Sunday, June 05, 2005

Standardet për Kosovën

Punim i dorëzuar për plotësimin e kërkesave për kursin
Teoria dhe Praktika e Administrimit Ndërkombëtar
Universiteti i Prishtinës 2004
18 Shkurt 2004

HYRJE
Qëllimi i këtij punimi është të vlerësimi i politikës Standardet për Kosovën. Ky punim argumenton se dokumenti Standardet për Kosovën i nënshkruar më 10 Dhjetor 2003, nga përfaqësuesit e administratës ndërkombëtare në Kosovë dhe ata vendorë, paraqet një strategji dalëse nga status quo-ja që mbretëron në Kosovë. Për të mbështetur këtë pohim janë përdorur materiale të ndryshme duke përfshirë librin e autorit Blerim Reka, ‘UNMIK as an international administration in Kosova: NATO’s Intervention, UN Administration and Kosovar Aspirations’. Materialet tjera përfshijnë deklarata për shtyp të UNMIK-ut, OKB-së si dhe artikuj të ndryshëm gazetash.

Punimi është i ndarë në dy katër pjesë kryesore, Hyrja, Standardet, Çka pastaj?, dhe Përfundimi. Pjesa për standardet është e ndarë në katër pjesë, Historiku, Pikat e referimit (benchmarks), Standardet para Statusit, Standardet për Kosovën. Pra aty ofrohet një përshkrim i evolucionit të koncepteve të standardeve dhe relacionit të tyre me çështjen e statusit.

STANDARDET

Historik
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përcakton mandatin e administrimit ndërkombëtar në Kosovë. Sipas saj përgjegjës për administrimin e Kosovës është Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Një ndër detyrat e këtij misioni është që t’a pregatisë Kosovën për të hyrë në fazën e zgjidhjes së statusit të saj final.

Kjo rezolutë, ndërkohë nuk e përcakton se cili do të jetë statusi final i Kosovës. Kjo len mundësi për të gjitha opcionet e mundshme që sillen prej pavarësisë së plotë deri te autonomia substanciale nën Republikën e Serbisë. Autori Reka e ka krahasuar këtë situatë me situatën e Timorit Lindor ku misioni i OKB-së atje kishte si detyrë pavarësimin e vendit[1]. Rezoluta 1244 është kritikuar për faktin se nuk ka caktuar një strategji dalëse për UNMIK-un.

Deri më tash aktivitetet e UNMIK-ut përveç administrimit të përgjithshëm kanë përfshirë organizimin e zgjedhjeve lokale dhe qendrore si dhe përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri civile në vend. Poashtu është filluar me transferimin e kompetencave te autoritetet lokale, proces ky që ka shkuar shumë ngadal. Mirëpo, është nuk është bërë asgjë sa i përket statusit final të Kosovës.

Pikat e referimit (benchmarks)
Për shkak se Rezoluta 1244 (1999) nuk ofron një strategji dalëse sa i përket statusit të Kosovës, qysh në vitin 2002 janë vërejtur përpjekje për krijimin e një strategjie të tillë nga ana e OKB-së. Siq kuptohet nga fjalimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, para Këshillit të Sigurimit të datës 24 Prill 2002, ai kishte kërkuar nga Përfaqësuesi Special (PSSP) i tij, në atë kohë Michael Steiner, të zhvillojë pika referimi për të matur progesin në fushat si sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike, ekonomia, liria e lëvizjes, kthimi i të zhvendosurëve dhe refugjatëve dhe kontributet në stabilitetin rajonal[2]. Nga ky fjalim vërehet se është fjala për krijimin e një plani politik për UNMIK-un dhe Institucionet e Përkohëshme të Vetëqeverisjës (IPVQ).

Poashtu, PSSP Steiner në fjalimin e 24 Prillit 2002, thekson qartë se UNMIK-u ka një vizion se si të kryhet puna. Ai i drejtohet Këshillit të Sigurimit me fjalët: “Ju ofroj këtë si një strategji dalëse, që në realitet është një strategji hyrëse në procesin e integrimit Europian”[3]. Sipas Steiner-it pikat e referimit janë: sundimi i ligjit, liria e lëvizjes, respekti për të drejtën e të gjithëve për të qëndruar dhe për t’u kthyer, ekonomia e tregut, qartësia e pronës, dialogu me Beogradin, reduktimi dhe transformimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës brenda mandatit të tyre. Pra është fjala për përpjekje të qarta për gjetjen e një strategjie dalëse.

Në të njëjtën kohë Këshilli i Sigurimit[4] në mbledhjen e tij të 4519-të përkrah kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm për zhvillimin e këtyre pikave të referimit për matjen e progresit institucional në Kosovëjen e tij. Kjo përkrahje është e shprehut qartë në deklaratën për shtyp të datës së lartëpërmendur.

“Standardet para statusit”
Pas përcaktimit të këtyre pikave të referimit, PSSP Steiner kishte dalur me politikën Standardet para Statusit. Ai edhe njëherë liston fushat që janë përmendur më lartë, por kësaj radhe me një qasje të re. Sipas kësaj qasjeje së pari duhej të përmbushen standardet pastaj të fillohet të flitet për statusin.

Nga Kosovarët, kjo politikë shihej si shtyrje e fillimit të marrjes me statusin final. Qasja “Standardet para Statusit” është parë e tillë edhe nga vëzhguesit e jashtëm. Në artikullin e datës 18 Tetor 2003 te revistës The Economist, thuhet se „kjo politikë është mjaft e logjikshme por duke pasur parasysh nivelin shumë të ulët ët standardeve në institucionet kosovare, kjo del se është recetë për vonim“[5].

Këtu vlen të theksohet se kjo politikë ishte përkrahur fuqimisht edhe nga Bashkimi Evropian. Javier Solana-s, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, në Tetor të vitit 2003 deklaron se çështja e statusit nuk duhet të na largoj vëmendjen nga realizimi i standardeve[6]. Këtu vlen të theksohet retorika e përdorur lidhje me atë se Kosova nuk do të kthehet në të kaluarën kurrë, pa marrë parasysh statusin final. Kjo retorikë në një farë mënyre arsyeton frustrimin e hershëm të politikanëve kosovarë lidhje me politikën „Standardet para Statusit“.

“Standardet për Kosovën”
The Economist, në artikullin e lartëpërmendur kishte vërejtur se PSSP i ri, Harri Holkeri kishte filluar të tërhiqet nga politika “Standardet para Statusit”. Poashtu, kishte ardh në përfundim se Holkeri duhet të shpikë diçka të re. Këtu vlen të përmendet edhe bërja publike e qëndrimit të Grupit të Kontaktit sipas të cilit në rast të përmbushjes së disa standardeve do të fillohet të diskutohet çështja e statusit final të Kosovës në mes të vitit 2005[7]. Kjo më vonë do të merrë formën e qëndrimit zyrtar të BE-së.

Holkeri, si duket, kishte vërejtur nevojën për të shpikur diçka të re. Ajo ishte dokumenti “Standardet për Kosovën” i nënshkruar më 10 Dhjetor 2003. Ky ishte një lëvizje nga politika „Standardet para Statusit“. Kjo vërehet edhe nga përkrahja që kishte ky dokument, që në nënshkrimin e tij, nga politikanët vendorë[8]. Për herë të parë këtu përmendet edhe Grupi i Kontaktit. Siq vërehet nga deklarata e presidentit të Këshillit të Sigurimit e bërë pas nënshkrimit të këtij dokumenti, PSSP do të konsultojë Grupin e Kontaktit sa i përket mekanizmit të rishikimit. Poashtu theksohen edhe qëllimet e Grupit të Kontakti për të marrë pjesë aktivisht në këtë proces[9].

Siq është e deklaruar qartë edhe në dokumentin Standardet për Kosovën, standardet janë për “Një Kosovë ku të gjithë – pa marrë para sysh etnicitetin, racën apo fenë – janë të lirë të jetojnë, punojnë dhe udhëtojnë pa frikë, armiqësi apo rrezik dhe ku ka tolerancë, drejtësi dhe paqe për secilin”. Standardet që janë listuar në këtë dokument janë: Funksionimi i institucioneve demokratike ku përfshihen zgjedhjet, IPQV dhe mediat dhe shoqëria civile; Sundimi i ligjit ku përmenden qasja e barabartë në drejtësi, askush nuk është mbi ligjin dhe krimi ekonomik dhe financiar; Liria e lëvizjes ku përfshihet edhe përdorimi i lirë i gjuhës; Kthimi i qëndrueshëm dhe të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre ku hyjnë edhe kthimet; Ekonomia; Të drejtat pronësore ku hyn edhe ruajtja e trashëgëmisë kulturore; Dialogu që nënkupton edhe dialogun rajonal; dhe në fund Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Është me rëndësi të veçantë këtu dalja në skenë e Grupit të Kontaktit. Kjo është e ngjashme me situatën në vitet 1998-1999 në Kosovë kur me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje me lehtë u formua Grupi i Kontaktit. Ky mekanizëm në një mënyrë ishte ikje, apo anashkalim, nga OKB-ja dhe mënyra e saj e vendimmarrjes. Ky mekanizëm është në fakt ai që qoi drejt veprimeve konkrete drejt zgjidhjes së krizës në Kosovë. Pra, kjo tregon gatishmërinë e OKB-së për të kërkuar ‚ndihmë’ për të dalur nga status quo që do të thotë krijim i një strategjie dalëse.

Poashtu, një fakt me rëndësi është se dokumenti Standardet për Kosovën është nënshkruar pa pjesën hyrëse. Kjo për shkak se politikanët vendorë kanë kërkuar që të mos të ketë referim te Rezoluta 1244. Ky fakt tregon se UNMIK-u pranon se kjo rezolutë duhet të ndryshohet apo ekziston nevoja për një dokument të ri që nxjerr nga fuqia Rezolutën 1244. Të gjitha këto tregojnë për gatishmërinë dhe veprimet e UNMIK-ut dhe OKB-së për të krijuar një strategji dalëse.

ÇKA PASTAJ?
Parashihet që vlerësimi i parë për arritjen e standardeve të bëhet në vitin 2005[10]. Sipas deklaratave të përfaqësuesëve të OKB-së dhe Grupit të Kontaktit pas këtij vlerësimi do të fillohet procesi i zgjidhjes së statusit final të Kosovës. Kjo e bënë të qartë se është fjala për një strategji dalëse nga status quo-ja.

Por, Standardet për Kosovën nuk janë strategji dalëse vetëm deri në 2005. Ata janë thjeshtë strategji dalëse. Nuk mund të ketë një strategji dalëse vetëm deri një përiudhë të caktuar. Ose ekziston një strategji e tillë, ose nuk ekziston.

Nga deklaratat dhe nga disponimi i ndërkombëtarëve në Kosovë shihet se dokumenti Standardet për Kosovën ka të bëjë më shumë me daljen nga status quo se sa me vetë standardet. Te ky konkludim mund të vihet duke pas para sysh faktin se disa nga standardet siq është ai i ekonomisë është e pamundur të arrihen në një periudhë kaq të shkurtër kohore.

Për më tepër, fakti se është përmendur viti 2005 nuk do të thotë se Standardet për Kosovën është një strategji dalëse vetëm deri në vitin 2005. Nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtarë është thënë qartë se vlerësimi për standardet do të jetë në vitin 2005. Dhe nëse vlerësohet se është arritur progres atëherë do të fillohet të flitet për statusin e Kosovës. Pra, viti 2005 nuk duhet të mirret si një datë kur do të merr fund strategjia Standardet për Kosovën. Ajo mund të zgjasë edhe më shumë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk do të fillohen bisedimet për statusin. Standardet për Kosovën është një nxitje për të arritur deri te ato bisedime, që nuk nënkupton se kjo strategji do të përfundojë me fillimin e bisedimeve.

PËRFUNDIM
Duke u bazuar në atë që u tha më lartë mund të vijmë në pçërfundim se dokumenti Standardet për Kosovën i nënshkruar më 10 Dhjetor 2003, nga PSSP Holkeri dhe Kryeministri i IPQV, Rexhepi, paraqet një strategji dalëse nga status quo-ja që mbretëron në Kosovë. Siq vërejtëm më lartë me rëndësi të veçantë në këtë proces është dalja në skenë e Grupit të Kontaktit. Një forcë shtytëse shumë e madhe në proceset në Kosovë në vitet 1998-1999.

Poashtu, erdhëm në konkludim se UNMIK-u dhe OKB kanë treguar gatishmëri për të krijuar një strategji dalëse duke lejuar që mos të ketë referim ndaj Rezolutës 1244 në dokumentin Standardet për Kosovën. Në të njëjtën kohë pamë se kjo strategji nuk mund të quhet strategji dalëse deri në vitin 2005, pasi që si strategji nuk është e kufizuar. Më me rëndësi është përfundimi se kjo strategji është një shtyrje për të arritur deri te bisedimet për statusin final të Kosovës, që nuk do të thotë se do të merr fund me fillimin e bisedimeve.

Bibliografia
Reka, Blerim. UNMIK as an international governance in post-war Kosova: NATO’s Intervention, UN Administration and Kosovar Aspirations. Shkup-Skopje: Logos-A.

Annan, Kofi, Fjalim para Kwshillit tw Sigurimit, 24 Prill 2002 http://ods-dds-ny.un.org/doc/UNDOC/GEN/N02/336/06/IMG/N0233606.pdf?OpenElement

The Economist, Serbia and Kosovo; Unfriendly fire. 18 Tetor 2003.

Steiner, Michael, Fjalim para Këshillit të Sigurimit, 24 Prill 2002, Press release SC/7375, 24 Prill 2002. Security Council.

Solana, Havier. “Drejt një Kosove evropiane”, Koha Ditore. 24 Tetor 2003.

Palokaj, Augustin. “BE-ja, tash, pro zgjidhjes së shpejtë të statusit, por ‘gjithçka varet nga kosovarët’”. Koha Ditore. 15 Nëntor 2003.

Statement by the President of the Security Council. S/PRST/2003/26. 12 December 2003. http://ods-dds-ny.un.org/doc/UNDOC/GEN/N03/654/29/PDF/N0365429.pdf?OpenElement
UNMIK Press Release 1079. www.unmikonline.org

Guéhenno , Jean-Marie. Under-Secretary-General for Peacekeeping Operations. S/PV.4886. Security Council. 17 December 2003 http://ods-dds-ny.un.org/doc/UNDOC/PRO/N03/659/35/PDF/N0365935.pdf?OpenElement

[1] Reka, f 164
[2] Annan
[3] Steiner
[4] Këshilli i Sigurimit
[5] The Economist
[6] Solana
[7] Palokaj
[8] UNMIK Press Release 1079
[9] Presidenti i Këshillit të Sigurimit
[10] Guéhenno

No comments: