Friday, July 14, 2006

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Seminari - ngjarje e madhe albanologjike

PRISHTINË, 14 KORRIK – “Rreth njëqind ekspertë nga fusha e albanologjisë pritet të marrin pjesë në edicionin e radhës të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që do të mbahet nga data 14 deri më 25 gusht”, është thënë të premten nga zyrtarë të drejtorisë së këtij seminari.

Duke u cilësuar si ngjarja më e madhe vjetore për studimin e albanologjisë në Kosovë, organizatorët kanë mbajtur një konferencë për media ku është njoftuar për mbarëvajtjen e seminarit të këtij viti dhe pjesëmarrjen e ekspertëve të kësaj fushe.

Qëllimi i këtij seminari, sipas tyre, është që pjesëmarrësit të mësojnë gjuhën shqipe, si dhe historinë e shqiptarëve. Seminari këtë vit do të ndahet në tri nivele të kurseve, ata që nuk kanë njohuri fare për gjuhën shqipe, për ata që kanë vizituar njëherë e më shumë Kosovën dhe dinë sado pak shqip dhe niveli i tretë për ata që dëshirojnë t’i thellojnë njohuritë e tyre për letërsinë dhe për historinë shqiptare.

Në këtë seminar do të mbahen tri ligjërata nga gjuhësia, tri nga letërsia dhe një ligjëratë nga arkeologjia, ku do të ligjërojnë albanologë të ndryshëm nga Kosova, nga Shqipëria dhe albanologë nga vise të ndryshme të Evropës.

Ndërsa, në dy ditët e fundit të këtij seminari, sipas tyre, do të mbahet sesioni shkencor në dy nivele, sesioni shkencor i letërsisë me temë bosht “Miti në letërsinë shqipe” dhe sesioni i gjuhësisë, që ka për temë probleme aktuale të kulturës së gjuhës.

Për këto sesione shkencore janë paraqitur rreth 70 studiues nga Kosova, nga Shqipëria dhe më gjerë.

Këtë vit risi është tryeza, e cila do të shtjellojë temën “Veprimtaria e shkrimtarit Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja”, të cilat mbahen me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tyre. Edhe pse është ftuar të jetë i pranishëm në seminar, Kadare ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.

Liman Matoshi, anëtar i këshillit organizativ, tha se sikurse edhe vitet e kaluara ky seminar do të financohet nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, nga Universiteti i Prishtinës dhe nga Ministria e Kulturës.

Me qëllim që pjesëmarrësit të njihen më afër me kulturën shqiptare të Kosovës, pritet të organizohet edhe një ekskursion nëpër vende të ndryshme të Kosovës. | Iliria Post

No comments: