zgjedhet Kryetari i ri. Procesi i zgjedhjes së Kryetarit të ri do të ndikojë shumë në përshtypjet e të huajve për Kosovën. Natyrisht, barrën kryesore në këtë proces e ka LDK, por edhe partitë tjera janë shumë të rëndësishmë këtu. Bashkëpunimi i tyre do të jetë kyç për mbarëvajtjen e procesit.
Sebajdin Bytyqi
29 Janar 2006
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment