Protestat e 10 shkurtit të lëvizjes Vetëvendosje, janë të rëndësishme për Kosovën, por gjithashtu të rëndësishëm janë edhe reagimet ndaj tyre. Këta janë treguesë të mirë të gjendjes në të cilën është Kosova sot. Shoqëria kosovare po ngulfatet nga ideologji radikale. Jeta publike është thuajse e dominuar nga nacionalizmi.
Për të keqësuar punën edhe më, ekzistojnë dy rryma të nacionalizmit që po konkurrojnë njëra me tjetrën. Lloji i parë është ai të cilin e kisha quajtur Nacionalizëm Institucionalist. Ky lloj nacionalizmi haset thuajse në të gjitha sferat e jetës publike. Gjendet ne institucione dhe sidomos te një grup i intelektualëve. Kjo rrymë tenton të ngulfatë çfarëdo kritike ndaj kujtdo që ka të bëjë me këto institucione "kombëtare." Nëse dikush kritikon një zyrtar apo institucion për çfarëdo çështje qoftë fjala, ai person akuzohet se është "anti-institucionalist", që rrjedhimisht do të thotë "anti-kombëtar".
Kjo rrymë krijon një mburojë rreth zyrtarëve publikë. Pastaj, këta zyrtarë nuk hezitojnë t'a përdorin këtë mburojë për t'i mbuluar keqbërjet e tyre. Për më tepër, kjo frymë nacionaliste përdoret nga këta zyrtarë (të zgjedhur dhe të emëruar) për t'i arsyetuar keqbërjet e tyre, duke luajtur me simbolet e kombit. Kështu, keqpërdoruesit e mjeteve publike dhe besimit të qytetarëve bëhen të paprekshëm për shkak të rolit të tyre "kombëtar".
Lloji i dytë i nacionalizmit në Kosovë është Nacionalizmi Revolucionar. Kjo rrymë është e përzier me rryma majtiste dhe pretendon se institucionet qeveritare kosovare nuk janë legjitime. Këtu del në pah lëvizja Vetëvendosje, me liderin e saj karizmatik Albin Kurti, që qytetarëve kosovarë synon t'ua sjellë "sundimin e popullit". Edhe kjo rrymë manipulon me simbolet kombëtare, dhe sidomos me pakënaqësinë e qytetarëve. Gjendja e rëndë socio-ekonomike krijon rekrutë të gatshëm dhe kur i shtohet kësaj pasiguria politike fitojmë një grup njerëzish të gatshëm jo vetëm të dalin në rrugë, por edhe të përdorin dhunën.
Këto dy rryma e ushqejnë njëra tjetrën. Prandaj, kur njëra anë sulmon tjetra forcohet edhe më shumë. Kjo çon në një rreth vicioz të garimit të nacionalizmave.
Qytetarizmi i shtypur
Ky garim mes nacionalizmave shtyp jetën publike dhe vlerat qyterare (civile) në Kosovë. Qytetarizmi gjendet në mes të kudhës së nacionalizmit institucionalist dhe çekanit të nacionalizmit revolucionar. Edhe ato pak organizata që pretendojnë të jenë bartëset kryesore të shoqërise civile janë te prekura nga nacionalizmi. Albin Kurti, ia doli që një lëvizje me potencial që të bëhet një lëvizje e mirëfilltë qytetare t'a shndërrojë në një grup radikal. Kur qytetarët kosovarë dalin të kërkojnë të drejtën për vetëvendosje që u takon, ata vriten.
Nuk ka një grupim të shoqërisë civile që kanalizon frustrimin qytetar me situatën. Qytetarët kosovarë mund të zgjedhin mes dy opcioneve: të bëhen absorbues sfungjerik të reklamave pa shije të Ekipit të Unitetit apo të dalin në rrugë dhe të rrezikojnë të vdesin. As grupet e të drejtave të njeriut nuk janë në nivel të duhur. (Edhe pse dhuna e përdorur nga policia më 10 shkurt ishte e tepërt, reagimi i KMDLNJ vazhdon të jetë shumë joprofesional.)
Tërë kësaj situate nuk i ndihmon aspak fakti që pjesa dërmuese e OJQ-ve udhëhiqen si biznese. Edhe organizatat me anëtarësi të gjërë kanë humbur kontaktin me qytetarët dhe synojnë projekte afatshkurta. Nuk ka pasur asnjë përpjekje serioze, për të ringjallur shpirtin e aktivizmit civil të të 1990ave të hershme.
Mediat janë letargjike, në mungesë të një fjale më adekuate. Dy nga gazetat kryesore janë faktikisht të pllakosura sepse botuesit e tyre janë në Ekipin e Unitetit. Ato edhe pse mundohen të mbajnë paanshmëri, përmes rregullimit të brendshëm dekurajojnë gazetarinë hulumtuese. E vetmja gazetë që merret më me zell me investigime (Express) vuan nga probleme lehtë të evitueshme si arroganca dhe gabimet gjuhësore. Spektri i editorialeve në mediat kosovare rangon nga animi me njërin nga grupet në konflikt (Ekipi i Unitetit vs. Vetëvendosja) deri te qëndrimet si "Ju kam thënë më herët"! Mbi të gjitha, nuk e di sa është më rëndësi të diskutojmë për mediat kur kemi para sysh lexueshmerinë aq të vogël në Kosovë (Matësin kryesor të shoqërisë civile të Tocqueville-it).
Kosova si tenxhere
Me sistemin zgjedhor që kemi Parlamenti kosovar është hiç më shumë se një odë ku mbledhen përfaqësuesit e 'pleqve' kryesorë. Deputetët përfaqësojnë shefat e tyre partiak në vend të qytetarëve. Kemi një situatë ku qeveria nuk ka kontroll efektiv nga parlamenti dhe qytetarët nuk kanë asnjë shtysë as mundësi të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e tyre.
Sistemi i gjyqësisë çalon në të tëra aspektet. Asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk është paditur për korrupsion. Nëse përdorim këtë fakt si matësin kryesor të korrupcionit, vijmë në përfundim se Kosova ose nuk ka fare korrupcion ose nuk ka sistem gjyqësor funksional. Gjykoni vetë cili përfundim ka gjasa të jetë korrekt.
Të tëra këto çojnë ujë në mullirin e radikalëve. Dhe Kosova shndërrohet në një tenxhere me ujë që vlon. Duke mos pasur valvula të zbrazjes së avullit (dmth shoqëri civile funksionale), ajo tenton drejt eksplodimit.
Mbi të gjitha këto gjendet UNMIK-u jodemokratik, i cili funksionon si një kapak. Ai jo vetëm që nuk lejon hapësirë të zbrazjes së avullit, por tenton ta shtypë atë. Gjë që pastaj krijon edhe më shumë presion.
VETËVENDOSJE a vetëvendosje?
Qytetarët e Kosovës nuk duhet të lejojnë që të drejtën e tyre për të kërkuar vetëvendosje t'ua uzurpoje Vetëvendosja. Nuk duhet të lejojnë që aprovimin e tyre liderët t'a përdorin për përfitime personale. Shoqëria civile duhet të futet në lojë për kanalizimin e energjisë urgjentisht. Mediat duhet të bëjnë një punë më të mirë në informimin e qytetarëve sidomos për Pakon e Ahtisarit. Sistemi zgjedhor duhet të ndërrohet që të garantojë përfaqësim të votuesve. Dhe prezenca ndërkombëtare e re në Kosovë nuk duhet t'i gjasojë aspak UNMIK-ut.
Seb Bytyçi bën magjistraturë në Analizë të Politikave Publike dhe Çështje Ndërkombëtare në Indiana University – Bloomington, SHBA. Ai ka organizuar Koalicionin Kundër Korrupcionit të financuar nga UNDP dhe Zyra e Kryeministrit dhe është bashkë-autor i Raportit të Perceptimeve të Korrupcionit në Kosovë të botuar nga UNDP.
1 comment:
sja ke fare iden se c'ndodhe ne kosove
Post a Comment