Nuk është fer kjo që me sjelljet tona të çoroditura e
kemi çarmatosur Lordin nga argumentet për pavarësi.
Berat Buzhala
berat.buzhala@gazetaexpress.com
Në Kosovë klasa politike është e organizuar në formë
klanesh. Interesat e tyre gjithashtu i mbrojnë si klane.
Demokracia funksion shumë dobët. Partitë kryesore
politike i kanë brenda vetës shërbimet ilegale të inteligjencës,
të cilat i kanë trashëguar prej kohës së
luftës. Reketizmi dhe korrupsioni po lënë pasoja mbi
funksionimin e institucioneve. Ato kanë shtrirje endemike.
Besimi i shoqërisë kosovare karshi institucioneve
vendore dhe UNMIK-ut është në rënie. Mbi
40 për qind e tyre nuk i besojnë institucioneve.
Papunësia është rreth 70 për qind.
Gjithë ky mal me brenga dhe dyshime për funksionimin
e turpshëm të shoqërisë kosovare ka zënë vend
në rezolutën e Lord Russel – Johnston, e cila sot pritet
që të aprovohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit
të Evropës. Lordi Russel – Johnston edhe pse i ka
numëruar një nga një sëmundjet e rënda të shoqërisë
sonë është detyruar që në fund të propozojë që Kosova
të pajiset me pavarësi. Jo pse e meriton, por sepse
një variant tjetër, sipas tij, do të shpinte rajonin drejt
luftërave të reja. Thënë pak më ndryshe argumenti i
vetëm që na ka mbetur në dorë, si atu për pavarësinë,
është shantazhimi i botës demokratike se ne do ta
kallim rajonin nëse nuk e fitojmë atë çka dëshirojmë.
Russel – Johnston i jep të drejtë në tekst rezolutës
së tij shumë argumenteve të Kryeministrit në ikje të
Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Pajtohet që pavarësia e
Kosovës i hyn pak në hak Serbisë, por mundësia e
luftërave të reja ia kall datën këtij zyrtari të lartë britanik,
e me gjasë edhe shumë të tjerëve.
Këtu në Strasburg thonë se ekziston mundësia që
për shkak të tensioneve të mëdha që mund të ngritën
brenda Asamblesë të hiqet fare fjala pavarësi nga teksti
i rezolutës. Nëse edhe kjo ndodh, atëherë krejt çka
mbetet në rezolutën e aprovuar janë disa fakte shqetësuese
për mënyrën se si kosovarët po pretendojnë të
bëjnë shtet.
Por t’i kthehemi edhe njëherë fillimit të tekstit. Pse
kjo shoqëri po katandiset kaq keq? Pse për gati një
dekadë nuk ditëm dhe nuk po dimë t’i vëmë themelet
e një shteti të qëndrueshëm? Ose përse me veprimet
tona po ua mbyllim gojën të gjithë atyre shteteve që në
parim janë pro pavarësisë së Kosovës?
Për shembull tekstit të rezolutës së Lordit Russel –
Johnston për bukuri do t’i shkonin lëvdatat për funksionimin
e shoqërisë kosovare. Kjo rezolutë, dhe ajo
më e madhja që pritet të aprovohet nga Këshilli i Sigurimit
të Kombeve të Bashkuara, do të ishin shumëfish
më të fuqishme sikur skena jonë politike të mos
ishte, pra, e dominuar nga klanet, sikur të mos ishte e
motivuar nga reketizmi, nga korrupsioni dhe nga të
gjitha ato motive të ulëta.
Është një e vërtetë shumë e madhe, të cilën të gjithë
prej nesh duhet ta pranojmë, se në këto shtatë vite
ekonomia e Kosovës nuk do të mund të ecte përpara,
marrë parasysh shumë faktor. Pengesat për të pasur
qasje në kredi të buta të Bankës Botërore dhe Fondit
Monetar Ndërkombëtar kanë qenë pengesa esenciale
për një vend në zhvillim, si Kosova.
Mirëpo, kemi mundur së paku që gjatë gjithë kësaj
kohe t’i ndajmë pak më ndryshe përgjegjësitë më
vëllezërit tanë, kushërinjtë tanë të papunë, ish shokët
e ushtrisë, ish komandantët e ushtrisë dhe me të gjitha
ata që për një kohë na ka lidhur një aktivitet ose një qëllim
i përbashkët, e që jo domosdoshmërisht do të duhej
të na lidhte e ardhmja. Ta zëmë një vëlla ka mundur të
inkuadrohet në politikë, e një tjetër të merret me ndonjë
biznes, apo nëse i mungojnë shkathtësisë për të qenë
pjesë e jetës publike ka mundur të merret edhe me
punimin e tokës. Një ish komandant ndoshta ka pasur
afinitet për politikë, e një tjetër të vazhdojë të jetë i
inkuadruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Nëse as
aty nuk i ka ecur ka mundur të vazhdonte jetën që e ka
bërë para se në Kosovë të shpërthente lufta, qoftë si
bujk, referent, mësues, inxhinier, ndërtues e ku ta di
unë se çka tjetër. Puna në toka, të cilat edhe ashtu kanë
mbetur djerrina, nuk do të duhej të shihej si një gjë
turpëruese. Ndarja e përgjegjësive në mes vëllezërve,
ish ushtarëve dhe ish komandantëve të luftës do të
ishte një gjë e mirë për Kosovën. Do ta eliminonte
pasqyrën e funksionimit klanor dhe fisnor, që aq shumë
e urren demokracia dhe e cila më së shumti e vret
demokracinë.
Për këto shtatë vite kemi mundur që së paku organizimin
politik ta shohim ndaras prej organizimit
ushtarak, rajonal, religjioz, e nëse do të kishte mundësi
edhe ndaras prej paragjykimeve etnike. Më të drejta
të barabarta për të qenë pjesë e institucioneve publike
do të duhej të ishin edhe ata qytetarë të Kosovës
që diku në një vend perëndimor kanë kryer ndonjë
shkollë dhe kanë marrë ndonjë zanat që do t’i hynte
në punë vendit tonë. Të drejta të barabarta për të qenë
pjesë e institucioneve do të duhej të kishin gjithashtu
të gjitha ata që mund të mendojnë ndryshe prej udhëheqësve
të partive politike apo të institucioneve. Pra
është dashur të shpërthehet rrjeti i njerëzve që vijnë
nga rrethet familjare, si djali i dajës, djali i tezës apo ai
i hallës, apo ata që vijnë nga i njëjti batalion, apo e njëjta
brigadë. Ma do mendja se nëse do ta vinim në përdorim
një logjikë, pak më të shëndoshë, mbi ndërtimin
e shtetit do t’i lehtësonim shumë punë edhe vetit, por
edhe miqve tanë. Së paku në rezolutën, që nesër do t’i
dorëzohet mbi 400 deputetëve të Këshillit të Evropës,
nuk do të figuronte një paragraf i tërë që flet për defektet
serioze të shoqërisë sonë. Në këtë mënyrë Lord
Russel – Johnston do të mund të ballafaqohej shumë
më i sigurt me të gjithë ata që e kundërshtojnë pavarësinë.
Nuk është fer që me sjelljet tona të çoroditura kemi
çarmatosur Lordin prej argumenteve për pavarësi.
No comments:
Post a Comment