Ky nje artikull i mirë, por me Z. Tushi i përmend ca koncepte të cilat nuk i sqaron. Ai flet për një "Ekuilibër shpirtëror" dhe për rolin civil të fesë, por nuk e bën lidhjen mes këtyre dy koncepteve. Roli shpirtëror i fesë dhe ai civil janë dy gjëra të ndrydhme që rrallë herë kanë të bëjnë me njëra tjetrën.
Po ashtu deklarimi se institucionet fetare "po shfaqen në shoqërinë tonë si institucione masive
më potente se shumë institucione laike, forca e të cilëve sot ka tregues në rënie" tingëllon shumë ambicioz dhe i pabazë.
Qytetërimi dhe "feja civile"
Për një rol social më të dukshëm…
Funksioni pozitiv i fesë si mjet social për të patur një
"ekuilibër shpirtëror" është një nga treguesit e thelbit të
saj në shoqërinë moderne. Në këtë mision duket se po
ecin institucionet fetare të tre feve kryesore në Shqipëri,
të cilat për fat të mirë po tentojnë të konsolidojnë, natyrën
sociale dhe rolin e tyre, duke i dhënë fesë dhe praktikave
fetare "natyrë civile". Në mendimin sociologjik bashkëkohor
është kristalizuar qartë ky mision i ri komplementar
i institucioneve fetare. Feja tashmë është bërë faktor stabiliteti,
kudo në këtë botë që ndryshon maramendshëm,
në këtë botë në të cilën njeriu i brishtë, i ç'orientuar, është
i mbuluar nga streset, në këtë botë të nxitueshme, të
rëshqitshme, në të cilën ai është gjithnjë e më i pasigurt!
Shoqëria nuk ka nevojë të
sforcohet për integritet fetar
Në disa rajone të botës, po duket një dukuri që është
shqetësuese, e cila shfaqet si ulje e rolit social dhe shpirtëror
të fesë dhe zgjerim i përmasave të konkurimit
fundamentalist. Nuk ka kaluar shumë kohë kur përfundoi
një ndarje e vjetër e botës, ideologjikisht bipolare,
midis shoqërisë kapitaliste dhe komuniste, që i solli aq
shumë fatkeqësi apokaliptike njerëzimit, dhe në horizont
po shfaqet një ndarje e re, e cila, në vend të karakterit ideologjik
po shfaqet me natyrë fetare. Vendin e nevojës gjysmë
shekullore të ndarjes "dikotomike", për integritet ideologjik
të garantuar militantesk, duket se po e zë një ndarje
e re, që shfaqet edhe në shoqërinë shqiptare si atavizëm
i njeriut të vjetër, i cili i mësuar për të qenë në "llogore të
përjetshme" përballë kundërshtarit, fillon të ndjejë "nevojën"
për "integrizma" të rinj, të panevojshëm, arkaikë, me
natyrë fetare, etnike dhe rajonale. Duke analizuar këtë
dukuri shqetësuese filozofi i madh bashkëkohor spanjoll,
Josep Ramoneda, thotë se konflikti me natyrë ideologjike
i "nxjerrë nga dera, hyn sërish nga dritarja me "veshje të
re, të ndryshuar".
Feja civile dhe "siguria morale" e shoqërisë
Institucionet fetare, i tre feve kryesore në Shqipëri, duke
qenë pjesë e rëndësishme dhe organike e shoqërisë civile,
po tentojnë të luajnë rol social pozitiv, duke i shërbyer
fuqizimit të jetës shpirtërore dhe të mardhënieve sociale
të njeriut. Këtë rol e ka për detyrë çdo institucion fetar, që
ka si synim t'i shërbejë shoqërisë, duke qenë në radhë të
parë, fe me funksione sociale, ose "fe civile". Në të gjithë
përkufizimet e mundëshme që ekzistojnë deri sot, asnjë
autor i shquar nuk ka guxuar të harrojë rolin social të fesë
dhe të institucioneve të saj, si pjesë integrale e shoqërisë
civile. Madje, në debatin e tanishëm më shumë vlerësohen
ato fe që predikojnë vlerat e bashkësisë, se sa ato, që
duan të mbështeten vetëm në besimin e individit. Të paktën
që nga koha e Rusoit, kjo temë është e hapur dhe e
trajtuar gjerësisht si "mision social" i fesë dhe institucionit
fetar. Në ditët tona kudo në botë, vazhdon lufta për ta orientuar
besimin fetar, nga qytetari dhe hallet e tij, duke i
dhënë asaj një natyrë të qartë antropoteologjike. Në
mendimin e sotëm "socioteologjik", ka një përpjekje këmbëngulëse
për të ridimensionuar misionin dhe funksionet
me natyrë sociale të fesë, e cila është moderne kur shfaqet
si "fe civile".Imperativi i modernizimit, forcimit të aksit
humanist dhe shmangia e tendencave primitive të "integriteteve
fondamentaliste", ka shtruar detyrën universale
tashmë, që asnjë lloj besimi fetar, në asnjë dogmë të
tyre, nuk duhet të ndihen prirje që bien ndesh me detyrat
e qytetarisë dhe të shoqërisë civile. Në këtë tentativë kompromisi,
midis detyrave të fesë dhe të qytetarisë, disa autorë
të kohës sonë, kanë përpunuar platformën dhe kanë
definuar detyrat dhe tiparet që duhet të ketë "feja civile".
Detyra e madhe e shoqërisë së sotme është kthimi i
"njeriut në qytetar", prandaj ka dalë përsëri me forcë thirrja
e vjetër, emblemë e shoqërisë civile, se duke krijuar
qytetarë, atëhere do të kemi gjithçka që nevojitet. Në këtë
detyrë të madhe sociale roli i fesë dhe institucioneve të
saj, është fondamental. Vendosja e kësaj detyre në prioritetet
e misionit të vet, do të ishte një detyrë madhore që
shoqëria shqiptare e pret nga veprimtaria civile e institucioneve
të shumta fetare muslimane, katolike, ortodokse.
Në kohën tonë shoqatat me natyrë fetare në Shqipëri janë
zgjeruar së tepërmi. Ato janë bërë institucione autoritare,
në të cilat grumbullohen qytetarë me përkatësi fetare të
caktuar. Ky privilegj social dhe institucional është i lidhur
me natyrën dhe karakterin social të saj. Në shoqërinë
moderne për fat të mirë, roli social i fesë dhe institucioneve
të saj, ka tendencë të rritet. Madje, ka autorë, që kanë
një besim shumë të madh në aftësitë integruese të saj,
duke e quajtur atë si "zemër" të shoqërisë civile. Forca e
veçantë dhe roli social i institucioneve fetare, si pjesë e
shoqërisë civile, është e lidhur me faktin esencial se ato
në natyrën e tyre specifike, nuk i drejtohen "individit të
vetmuar dhe të mundur".Thelbi i institucioneve fetare në
Shqipëri është se ato i drejtohen njeriut, për të ngjallur
tek ai besim në forcat e tij, për të plotësuar vetë nevojat e
veta.
Në institucionet fetare, mbillet fara e besimit, e drejtësisë
dhe solidaritetit. Aty kultivohet stabiliteti shpirtëror.
Në shoqërinë tonë e cila për hir të së vërtetës shfaqet ende
kaotike, në këtë "botë moderne" e cila nuk mund t'i shpëtojë
dukurisë që tenton të izolojë dhe të tjetërsojë njeriun
duke e lënë të vetëm dhe pa përkrahje, feja është bërë
faktor social madhor komplementar, shprese, besimi, guximi
social dhe burim energjish pozitive. Është detyrë e
shoqërisë civile, që të bashkojë dhe të lidhë sa më shumë
njerëzit në shoqata e grupe interesi me përkatësi të
ndryshme. Në këtë kontekst tek institucionet fetare, njeriu
besimtar gjen integritetin e tij, duke iu larguar "vetmisë
sociale" dhe tjetërsimit. Në një shoqëri të tillë si ajo që po
jetojmë, po shfaqet çdo ditë më shumë tendenca e thellimit
të treguesve të margjinalizimit dhe tjetërsimit, roli i
fesë është i dobishëm, i pazëvëndësueshëm. Nuk mund
të mohojë askush se institucionet fetare në Shqipëri në
këtë dekadë e gjysëm kanë qenë, "forcë kompensuese",
adekuate në luftën e njeriut modern për të përballuar
"baticën" e shoqërisë, e cila ka sjellë valë të fuqishme ankthi,
pasigurie, zhgënjimi dhe tjetërsimi. Madje, sipas
mendimit tim, në se do të punohet më shumë dhe me
objektiva më të qarta sociale, për ta bërë fenë vërtetë "fe
civile", kjo do të ishte një kontribut me vlera të pallogaritshme.
Ky rol është bërë akoma më i nevojshëm, për shkak
se ato po shfaqen në shoqërinë tonë si institucione masive
më potente se shumë institucione laike, forca e të
cilëve sot ka tregues në rënie.
Gëzim Tushi
Sunday, December 24, 2006
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment