Thursday, March 01, 2007

“POPULLI” vs. QYTETARËT

Kolumne E Update'ueme: Mar 1st, 2007 - 19:18:24


“POPULLI” vs. QYTETARËT
Nga Seb Bytyci
Mar 1, 2007, 18:33

Email'o
 Print'o

Seb Bytyci
Shkurti i vitit 2007 është për t’u mbajtur mend. Në këtë muaj u bë i njohur propozimi i ndërmjetësuesit të OKB-së Martti Ahtisaari për statusin final të Kosovës. Po ashtu në këtë muaj u mbajtën zgjedhjet e rëndësishme lokale në Shqipëri. Ngjarja e parë nxiti reagimin e grupit radikal “Vetëvendosje”, që rezultoi në sjelljen brutale të policisë dhe vdekjen e dy të rinjve. Ndërsa ngjarja e dytë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Të dyja këto ngjarje kishin aspekte pozitive dhe zhgënjyese. Personat që dolën në rrugë më 10 shkurt janë për t’u admiruar për kurajon e tyre që të thonë hapur atë që mendojnë. Ata nuk pajtohen me propozimin e OKB-së dhe nuk kanë frikë të dalin të protestojnë. Një kurajë e tillë qytetare është për t’u lavdëruar. Ata janë një grup i njerëzve që e thonë hapur atë që shumica e mendon: Kosova duhet të fitojë sovranitetin menjëherë, dhe ne nuk kemi çfarë të negociojmë me Serbinë. Fatkeqësisht, udhëheqësit e “Vetëvendosjes” përveç këtyre ankesave që kanë rreth procesit të negociatave dhe negociatorëve kanë edhe plane që synojnë t’i arrijnë me metoda të caktuara. Janë këto plane dhe metoda që sjellin dhunën dhe ia vjedhin shansin kurajos civile.

Udhëheqësit e “Vetëvendosjes” pretendojnë se përfaqësojnë popullin. “Populli” i tyre është një objekt amorf i cili endet në ajër si një balonë. Veç tjerash ata synojnë që të zëvendësojnë udhëheqësit institucionalë me “sundimin e popullit”. Ndërsa qytetarët e habitur pyeten si është e mundur që dikush që ata nuk e kanë zgjedhur t’i përfaqësojë ata. Edhe pse ata mund të jenë zhgënjyer me të zgjedhurit e tyre, ata nuk ndjehen mjaft të afërt me “Vetëvendosjen” për të rrezikuar jetën e tyre.

Në anën tjetër të Alpeve tona, qytetarët prisnin me orë të tëra për të votuar. Udhëheqësit e tyre nuk kanë arritur të garantojnë letërnjoftime për qytetarët që 17 vite! “Avangarda e popullit” (partitë) po bën çmos për të punuar kundër qytetarëve të cilët vetëm duan të votojnë si njerëz. Në Shqipëri partitë kurrë nuk e humbin shansin që ta ‘humbin shansin’. Dhe qytetarët e frustruar detyrohen të jetojnë në një shtet të shndërruar në turpin e Europës nga “përfaqësuesit e popullit”.

Ajo çfarë na duhet është më shumë qytetarë e më pak “popull”.

Seb Bytyçi është në prag të marrjes së magjistraturës në Analizë të Politikave Publike dhe Çështje Ndërkombëtare e Krahasuese. Ai kontribuon në blogjet evropiane A Fistful of Euros dhe South East Europe Online. 

“POPULLI” vs. QYTETARËT

technorati tags:, , ,

Blogged with Flock

No comments: