Saturday, December 02, 2006

Dy ish-zyrtarë të UNMIK-ut argumentojnë se komuniteti ndërkombëtar dështoi në transformimin e Kosovës

Dy ish-zyrtarë të UNMIK-ut argumentojnë se komuniteti ndërkombëtar dështoi në transformimin e Kosovës

02-12-2006


Një ish-zyrtar i UNMIK-ut thotë se misioni i Kombeve të Bashkuara atje ka dështuar në transformimin e Kosovës, megjithë burimet e pashembullta që komuniteti ndërkombëtar ka derdhur për këtë mision. Whit Mason, që së bashku me ish-kolegun e tij Iain King ka shkruar librin: “Paqe me çdo çmim: Si dështoi bota në Kosovë”, thotë se gjendja në terren, keqkuptimet dhe mungesa e strukturave të nevojshme janë disa nga faktorët që kanë penguar suksesin e UNMIK-ut si administratë në Kosovë.                                                 

Zëri i Amerikës: Zoti Mason libri juaj botohet në një moment kritik për Kosovën, por ai nuk ka të bëjë më shumë me politikën, pra me statusin e Kosovës, sesa me misionin e OKB-së në terren. A mund të na shpjegoni pse mendoni ju që bota dështoi në Kosovë me këtë mision?

Whit Mason: Në fillim ideja ime për titullin nuk ishte: Si bota dështoi në Kosovë, por si “Bota dështoi në transformimin e Kosovës”. Dhe ky është argumenti kryesor i librit. Pra nuk ishte e mjaftueshme të shkohej atje dhe të viheshin në jetë zgjidhje afatshkurtra për problemin  e spastrimit etnik të regjimit të Millosheviçit, por të përgatitej terreni  për zgjidhje të qëndrueshme. Në Kosovë ata që kishin pushtet, qofshin aparatçikë komunistë apo banditë kontrollonin gjithë të tjerët dhe ne nuk mund të justifikonim që të kryenim këtë ndërhyrje kaq masive në Kosovë dhe pastaj të linim prapë nga pas një shoqëri të mbizotëruar nga banditë dhe arrogantë. Pra do të thoshte se ne duhejta shndërronim atë. Pikërisht këtë komuniteti ndërkombëtar nuk arriti ta bëjë.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni më konkretisht se cili ishte misioni që duhej të realizohej në këtë drejtim dhe çfarë nuk bëri komuniteti ndërkombëtar?

Whit Mason: Ne kishim mandatin të vendosnim shtetin ligjor dhe akoma sot krimi është diçka e zakonshme, korrupsioni është në një nivel të lartë dhe sistemi gjyqësor është jashtëzakonisht i dobët. Kështu që ne dështuam në detyrën për vendosjen e shtetit ligjor. Në këtë drejtim Kosova është pak a shumë siç e gjetëm në vitin 1999. Njerëzit që janë në krye kanë ndryshuar, por sistemi nuk ka ndryshuar në themel. Po ashtu tani pakicat sidomos ajo serbe janë të pafuqishëm, ashtu siç ishin të pafuqishëm shqiptarët para luftës. Pra modeli i shoqërisë nuk ka ndryshuar. Ajo që ka ndryshuar është marrëdhënia mes shumicës, shqiptarëve dhe pakicave. Si dështuam? Para së gjithash, KFOR-i megjithëse një forcë e madhe në numër kishte probleme sepse secili grup, qofshin gjermanë, britanikë, francezë, italianë apo amerikanë kishte rregulla të veçanta për angazhimin e tyre dhe shpesh sipas këtyre rregullave nuk mund të zbatonin urdhrat e shefit të UNMIK-ut.     

Zëri i Amerikës: Statusi i Kosovës pritet të vendoset së shpejti. Pasi prania ndërkombëtare të mos jetë më atje, si mendoni ju se do të jetë gjendja duke pasur parasysh pikërisht këto probleme që ju përshkruani dhe që janë ende të pazgjidhura?

Whit Mason: Gjithmonë kam menduar se rëndësia e statusit ishte e ekzagjeruar, në kuptimin që njerëzit presin që pavarësia që është tani pranë do të ishte zgjidhje për një numër të madh problemesh. Unë do të thoja që kuptimi kryesor i saj është që do të eliminojë justifikimet për problemet e Kosovës. Për herë të parë kosovarët do të bëjnë përgjegjës për ato që bëhen ose nuk bëhen, udhëheqësit e vet. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse deri tani i gjithë procesi politik është dëmtuar nga fakti që qeveria e zgjedhur ka kompetenca të kufizuara dhe se gjithmonë ka si kundërpeshë autoritetet ndërkombëtare.        

Zëri i Amerikës: Ju flisni për problemet dhe për dështimin e transformimit të Kosovës. A mund të përmendni disa nga sukseset në Kosovë?

Whit Mason: Një nga sukseset është fizik: janë bërë shumë rindërtime, janë ndërtuar shumë rrugë. Po ashtu janë ngritur institucionet të nevojshme. Kemi bërë një punë të mirë për të ngritur bazat e sistemit të demokracisë, tani duhet të krijojmë programet e veçanta, pasi i pari nuk mund të funksionojnë pa të dytat dhe anasjelltas. Një nga arritjet e tjera është që duke qenë se lamë që të kalonin disa vite në Kosovë, u krijua mundësia që të ftohen gjakrat. Është e vështirë ta imagjinosh që Kosova mund të fillonte jetën si vend i pavarur në vitin 1999, me gjithë ato pasione. Vërtet që ka pasur zhgënjime por mund të thuhet që tani gjendja është më e qetë. Po ashtu komuniteti ndërkombëtar e ka ndihmuar Kosovën të ndërtojë ura me pjesën tjetër të botës duke e bërë çdo lloj shkëmbimi më të lehtë.

Zëri i Amerikës: Cilët janë lexuesit për të cilët ju dhe kolegu juaj e shkruajtët këtë libër. Pra kujt mendoni se do t’i tërhiqni vëmendjen me librin tuaj?

Whit Mason: Unë dhe bashkëautori im Iain e shkruam librin duke pasur parasysh dy lloj audiencash: Së pari për ata që i ndjekin ngjarjet në Ballkan dhe mendojnë se e dinë se si është gjendja në Kosovë, sepse në përgjithësi ata e keqkuptojnë: ose mendojnë se është më e suksesshme nga ç’ka qenë në të vërtetë, ose kur mendojnë që nuk ka qenë e suksesshme bëjnë përgjegjës faktorët e gabuar. Mendoj se misioni nuk funksinoi siç duhej sepse nuk kishte strukturën e duhur që të fillonte punën efektivisht që në ditët e para të ndërhyrjes.

Grupi i dytë janë ata që nuk kanë ndonjë interes të veçantë për Ballkanin, por janë të interesuar për ndërtimin e shteteve. Mendoj se Kosova është një nga shembujt më të dobishëm në këtë drejtim. Në përgjithësi kur sheh ndërhyrje të tilla si Kongoja, Iraku, apo Afganistani mësimi më i rëndësishëm është se atje ne asnjëherë nuk dhamë burimet e nevojshme. Rasti i Kosovës ishte ndryshe. Kishim shumë trupa dhe më shumë para për person sesa në çdo përpjekje tjetër për ndërtimin e një shteti, në historinë moderne. Dhe megjithëse u derdhën shumë para dhe u vendosën shumë trupa, nuk patëm sukses.

Kosova është tregues i maksimumit që ne mund të bëjmë për momentin, me institucionet dhe strukturat tona. Dhe prapë nuk është i mjaftueshëm. Ne mund të bëjmë më shumë.

technorati tags:, ,

Blogged with Flock

No comments: