Friday, November 03, 2006

Agim Ceku interviste

Kryeministri i Kosovës tha
se statusi i Kosovës tashmë
është zgjidhur dhe se shumica
dërmuese e faktorëve
vendimmarrës janë pajtuar
që e vetmja zgjidhje e
mundshme është pavarësia
Zotëri Çeku, cila ka qenë arsyeja
që ju keni deklaruar së voni se
nuk prisni një mrekulli nga paketa
për zgjidhjen e statusit të Kosovës?
Çeku: Ne presim pavarësimin e
plotë të Kosovës dhe një sovranitet të
plotë të saj brenda këtij viti. Kjo do të
ishte mrekullia dhe njëkohësisht
zgjidhja e vetme praktike, pragmatike
dhe realiste, që ne e presim. Fatkeqësisht,
pakoja e Ahtisaarit është një treg
i gjerë, që duhet ta pranojë ose të them,
duhet ta blejë: në këtë mes është Grupi
i Kontaktit, Bashkimi Evropian,
Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe jo të
gjithë vendimmarrësit në këtë treg janë
mbështetës të pavarësisë së Kosovës,
pavarësisë së shpejtë e të plotë të
Kosovës. Dhe ky fakt, nga dëshira që
kjo pako të aprovohet në Këshillin e
Sigurimit e të shndërrohet në rezolutë,
mund ta detyrojë Ahtisaarin që të
përdorë një gjuhë paksa më kompromise
dhe kjo mund të shkaktojë disa
reagime. Unë mendoj dhe jam i bindur
se në substancë pakoja do të jetë
pavarësia e Kosovës, por gjuha e përdorur
me qëllim të kalimit në
Këshillin e Sigurimit mund të shkaktojë
dilema, dyshime dhe paqartësi.
Dhe kjo do të thotë se
bashkësia ndërkombëtare, për shkak
të kompromiseve, nuk do të jetë e gatshme
të përdorë një pavarësi, që është
quajtur e kushtëzuar. Atëherë, cila
është rruga e pavarësimit të Kosovës?
Çeku: Unë mendoj se pas fazës
tranzitore, pra të kalimit të mandatit të
pranisë së ardhshme ndërkombëtare
në Kosovë, Kosova do ta ketë pavarësinë
e plotë. Normalisht se një prani e
ardhshme ndërkombëtare, që ne e
mirëpresim, që do të jetë e lehtë dhe
me përgjegjësi shumë të kufizuara, do
të ketë ndikim edhe në sasinë e
sovranitetit të një vendi. Për shkak të
kësaj pranie, sovraniteti i Kosovës do
të jetë më i kufizuar, por vetëm nga kjo
prani ndërkombëtare. Me kalimin e
mandatit, ato përgjegjësi, që do t'i ketë
prania e ardhshme ndërkombëtare, do
të kalojnë në duart e Qeverisë së
Kosovës dhe atëherë sovraniteti do të
jetë i plotë.
Por, nëse pakoja e zotëri Ahtisaarit
nuk përmban atë substancë, për
të cilën po flisni, pra pavarësinë e
Kosovës, atëherë mund të ndodhë që të
ketë, ta quajmë, zhgënjim në tërë procesin
e bisedimeve?
Çeku: Me siguri se do të ketë edhe
zhgënjim edhe pakënaqësi, por unë
kam besim të plotë se pakoja në substancë
do të jetë pavarësia e Kosovës.
I vetmi kompromis, që mund të bëhet,
është kompromisi me gjuhën e përdorur,
me të cilën përshkruhet substanca
e shtetit të pavarur. Unë këtë e
pres dhe është kjo gjëja më e keqe që
mund të ndodhë.
Zotëri Kryeministër, ju po
flisni me optimizëm, por a mund të
ketë ndonjë zhvillim në Serbi ndikim
në zgjidhjen e statusit të Kosovës brenda
këtij viti?
Çeku: Unë mendoj se statusi i
Kosovës tashmë është zgjidhur. Besoj
se Ahtisaari e ka pakon e gatshme dhe
shumica dërmuese e vendimmarrësve
për statusin është pajtuar që e vetmja
zgjidhje e mundshme është pavarësia
e Kosovës. Për këtë nuk kam dilemë.
Përpjekjet e Serbisë mund të ndikojnë
vetëm në zvarritjen e zyrtarizimit të
kësaj pakoje apo të kalimit nëpërmjet
Këshillit të Sigurimit. Fatkeqësisht, ka
vende të ndryshme në faktorin
ndërkombëtar që duan t'ia lehtësojnë
Serbisë këtë realitet të hidhur për të, që
ende nuk ka vullnet ta pranojë. Ky
vullnet i disa faktorëve ndërkombëtarë
mund të ndikojë në një shtyrje të
lehtë dhe të kufizuar të zgjidhjes. Mendoj
se kjo është absolutisht e
paarsyeshme dhe dëshira e këtyre faktorëve,
që preferojnë një shtyrje të tillë,
është që në Serbi të fitojnë forcat
demokratike. Por, edhe ne duam që
Serbia, pa dyshim, të jetë një vend
demokratik, por është një fakt se në
Serbi nuk ka ndonjë forcë politike,
qoftë pozitë ose opozitë, qoftë
demokratike ose radikale, që dallon
me qëndrim të saj rreth pavarësisë së
Kosovës. Atëherë, një pritje e tillë është
e pakuptimtë.
Por, çka nëse në raportin e
zotëri Ahtisaarit nuk përmendet fjala
kryesore, nuk përmendet qartësimi i
statusit të Kosovës?
Çeku:Qartësimi është problem. Unë
e thash se ne besojmë se pavarësia
është thënë dhe ne nuk kemi asnjë sinjal
as nga zotëri Ahtisaari dhe as nga
miqtë tanë partnerë në Grupin e Kontaktit
se mund të ketë diçka më pak se
pavarësi. Prandaj, jemi të bindur se do
të jetë pavarësi. Thash se duhet të presim
e të shohim se çfarë gjuhe do të përdorë
zotëri Ahtisaari. Por, edhe kur të
publikohet raporti ne do të kemi
mundësi që të ndikojmë dhe t’i japim
sugjerimet, kërkesat dhe argumentet
tona dhe besoj se jemi mjaft të
fuqishëm që të ndikojmë, që pakoja të
jetë e qartë dhe e kuptueshme për të
gjithë qytetarët e Kosovës.
Dhe, zotëri Kryeministër,
nëse zgjidhja do të jetë pavarësi për
Kosovën, si mendoni ju se do t’i përmirësoni
raportet shqiptaro-serbe në
rajon dhe në veçanti raportet mes dy
popujve në Kosovë?
Çeku: Ne mendojmë se me pavarësinë
e Kosovës Serbia do t'i kthehet realitetit
dhe vetvetes dhe do të bëhet
një vend demokratik me një agjendë të
qartë evropiane. Agjenda evropiane
kërkon përmbushjen e shumë
kritereve, kushteve e standardeve dhe
në këtë mes do të kërkojë edhe një fqinjësi
të mirë. Ne mendojmë se kur të
ndahemi përfundimisht dhe kur t'i
garantojmë, siç do t’i garantojmë, të
gjitha të drejtat për serbët në Kosovë
dhe kur Serbia nuk do të ketë asnjë
argument që të ankohet për situatën e
serbëve në Kosovë dhe të sigurisë e
stabilitetit në Kosovë, atëherë vetvetiu
do të fillojmë të shohim një interes të
përbashkët në marrëdhëniet tona dhe
të raportit të dy shteteve të barabarta e
fqinje, do të fillojmë të ndërtojmë marrëdhënie
të mira. Shembuj të tillë ka
edhe në rajon dhe në botë, kur vende
të ndryshme dhe popuj të ndryshëm
kanë pasur probleme dhe luftëra dhe
sot kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme
mes vete. Unë mendoj se marrëdhëniet
shqiptaro-serbe, kur të definohet
statusi dhe pas një kohe të
shkurtër do ta marrin rrjedhën normale
dhe do të kemi marrëdhënie të
mira fqinjësore.
Ka zëra në mesin e anëtarëve
të BE-së se për gjashtë vjetët e
ardhshëm do të mbyllet dera për anëtarësime
të reja, a besoni ju se pakoja
e futjes së gjithë rajonit në BE ka perspektivë?
Çeku: Unë mendoj se vendet e Ballkanit
Perëndimor kanë perspektivë
evropiane. Është e pakuptimtë që pas
anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë
në BE, pastaj kjo shtrihet edhe
në Greqi e në Itali, vetëm Ballkani të
mbetet vrimë e zezë e Bashkimit
Evropian. Besoj se BE-ja nuk do të
lejojë që të mbeten jashtë gjirit evropian
disa vende të Ballkanit. Kjo besoj se
nuk do të lejohet, por në të kundërtën
do të përshpejtohet anëtarësimi dhe
do të na ndihmojnë që sa më shpejtë të
jemi të gatshëm për t'u anëtarësuar në
BE. Besoj, gjithashtu, se BE-ja mendon
që kufiri evropian të mos jetë në
Kosovë ose Maqedoni si kufi lindor,
por të jetë shumë më në lindje. Unë,
prandaj, besoj se Kosova dhe vendet e
tjera të Ballkanit Perëndimor do të
jenë pjesë të BE-së.

technorati tags:,

Blogged with Flock

5 comments:

Agobooks said...

Sa më bëhet qejfi që të gjeta, i dashur bashkëatdhetar.
Jemi kaq pak shqiptarë që kemi blogg apo, unë nuk i gjej dot?
Personalisht, ngaqë nuk kisha gjetur të tjerë bloggeristë, kam shkruajtur në të shumtën e rasteve greqisht.
Shpresoj, ta bëj dhe në shqip, nëse ju intereson dhe juve të shkëmbejmë mendimet tona në komente.
Gjithsesi,gjithë të mirat.

bytycci said...

Nuk jemi fort shume, dhe eshte veshtire t'i gjeshe edhe ata qe jane. Une po e vendos nje link tendin ketu. Nese mundesh vendos kete link ne blogun tend, dhe linkun e blogut ne anglisht qe mirembaj, seeuropeonline.blogspot.com. Faleminderit.

Ne fakt e kam pare blogun tend me heret, por shumica e shkrimeve ishin ne greqisht dhe nuk i kuptoja.

Gjitha te mirat

Agobooks said...

I vendosa te dy, te pershendes sinqerisht.

Agobooks said...

Për të risjellë në vendin e duhur linket e bloggut( që të kanë shkuar në fund të faqes) hidh një sy tek templates pasi, ose ke vënë ndonjë shenjë më tepër tek ndonjë link( p.sh. qoftë dhe një , ose dhe një /) ose diçka ke vënë mangut(sërish ndonjë presje ose ndonjë /)
Përshëndetje
N.Ago

bytycci said...

Faleminderit.
Si duket varet nga browseri dhe madhesia e desktopit, se ne kompjuterin tim linqet dalin ne rregull. Sidoqofte, faleminderit.
Gjitha te mirat