Sunday, June 05, 2005

Opinioni i qytetarëve evropianë dhe ëndrrat e Turqisë për futje në BE

Nëse do të ketë referendum tjetër në Francë, siç ka paralajmëruar Shirak, për zgjerimin e mëtejmë, oguret nuk janë të mira për Turqinë. Vetëm 39% e qytetarëve aty janë në favor të zgjerimit të mëtejmë në anketën e Eurobarometrit

Disa minuta pasi dolën rezultatet e votimit francez politikanë të lartë në Turqi me shpejtësi vraponin drejt mikrofonëve për të thënë se asgjë nuk ka ndryshuar. “Ky referendum nuk ka lidhje direkte me Turqinë”, u tha gazetarëve Ministri i Jashtëm Abdullah Gyl. “Nuk ka pengesë për neve për të filluar bisedimet (me BE-në)”. Mesazhi i Z. Gyl ishte përsëritur nga Ali Babaxhan, ministri i ekonomisë që javën e kaluar ishte emëruar negociatori kryesor i Turqisë me BE-në. Referendumi, tha ai, ishte “një rezultat që pritej”. Dhe Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan, që ka dhënë aq shumë kohë për kauzën evropiane të Turqisë, dukej i qetë kur foli para partisë së tij në parlament një ditë pas rezultatit të votimit francez. Ai tha “ky rezultat nuk ka të bëjë asgjë me kandidimin e Turqisë”. “Ne jemi të përcaktuar, ne do të fillojmë negociatat, nuk ka dyshim aty”.

Në një kuptim, natyrisht, të tretë kanë të drejtë. Votimi francez ka qenë për kushtetutën e BE-së e jo anëtarësinë e Turqisë, gjë që edhe analistët më miqësor ndaj Turqisë thonë se është një dekadë të mirë larg. Në të vërtetë, ka pas një përpjekje të veçantë nga qeveria franceze për t’i ndarë të dy çështjet të kushtetutës dhe anëtarësisë së Turqisë. Para se të bashkëngjitet Turqia në BE populli francez do të kenë një referendum të veçantë për të ratifikuar zgjerimin e mëtejmë. Pra ashtu si politikanët turq formuan një rresht në mënyrë që të mund të denoncojnë idenë e lidhjes së votës franceze me anëtarësinë turke, kështu bënë edhe zyrtarët e BE-së dhe disa qeveri të BE-së. Por çfarëdo që të jetë linja zyrtare në Turqi, reagimi i analistëve është shumë më pesimist dhe disa do të thoshin realist.

Shtypi turk shprehet me pesimizëm

Gazeta më e shitur Hurrijet shkroi se zyrtarët turq po e “mashtrojnë veten” me deklaratat e tyre se Turqia nuk ndikohej. Gazeta Millijet shkroi se vota “jo” ishte shprehje e rezistencës ndaj zgjerimit të mëtejmë. Më shqetësuese se sa ndikimi direkt i votës në Turqi ishte mënyra se si ajo flet për orientimin e ardhshëm të politikës evropiane. Presidenti Zhak Shirak nganjëherë dukej si politikani i vetëm i lartë në Francë që haptazi përkrahte shpresat e Ankarës për anëtarësi. Tash autoriteti i tij është i dobësuar dhe liderët armiqësor ndaj Turqisë duket se janë në ngritje. Vota franceze erdhi në momentin më të vështirë të humbjes së Social Demokratëve gjermanë në Nordrajn-Vestfali, dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani. Pra dy nga akterët më të mëdhenj tash duket se po ikin nga kampi pro-Turqi.

“Ngadalë partitë që i thonë ‘jo’ Turqisë do të vijnë në pushtet në Evropë”, shkruan Hyrrijet. “Zgjedhjet në Gjermani dhe referendumi në Francë janë shenjat e para. Evropianët nuk na duan neve dhe atë po e bëjnë më të qartë me zgjedhjen e tyre tash”. Dy emra përsëriten në analizat turke – ai i Nikolas Sarkozit, një favorit për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2007, dhe Angela Merkel, liderja e CDU-së në Gjermani, që pritet të fitojë zgjedhjet gjermane. Të dytë kanë bërë të qartë kundërshtimin e tyre për anëtarësinë turke. Një bosht Merkel-Sarkozi do të mund të shkaktonte probleme të vërteta për Turqinë, siç mendohet. Një shtyrje e datës së tetorit për fillimin e negociatave me BE-në mendohet si e pamundshme; por negociata më të vështira duken të mundshme. Kushtetuta e BE-së pa dyshim ka qenë viktima kryesore e votës franceze. Por Turqia duket se është lënduar shumë.

“Edhe nëse nuk ka probleme të mëdha në afat të shkurtër, problemet do të dalin në afatin e mesëm dhe të gjatë. Problemi më i rëndësishëm është se kaosi në Evropë do të ngadalësonte bisedimet e anëtarësisë me Turqinë. Evropa do të kthehet kah vetja në një mënyrë të tillë që askush nuk do ta sheh Turqinë”, shkruan gazeta Posta. Gazeta Radikal thekson faktin se “në fushatat politike djathtistët francez dhe gjermanë fatkeqësisht kanë përdorur Turqinë si mjet për të sulmuar kundërshtarët e tyre dhe ende bëjnë ashtu”. Terxhuman shkruan: “përpjekja për të ndryshuar opinionin publik evropian rreth Turqisë është bërë kërkesë absolute”.

A duan zgjerim tjetër evropianët?

Sipas hulumtimeve të Eurobarometrit përkrahja për zgjerimin e mëtejmë të BE-së është e vogël në anëtarët e vjetër të BE-së. Në Austri, që ka kufij të përbashkët me katër shtete të reja anëtarë 62 për qind e qytetarëve janë kundër zgjerimit të mëtejmë. Kështu mendojnë 57% e gjermanëve, 54% e qytetarëve në Luksemburg, 52% e finlandezëve dhe 51% e francezëve. Pra nëse do të ketë referendum tjetër në Francë, siç ka paralajmëruar Shirak, për zgjerimin e mëtejmë, oguret nuk janë të mira për Turqinë. Vetëm 39% e qytetarëve aty janë shprehur në favor të zgjerimit të mëtejmë, në anketën e publikuar në dhjetor 2004.

Turqia me 73.3 milionë banorë dhe me 779.452 km katrorë do të ishte njëri nga shtetet më të mëdha të Bashkimit Evropian po të pranohej. Ajo ka një GNI per capita (Bruto të ardhura kombëtare për kokë banori) prej 2,790 dollarë. Inflacioni sillet diku rreth 45% dhe papunësia rreth 10.4%. GDP (Bruto produkti kombëtar) për kokë banori është vetëm 23 për qind e mesatares së BE-së. Kjo e bën atë një shtet jo fort të dëshirueshëm për BE-në. Gjasat e Turqisë për anëtarësim zvogëlohen kur kihet para sysh fakti që gati krejt popullsia e saj janë myslimanë.

Sebajdin Bytyqi
(Për këtë artikull janë përdorur burime nga BBC dhe Eurobarometer)

No comments: