Saturday, November 11, 2006

Zgjidhja e statusit të Kosovës shtyhet për vitin tjetër

Zgjidhja e statusit të Kosovës shtyhet për vitin tjetër

Linda Karadaku-Ndou, Prishtinë10-11-2006

Dhënia e propozimit për zgjidhjen e statusit të Kosovës është shtyrë përfundimisht për në vitin tjetër. Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, njoftoi sot vendimin për dorëzimin e këtij propozimi pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, që pritet të mbahen më 21 janar. Por zëdhënësja e zotit Ahtisari, Hua Jang, i tha Zërit të Amerikës, se nuk ka ndonjë datë të caktuar specifike për dorëzimin e këtij propozimi.I dërguari për statusin e Kosovës, kryenegociatori Marti Ahtisari, njoftoi sot zyrtarisht pas takimit të Grupit të Kontaktit në Vjenë, shtyrjen e paraqitjes së propozimit të tij për statusin, për pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Serbi, që sic u njoftua sot zyrtarisht nga presidenti serb Boris Tadiç, do të zhvillohen më 21 janar.Në një deklaratë të zotit Ahtisari pas takimit të sotëm të Vjenës, thuhet se nën dritën e njoftimit të presidentit Tadiç për të mbajtur zgjedhjet parlamentare serbe më 21 janar 2007 dhe pas konsultimeve me Grupin e Kontaktit sot, ka vendosur t'ua paraqesë propozimin e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës, palëve, pa vonesë, pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi.Zëdhënësja e zotit Ahtisari, Hua Jang, i tha po sot Zërit të Amerikës, se nuk ka ndonjë datë specifike se kur do t'ia paraqesë palëve propozimin zoti Ahtisari. Zonja Jang tha se negociatorët ndërkombëtarë janë të ndërgjegjshëm për pasojat që mund të ketë shtyrja e zgjidhjes së statusit të Kosovës, por shtoi se UNOSEK-u do të vazhdojë të punojë për propozimin për statusin, për t'ua paraqitur palëve menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi.Zonja Jang tha gjithashtu se vendimi për shtyrjen e dhënies së propozimit për statusin, është marrë nga zoti Ahtisari, por ajo nuk pranoi të specifikonte nëse shtyrja ishte kërkuar nga zoti Ahtisari, apo nga Grupi i Kontaktit, dhe ritheksoi vetëm se vendimi ishte marrë pas konsultimeve me Grupin e Kontaktit.Zëdhënësja e kryenegociatorit theksoi se zoti Ahtisari gëzon mbështetjen e plotë të Kombeve të Bashkuara të cilat sic tha ajo, i mbështesin vendimet e tij. Kryenegociatori Marti Ahtisari, pritet të takohet të hënën me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, për të vazhduar kështu konsultimet për propozimin për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

VOA News - Zgjidhja e statusit të Kosovës shtyhet për vitin tjetër

technorati tags:,

Blogged with Flock

No comments: