Wednesday, December 27, 2006

Çmimi i patriotizmit tonë!

IliriaPost » Çmimi i patriotizmit tonë!

Memoriali i heroit legjendar Adem Jashari as për një muaj nuk ka mundur t’i rezistojë dorës hajdute të bandave shqiptare. Vendosja e tij në qendër të Tiranës, ishte iniciuar nga vetë bashkia, për t’u bërë përurimi më 28 nëntor me mjaft bujë nga vetë kryebashkiaku Edi Rama, e në të cilin kishin marrë pjesë edhe zyrtarë të qeverisë së atjeshme, por edhe politikanë kosovarë. Tashmë nga memoriali janë zhvatur germat, që formonin mbiemrin dhe një germë tjetër në mbishkrim.

“Shkruhet në memorial se ‘Tirana i përulet (mungon germa /e/), komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’. Ky citat emfatik, klasik për nga lloji, i gjendshim në çdo lapidar a memorial, është zhveshur nga çdo lloj sentimenti patriotik prej zhdukjes së plotë të mbiemrit të heroit, germë për germë”, shkruan e përditshmja tiranase “Shqip”.

Nga Tirana nuk flitet për ndonjë pistë që mund të çonte në adresë të grabitësve të mbiemrit të Adem Jasharit. Deri tashti nuk ka ndonjë reagim për shkaqet, por fakti i përbërjes së tyre prej bronzi, të thotë se ka yshtur ndonjë shpirt delikuent për të bërë tregti me to. Duhet thënë se është shndërruar në fenomen zhvatja e germave apo pjesëve të tjera të monumenteve kulturore e historike në Shqipëri. Ky duket si përvijimi i një riti që tejkalon thjesht caqet e injorimit dhe nëpërkëmbjes së historisë së kombit.

Më datë 16 korrik “Iliria Post”, kishte raportuar nga Fushë-Kruja se germë për germë janë vjedhur shkronjat, të cilat gjendeshin në epitafin e varrit të luftëtares së shquar të çetave kryengritëse kosovare, Shote Galica. Jo vetëm kaq. I tërë varri ishte mbuluar nga bari, por edhe shkronjat që tregonin emrin dhe mbiemrin e heroinës qenë zëvendësuar me parulla partish politike.

Atëkohë, xha Nasufi, plaku, i cili që nga fëmijëria ishte rritur me njerëzit që vizitonin këtë monument të trashëgimisë historike, tregonte me nostalgji se në vitet e mëhershme varri mirëmbahej nga autoritetet, ndërsa që në fillim të viteve ‘90 nuk është vërejtur kurrfarë kujdesi.

Pra, si rezultat i moskujdesjes institucionale i gjithë monumenti është buzë shkatërrimit. Shkronjat e vëna në vitin 1994 kanë mundur të qëndrojnë vetëm dhjetë vjet, ndërsa dikujt ose i kanë penguar ato ose i kanë shërbyer për të bërë edhe ca lekë.

Fenomeni i injorimit dhe i nëpërkëmbjes së historisë së kombit, për pasojë ka përdhunimin e varreve të zbukuruara me materiale të rralla dhe me vlerë në treg. Kjo do ishte më e përligjur, nëse zhvatja e germave nuk do të kishte motivin e masakrimit të lapidareve dhe memorialëve të luftës.

“Gjithsesi, figura e Adem Jasharit nuk ka provokuar kurrë kontekste politike, as në Kosovë e as në Shqipëri, ndaj mbetet që ajo dorë, e cila ka hequr germat nga memoriali, të ketë pasur thjesht arsye pragmatike”, është ky komenti i gazetës “Shqip”.

Edi Shkuriu, eksperte e trashëgimisë kulturore, tha pwr “Iliria Post” se është e shokuar me këtë fenomen që është duke ngjarë andej kufirit, dhe se në asnjë mënyrë nuk mund të lejohet kjo veprimtari kriminale e “masakrimit” të varrezave, lapidareve e memorialëve të luftës.

“Akte të tilla, si tek ne po ashtu edhe në tërë botën, mund të quhen vetëm me një emër: vandalizëm”, tha Shukriu.

Ajo vlerëson se objekte të tilla duhet të jenë nën përkujdesjen e merituar shtetërore. “Natyrisht që ato që gjenden në Shqipëri duhet të jenë nën përkujdesjen e shtetit Shqiptar, por mendoj që edhe institucionet tona në raste të tilla duhet të bënin presion”, thotë Shukriu, derisa konstaton se në këtë fazë tranzicioni nëpër të cilën po kalon rajoni, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, mjerisht, më së shumti po pësojnë monumentet trashëgimtare, qoftë të trashëgimisë së hershme, por edhe të kohëve më të vona.

Për të ndryshuar për së mbari, Shukriu vlerëson se duhet të bëhet edhe presion nga opinioni publik, përkatësisht OJQ-të të cilat kanë të bëjnë me kulturën dhe trashëgiminë kulturore.

Shqipëria e pas ‘90-ës, ka përjetuar një valë përçudnimi bustesh, monumentesh e memorialësh, të jo vetëm atyre që i janë kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare, të përfshirë në vorbullën e dyshimeve për të vërtetën dhe në demitizim. Kjo “shembje idhujsh” në fakt, daton më herët. Kulmin dhe rastin e pashembullt, e përbën akti i shkatërrimit të sarajeve të Zogollëve në Burgajet të Matit, me gurët e të cilave, u shtruan trotuaret e Burrelit.

Ndërsa pas ‘90-ës, jo vetëm për motive politike, bustet dhe monumentet, pësuan ç’shenjtërim dhe nga një lloj hipizmi masiv, i shoqëruar nga mbishkrime emrash e sloganesh të natyrës rebele. Kështu, në gjoksin e ndonjë heroi lufte a rilindësi, ravijëzohej me të zezën e ndonjë cope thëngjilli: Sepultura, Metallica e Iron Maiden, e diku pas shpine: “Fuck You...”. Rasti më ekstrem kohët e fundit, ishte “prerja e kokës” së Veqilharxhit në Korçë (për arsye pronash!). | Besnik KRASNIQI





No comments: