Sunday, February 25, 2007

Ikja nga të qenit viktimë

Valon A. Syla
valon.syla@gazetaexpress.com

Ka kohë që një shqiptar i Kosovës nuk është më viktimë.

Megjithëkëtë, shumica ende udhëhiqen nga ndjenja e të qenit si të
tillë. Kjo ndjenjë më pas po ndikon edhe në viktimizim e vërtetë të
atyre që mendojnë se janë. Por, kosovarët sot, mund të konsiderohen

lehtë si fituesit e ndëshkuar, por kurrsesi si viktima e radhës.

Bombardimet e NATO-së dhe aprovimi i rezolutës
1244, shpëtuan viktimat e Kosovës. Qysh nga 12 qershori
i vitit 1999, shpëtimtarët ndërkombëtarë filluan
të mos na konsiderojnë më viktimë. Por, koha e
gjatë e vuajtjeve nga represioni i agresorit serb e zgjati
te shqiptarët edhe kohën e ndjesisë së të qenit
viktimë. Edhe dëshira për hakmarrje, bashkë me
mos pranimin e statusit së fituesit, i ktheu shqiptarët
e Kosovës nga statusi i viktimës në agresor të
të vegjëlve të vet.
Kur filluam të ndëshkohemi për këtë, edhe më tej
fuqizohej ndjenja e të qenit viktimë.
Kjo ndjenjë, se dikush po na e bën me hile dhe se
ende po viktimizohen shqiptarët e Kosovës, është
shndërruar pothuajse në një varësi. Jemi mësuar të
sillemi me fytyra gjynahe dhe deklarata që kërkojnë
ndihmë, shpëtim dhe përkëdhelje nga i forti. Disa
deputetë, të burgosurit politikë, LPK, Vetëvendosje
e subjekte të tjera, vazhdojnë të sillen kështu edhe
pas ardhjes së të fortit.
I forti, në rastin e Kosovës, erdhi në trajtën e NATO-
së në vitin 1999 dhe së fundi përmes Grupit të
Kontaktit më 2005. Ata e ftuan Martti Ahtisaarin që
ta vulosë fitoren e kosovarëve. Por, kjo ndihmë, nga
shumë vetë publikisht u kundërshtua me fjalët si ato
se po na ndajnë, nuk po na japin boll dhe se përsëri
shqiptarët e Kosovës po humbin dhe po viktimizohen.
Një ndër ta është edhe Albin Kurti me shokët e vet,
të cilin ndjenja se po i bëhen të padrejta dhe se ende
po viktimizohen, në të vërtetë e shndërroi atë në viktimë.
Ai u burgos dhe atje brenda në çeli edhe më
tej do t’i fuqizohet gjendja e të qenit viktimë e vërtetë.
Kur ai të dalë nga burgu, të fortit pritet ta firmosin
fitoren e Kosovës, por do të jetë një sfidë shumë e
madhe për pjesën tjetër të shoqërisë t’i bindin këto
subjekte që e përcjellin Kurtin se nuk ata nuk janë
më viktimë. Por fitues të ndëshkuar.
Ndëshkimi i fituesve
Pikërisht këto subjekte ekstremiste të afërta dhe
të bashkuara me Vetëvendosjen nuk e pranuan kurrë
statusin e fituesit. Nuk e pranuan rezolutën 1244
që ishte një periudhë armëpushimi për t’u përgatitur
për fitoren e madhe që po vjen. Në shpërthim të
mllefit dhe hakmarrjes që ndodhi më 17 mars të vitit
2004, ne fituesit dëmtuam dhe shkatërruam kisha
dhe manastire orthodokse. Po ashtu edhe i përndjekëm
duke frikësuar shumë serbë, që si pasojë ikën
nga Kosova. Me këto veprime ndëshkuam fitoren e
ardhshme.
Natyrisht se çështjet si mbrojtja e serbëve dhe
mbrojtja e manastireve nuk ishin të përmendura në
rezolutën 1244, por ato i futëm vetë ne në rezolutën
e ardhshme duke menduar se jemi viktimë dhe më
pas duke e viktimizuar me të vërtetë vetën. Sigurisht
se ndëshkime apo kufizime që as nuk ishin në
rend dite të bashkësisë ndërkombëtare.
Si fitues, duhet të dalim nga ndjenja e viktimës
dhe të bëhemi shpëtimtarë. T’i shpëtojmë ata që
ndihen të kërcënuar nga ne. T’iu ofrojmë mbrojtje
dhe të drejta të veçanta. Gjithashtu ata që na kundërshtojnë
dhe mendojnë se janë viktimë të mos i viktimizojmë
për njëmend. Shqiptarët e Kosovës fituan,
andaj duhet t’i përkëdhelim viktimat e radhës.
Sepse ne si shumicë përfundimisht nuk jemi ata.
Ishim viktimë, por tashmë jemi fituesit e ndëshkuar.


technorati tags:, , ,

Blogged with Flock

No comments: