Friday, February 23, 2007

Drafti i Ahtisaarit dhe mjegullësia e krijuar në opinion

Marrë nga Express - Shkurt e shqip

Kosova nuk mund të qëndrojë në këtë status quo për

një kohë të gjatë, sikundër që nuk mund të kthehet më
nën Serbi. Por është pikërisht kjo finesë e vogël, “periudhe
kohe”, të cilën klasa politike e neglizhoi në mënyrë
absurde duke mos bërë asnjë hap për ta përgatitur opinionin
lidhur me zhvillimin dhe kthesat që do të mund
të merrte ky proces. Qytetari i thjeshtë që nuk ia ka idenë
politikës, nuk e di se sa te gjata, të mërzitshme dhe konsumuese
janë burokracirat ndërkombëtare.
Është pikërisht ky shpjegim dhe ky qartësim që Grupi
Negociator dhe elita politike në përgjithësi kanë dështuar
ta bëjnë. Ky dështim nxjerr në pah premisa pakrahasimisht
të rrezikshme dhe lë hapësirë që grupe dhe
individë të pakënaqur të mobilizohen me një qasje negative
ndaj procesit dhe të reagojnë dhunshëm. I njohëm
efektet e dhunës në mars të vitit 2004. Shkaku i
asaj revolte dhe djegies së kishave dhe monumenteve
serbe, sot në draftin për Kosovën e kemi të radhitur
pikën e “Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore”.
Më 10 shkurt në Prishtine vriten dy persona dhe plagosen
shumë të tjerë, në protestën e 3000 protestuesve të organizuar
nga Vetëvendosja. Liderët politikë bënë ca
deklarate formale që tentojnë të senzibilizojnë opinionin
për rreziqet e dhunës.
Ky reagim do të ishte kuptimplotë vetëm nëse historinë
e Kosovës e shohim pas vitit 1999 e këtej dhe pjesën
tjetër e fusim në një vakum. Meqë kjo e fundit nuk është
e mundur, atëherë shihet se këta njerëz e neglizhojnë
rëndësinë dhe pozitivitetin e drafitit në përgjithësi, duke
u kapur për mungesën e fjalës pavarësi apo decentralizimin.
Së pari, një vend që kontrollon sovranitetin territorial
të tij, një vend që ka të drejtën të lidh dhe të negociojë
marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë edhe të
drejtën për të kërkuar anëtarësim në organizatat
ndërkombëtare, një vend që do të ketë flamur, himn
kombëtar dhe forcë ushtarake, quhet shtet i pavarur.
Në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare thuhet se
SHBA- të shkelën ligjin ndërkombëtar kur intervenuan
në Kosovë, pasi që ajo nuk mori aprovimin në Këshillin
e Sigurimit. Duke e parë problemin nga ana njerëzore
dhe duke lënë anash analiza burokratike, drejtësia dhe
fati ishin në anën tonë kur gjetëm përkrahjen te SHBAte
dhe NATO, akterë fundamental në politiken globale.
Kështu pra “Spillover” – i amerikan për Kosovën nis me
bombardimet dhe arrin te drafti i Ahtisarit, i cili me të
drejtë publikon ndarjen e Kosovës nga Serbia. Edhe një
pavarësi e mbikëqyrur është opsioni më i mirë i mundshëm
që i është dhënë Kosovës. Absolutisht, drafti i
diplomatit është në favor të shumicës shqiptare. Në
momentin që dal nga identiteti im kombëtar, unë e pranoj
që Kosova, me të drejtë, ka dalë e fituar nga ky plan.
Së dyti, duke qenë se arkitektë të këtij plani dhe ideatorë
të formimit të shtetit është arena ndërkombëtare, nuk
është e çuditshme që në këtë plan të hasen standarde
perëndimore. Decentralizimi është njeri prej tyre. Shpjegimi
që Vetëvendosja jep, “decentralizimi – ndarje,
ndarja – lufte” siç duket do të ketë tingëlluar me kuptimplotë
te veshi i qytetarit ne krahasim me ndonjë fjalim
të tepruar burokratik nga ana e qeveritareve. Decentralizimi
nuk çon në luftë.
Shtetet skandinave janë shembull ku komunat qeverisen
në mënyrë autoqefale. Një numër i konsiderueshëm
i komunave në Maqedoni janë të decentralizuara
dhe qeverisen mevetshëm nga shumica
shqiptare. Kjo nuk ka paraqitur asnjë problem për qeverinë
qendrore në Shkup, ashtu siç nuk do të shkaktojë
lëvizje tektonike në Prishtine.
Së fundi, propozimi i Ahtisarit është përkrahur nga ministrat
e Bashkimit Evropian. Ky hap është një progres
me vete, marrë parasysh se Evropa historikisht nuk ka
qenë aleatja jonë besnike. Bile- bile, muajin që shkoi
ndër shtetet që i thane JO pavarësisë së Kosovës në
Këshillin e Evropës ishin edhe Britania e Madhe, Gjermania,
Franca e Zvicra.
Prandaj nuk shoh arsye për të protestuar kundër këtij
procesi, e aq me tepër dhunshëm, ashtu siç nuk shoh
arsye për të mos qenë më shume se e indinjuar me këtë

klasë politike apo me këtë grup negociator.


Vjosa Musliu

technorati tags:, , , ,

Blogged with Flock

1 comment:

Anonymous said...

hallall bre, ni qike qaq e bukur me dit me shkrujt qekaq mire.