Sunday, December 03, 2006

Uashington: Përpjekjet e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan për statusin e Kosovës

Uashington: Përpjekjet e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan për statusin e Kosovës


03-12-2006


Në Uashington veprojnë grupe të shumta përfaqësuese të interesave të veçanta. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan është një organizatë që përfaqëson komunitetin shqiptaro-amerikan në përpjekjet e tyre për të vënë në qendër të vëmendjes të publikut amerikan çështjet kryesore me interes për shqiptarët. Lidhur me veprimtarinë aktuale të këtij këshilli Zëri i Amerikës zhvilloi një intervistë të drejtpërdrejtë në studio me Drejtorin Ekzekutiv të tij, Avni Mustafaj.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, në janar mblidhet Kongresi i ri. A keni vendosur lidhje me anëtarët e rinj të Kongresit dhe ku e keni përqëndruar punën tuaj në lidhjet me pushtetin legjislativ?

Avni Mustafaj:  Për fatin tonë të mirë, kur ndodhi lufta në Kosovë, në pushtet (në Amerikë) ishte Parta Demokrate, kështu që, edhe kur erdhi Partia Demokrate, ne i kemi pasë marrëdhëniet shumë të mira me të dyja palët. Ardhja në pushtet e Partisë Demokrate, në fakt, deri diku është në favorin tonë, meqenëse kjo parti është disi e lidhur më shumë me çështjen e Kosovës në planin profesional dhe personal. Do të formojmë përsëri Albanian Issues Caucus dhe këtu ka disa anëtarë të kongresit (kupto: Dhomës së Përfaqësuesve) dhe të Senatit. Ata do të jenë shumë më aktivë në muajt janar që të bëjmë një shtytje të fundit për pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Çfarë kontaktesh po mbani me Departamentin e Shtetit në përpjekjet për të shtyrë përpara procesin e statusit? A keni pasur ndonjë angazhim nga zyrtarët amerikanë për përshpejtimin e këtij procesi vitin e ardhshëm?

Avni Mustafaj: Amerika e ka bërë të qartë që është absolutisht në favor të pavarësisë së Kosovës. Tani ka mbetur procedura. Shtyrja (e përcaktimit të statusit) është për një kohë të shkurtër. Me sa kuptoj unë, kjo nuk e ndryshon rezultatin. D.m.th. Kosova do të jetë e pavarur. Tani vetëm po bisedohet për disa kufizime në këtë pavarësi. Është e qartë që Kosova do të ketë dikur ushtrinë e vet. Tani puna është që të njihet nga të gjitha shtetet. Në deklaratën e Ahtisarit për ne çështja është parimore, pasi nëse Kosova njihet “shtet i pavarur” në propozimin e Ahtisarit, të gjitha ndihmat, si dhe njohja e Kosovës do të jetë shumë më e shpejtë dhe e kollajshme. Frika që kemi është se, në qoftë se Kosova nuk njihet në propozimin e Ahtisarit, njohja e Kosovës do të jetë bilaterale, shtet më shtet, dhe kjo procedurë do të jetë shumë e gjatë dhe, sigurisht, njerëzit që do të vuajnë më shumë, do të jenë qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ju u shprehët shumë optimist për qendrimin e Shteteve të Bashkuara, pra, të Departamenti të Shtetit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, megjithatë lobi serb, këtu në Amerikë ka filluar një fushatë shumë agresive, duke ngritur (çështjen e) “rrezikut”, siç theksojnë ata, që do të kishte “krijimi i një shteti islamik në Ballkan”. A po përpiqeni t’i kundërviheni kësaj propagande dhe çfarë programesh keni për të shprehur një imazh tjetër të Kosovës për publikun amerikan?

Avni Mustafaj: Është e vërtetë që serbët kanë qenë shumë më aktivë në Uashington këto muajt e fundit. Megjithatë, përfundimisht, ata nuk kanë arritur të ndërrojnë bazën e qendrimit të Amerikës që e vetmja e ardhme për Kosovën është pavarësia. Suksesi i lobit, jo aq shumë i lobit serb këtu, por i lobizmit të zhvilluar nga politika e Serbisë, është kërkesa për shtyrjen për dy-tri javë dhe kjo është më shumë shtyrje procedurale që përfundimisht nuk do ta ndryshojë rezultatin. Ne po vazhdojmë (punën) me kontaktet që kemi në Departamentin e Shtetit, në zyrat më të larta, dhe besojmë që edhe Evropa e ka kuptuar se Kosova nuk mund të kthehet më që të jetë pjesë e Serbisë. Kështu që e vetmja mundësi për paqe në Ballkan është Kosova e pavarur, por problemi është se ky vendim nuk po mirret sa më shpejt.

Zëri i Amerikës: Nëse e vetmja mundësi për paqe në Ballkan është një Kosovë e pavarur, a mendoni se përpjekjet e Kosëvës për pavarësi janë dëmtuar nga trazirat me dhunë, protestat me dhunë, angazhimi i Lëvizjes “Vetëvendosja”, edhe ditët e fundit. Presidenti Sejdiu foli kohët e fundit për nevojën për ruajtjen e qëndrueshmërisë në Kosovë. Si i gjykoni protestat e fundit me dhunë në mbarëvajtjen e procesit për statusin e Kosovës?

Avni Mustafaj: Siç thuhet në Amerikë, unë jam fëmijë i demonstratave. Kur isha i ri kam marrë pjesë në qindra demonstrata para Kombeve të Bashkuara, në atë kohë edhe kundra komunizmit në Shqipëri, po aq ma tepër për pavarësinë e Kosovës. Kështu që unë besoj në rolin e demonstratave dhe çdo shoqatë duhet ta mendojë vetë kur ka nevojë për demonstratë. Megjithatë, dhuna është tepër e rrezikshme në këtë kohë për Kosovën, sepse qellimi i Serbisë dhe i vetmi shkak se përse kanë kërkuar shtyrjen, është krijimi i kaosit në Kosovë që pastaj të mund t’i tregojë botës që ata (shqiptarët) nuk janë gati të krijojnë një shtet të pavarur. Prandaj dhe qetësia dhe kundërdhuna në Kosvë është tepër e rëndësishme. Nëse njerëzit duan të bëjnë demonstrata, le t’i bëjnë, por duhet të kenë kujdes se ekzistojnë qellime të tjera për të mos i mbajtur këto demonstrata paqësore, por të ketë kaos e dhunë. Kjo praktikisht është tepër e rrezikshme për çështjen e Kosovës sot, i vetmi rrezik me sa shoh unë.

Zëri i Amerikës: Të flasim për periudhën pas zgjidhjes së statusit. Kosova ndeshet me nevoja urgjente për zhvillim dhe modernizim. A po punon organizata e juaj për të nxitur një angazhim të kapitalit financiar nga komuniteti shqiptaro-amerikan për investime në Kosovë. Çfarë përpjekjesh po bëhen për të nxitur kthimin e trurit, pra, që Kosovës t’i kthehet kapitali intelektual, aq i nevojshëm në këtë periudhë? 

Avni Mustafaj: Pyetje me vend. Ne besojmë që e ardhmja e Kosovës, ose pas statusit, të varet nga ekonomia. Papunësia në Kosovë është problemi social kryesor. Kemi zhvilluar shumë bisedime edhe me USAID, edhe me një zyrë përkatëse në Amerikë, që do të merren me periudhën e pas-statusit. Këtu na është thënë se Kosova do të ketë një buxhet të madh për t’i ndihmuar Kosovës së pas-statusit. Sa për investime të biznesmenëve shqiptarë, në darkën vjetore kishim të ftuar biznesmenë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia për të vënë kontakte me biznesmenë amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë. E ardhmja absolutisht varet nga gjendja e punësimit dhe zhvillimi i ekonomisë së Kosovës. //az//

technorati tags:, , , ,

Blogged with Flock

No comments: