Nëpër Ballkan - Mafia dhe administrata
Naser Aliu
Filani telefonon nga Perëndimi në shtëpi dhe kërkon certifikatë të lindjes. Zëri nga telefoni i thotë se zgjatë afërsisht dy javë. Telefonuesi nuk ka kohë.“Me Shërbimin Motivues mund ta marrish më shpejtë”, thotë zëri,”dhe për këtë Shërbim duhet paguar 200 Euro.”Nëpunësi në Gjendjen Civile i merr 200 Euro dhe rrit rrogën e vet, për 100 %. Dokumenti merret brenda një ore. Ai që zihet me dy gram kokainë quhet mafioz.
2. Filan Fisteku rrëzohet katër herë në provim. Dikur i bie ndërmend Shërbimi Problemzgjidhës. Merr telefonin dhe me 300 Euro e kalon provimin. Një i ri që i fiton 300 Euro duke shitur drogë quhet mafioz, po njeriu që shet nota? Duhet të quhet profesor?
3. Fistek Filani blen gjëra me vlerë në Perëndim. Duhet paguar doganë. Zëri nga telefoni: “ eja të shtunën. Atë ditë është miku im aty.” Aludon në Shërbimin Hekurosës. Fisteku në vend se të paguaj për shtetin doganë nja 2000 Euro, paguan 500 Euro. Paramarrësi quhet... doganier.
4. Filani gjendet në bankën e të akuzuarve. Ai është i pafajshëm. Te gjithë e dinë. Mirëpo gjyqtari nuk beson. As prokurori, jo. Nga besimi nuk ka dobi. Avokati i Filanit ka probleme. Duhet ta vejë në lëvizje Shërbimin Rekomadues dhe nga i akuzuari kërkon mjete për: veten, prokurorin dhe për gjyqtarin. Procesi përfundon. Filani shpallet i pafajshëm... Pas dymijë eurove.
5. Fisteku kthehet nga Perëndimi në shtëpi. Ka dëgjuar se me 3.000 Euro bëhet njeriu doktor i shkencave. Mjafton të vihet në kontakt me Shërbimin Progresiv Intelektual. Mentorët e këshillojnë të marrë material nga interneti dhe t´i përkthejë. Fisteku që me gazep kishte mbaruar studimet dhe pas gati dy dekadave nëpër ndërtimtari në Perëndim, bëhet doktor. Ai tani kërkon punë në Universitet...
6. Filani nis studimet në Prishtinë. Pas dy viteve rimendohet. Kthehet në Shkup dhe vendos të bëhet inxhinier, pas një viti hidhet në pauzë, pushim. Dhe pushon... 22 vite. Pas lufte rikthehet në Prishtinë dhe bëhet profesor i historisë. Tash punon në një shkollë. Shërbimi Intelektual ia plotësoi ëndrrën e tij të kamotshme.
7. Fisteku mbetet pa pasaportë. Diku në Perëndim është i regjistruar. I drejtohet Shërbimit Zemërhapur dhe Bamirës të policisë. Ai e ndërron mbiemrin dhe merr pasaportën e re. Kjo i kushtoi Fistekut 1500 Euro. Të kënaqur janë dy palët: Fisteku dhe Shërbimi Zemërhapur...
8. Filani nis ndërtimin e shtëpisë pa leje. Vijnë nëpunësit e shtetit dhe kërkojnë ndalimin e ndërtimit. Jo përgjithmonë, vetëm derisa t´i sjellë 1500 Euro për Shërbimin Tolerues. Pesëqind i jepen shefit të Shërbimit dhe nga pesëqind i marrin kontrolluesit.
Kur ligji nuk është i mirë për individin, njerëzit tanë e pezullojnë atë. Nuk e pezullon Kuvendi, por individi që vëren se ky ligj po pengon dikë që ka para. Kështu evitohet burokracia. Po dallimi në mes mafias analfabete dhe mafiozëve të lartpërmendur me fakultete? E para len gjurmë pas vete! Nga mendjelehtësia.
(Autori është gazetar në Shkup, Maqedoni)
No comments:
Post a Comment