Monday, July 24, 2006

Takimi i elefanteve

Fjala e presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu në takimin e Vjenës

“Më lejoni që në emër të popullit të Kosovës, të institucioneve demokratike dhe të Ekipit të Unitetit, t’ju shpreh mirënjohjen time për punën e madhe që keni bërë në Kosovë gjatë gjithë këtyre viteve e sidomos gjatë vitit të fundit, që për ne shënon rrumbullakësimin e procesit për pavarësimin e Kosovës. Një mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Grupit të Kontaktit, dhe Juve, President Ahtisari dhe ekipit tuaj, për angazhimin e fuqishëm për të përmbyllur këtë proces që është në interes të veçantë të popullit të Kosovës, të shumicës dhe të pakicave, si dhe në interes të përgjithshëm të paqes dhe të stabilitetit në Kosovë dhe në rajon. I nderuari President Ahtisari, E kemi theksuar dhe e themi prapë se për popullin tone nuk ka proces më të rëndësishëm se procesi që ka për qëllim përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Përkushtimi ynë i përhershëm ka qenë dhe mbetet që ky proces të jetë i hapur, transparent dhe paqësor. Siç e dini, ne jemi duke punuar ngushtë me Ju dhe ekipin e tuaj për ta realizuar këtë qëllim. Gjatë gjithë raundeve të bisedimeve të deritashme në Vjenë kemi ofruar dokumente të hollësishme për pozicionin e Kosovës rreth një varg çështjesh teknike: reformimin e pushtetit lokal apo decentralizimin, trashëgiminë kulturore e religjioze, çështjet ekonomike, etj. Ekipet që kanë përfaqësuar Kosovën në raundet e deritashme të bisedimeve kanë qenë të mandatuara plotësisht nga Ekipi i Unitetit (Delegacioni i Kosovës për status) që të hulumtojnë dhe gjejnë zgjidhjet më të mira për këto çështje dhe, si të tilla, kanë shprehur plotësisht qëndrimet e Ekipit të Unitetit. E theksojmë fuqishëm se ne jemi të vendosur të gjejmë zgjidhjet më të mira për secilën çështje që lidhet me pakon përcjellëse të pavarësimit të vendit tonë. Por, unë dua të theksoj para jush se ne në Kosovë dhe në rajon presim që procesi të përfundojë para fundit të këtij viti me pavarësimin e vendit tonë. Kosova, pas luftës, ka kaluar nëpër shtatë vite të paqartësisë së statusit. Kjo paqartësi ka penguar zhvillimin ekonomik dhe ka ushqyer tensionet politike. Zvarritja e mëtejme e rrumbullaksimit të statusit të Kosovës nuk është në interes të askujt në Kosovë, të askujt në rajon, dhe besojmë fuqimisht se kjo paqartësi dhe zvarritje është po ashtu në dëm të paqes dhe të stabilitetit të përgjithshëm në Evropën Juglindore. Prandaj, procesi që tashmë njihet si proces i Vjenës duhet t’i kontribuojë përcaktimit të statusit të Kosovës shpejt dhe përfundimisht. Është vullnet i pathyeshëm i shumicës dërmuese të popullit të Kosovës që Kosova të bëhet shtet i pavarur dhe sovran. Ky është vullneti i shumicës së popullit të Kosovës qe një kohë të gjatë; madje shumë kohë para represionit dhe gjenocidit të viteve të Millosheviqit. Krahas përkujtimit të vazhdueshëm, këto ditë na janë përkujtuar sërish krimet e regjimit serb gjatë viteve 90, me fillimin e gjykimit në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë të gjashtë ministrave dhe gjeneralëve të Millosheviqit, duke përfshirë ish-Presidentin e Serbisë, për krime që përfshijnë deportimin e dhunshëm të mbi 800,000 shqiptarëve të Kosovës – të gati gjysmës së popullsisë së vendit tonë -- dhe të masakrës së mbi 100 burrave dhe djemve gjatë një nate në një fshat në Kosovës Jugore, në Krushë të Vogël. Këto janë vetëm disa nga krimet e tmerrshme të kryera me paramendim ndaj një populli të tërë me dekada nga regjimet serbe. Një jetë e tërë njeriu nuk mjafton të shërohen plagët që një popull i tërë ka marrë nga krime të tilla, lëre më pak vite. Fotografitë e të zhdukurve nga lufta ende qëndrojnë varur në rrethojën e ndërtesave qeveritare në Prishtinë. Familjet tona mbajnë zi për çdo ditë, mirëpo përkundër gjithë kësaj dhimbjeje, ne e dimë se kjo është e kaluara, ndërsa ne duhet të shikojmë kah e ardhmja. Nuk mund ta harrojmë të kaluarën, por jemi të përcaktuar që të shkojmë kah e ardhmja. Përkundër kësaj historie, dëshira mbizotëruese e popullit të Kosovës është të ndërtohet një shoqëri multietnike me të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet. Kjo ambicie formëson qëndrimet tona në procesin për përcaktim të statusit final dhe në punën e institucioneve të pushtetit në Kosovë. Dëshira për të zhvilluar institucionet tona demokratike, për të hartuar ligje dhe për të vendosur norma që ndërtojnë, mbrojnë dhe mbajnë një shoqëri multientike është në qendër të punës së institucioneve të Kosovës për të bërë përparime në ato që quhen Standarde për Kosovën. Institucionet dhe populli i Kosovës janë fuqimisht të përcaktuar që në Kosovë të instalohet shteti i së drejtës me një korpus ligjor të avancuar për mbrojtjen e pakicave dhe përfaqësimin e tyre në institucionet e Kosovës. Po kështu, qeverisja efektive, një ekonomi e qëndrueshme tregu dhe funksionale janë qëllime dhe prioritete të Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës sot dhe nesër. I nderuari President Ahtisari, Të gjitha qëndrimet e paraqitura deri tash mbështeten në këmbënguljen tonë për të ndërtuar një Kosovë të pavarur, sovrane dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj. Kjo këmbëngulje buron nga vullneti i përgjithshëm politik i popullit të Kosovës, nga e drejta e tij e natyrshme për vetëvendosje. Ky vullnet është verifikuar sa e sa herë përmes instrumenteve demokratike siç është Referendumi i vitit 1991, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të viteve 1992 dhe 1998, Lufta Çlirimtare për liri dhe pavarësi, por edhe e gjithë praktika demokratike e ndërtimit të institucioneve të Kosovës të dala nga vota e lirë e qytetarëve pas luftës dhe të vlerësuara në shkallën më të lartë nga faktori ndërkombëtar. Prandaj, pavarësia është alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi i qëndrimit tonë. Në një shoqëri multientike, qeveria duhet t’i përfaqësojë drejt e ndershmërisht të gjitha komunitetet. Në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës janë rezervuar ulëse për komunitetet joshqiptare të Kosovës. Pakicat e tjera, me përjashtim të serbëve kanë zënë vendet e tyre në Kuvend dhe në Qeveri. E themi me keqardhje të thellë se një pjesë e përfaqësuesve serbë ende nuk i kanë zënë vendet e veta dhe refuzojnë të marrin pjesë në detyrën tonë të përbashkët të qeverisjes. E di nga bisedat që kam me këta përfaqësues se kjo shpeshëherë nuk është zgjedhja e tyre, por rezultat i presioneve nga Beogradi, i cili dëshiron ta delegjitimojë Qeverinë e Kosovës. Siç bëri Përfaqësuesi Special i OKB-së në raportin e tij të fundit para Këshillit të Sigurimit, i bëj thirrje Beogradit t’i japë fund këtij bojkoti dhe tu mundësojë serbëve të Kosovës të zënë vendet që u takojnë në Qeverinë tonë. Ata janë të mirëseardhur aty dhe do të jenë të mirëseardhur gjithherë. Dhe ndonëse mungesa e tyre aktualisht pengon punën tonë për të ndërtuar institucione të përbashkëta, ajo nuk e ndal këtë punë. Kemi përgatitur plane gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme për komuna të reja dhe qeverisje lokale në Kosovë. Siç ka vendosur tashmë Grupi i Kontaktit, nuk mund të krijohen entitete të ndara etnike në Kosovë. Ne jemi të përkushtuar që të zhvillojmë një proces përmbajtësor të reformimit të pushtetit lokal, por në të njëjtën kohë jemi të vendosur që të ruajmë karakterin unitar të Kosovës dhe integritetin territorial të saj; e gjithë kjo në pajtim të plotë dhe në frymën e parimeve udhëheqëse të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit. Kosova, sikur edhe tani, do të ketë një qeveri për të gjithë qytetarët e saj, ndërkohë që vendimmarrja për shumë çështje që kanë të bëjnë me komunat do të bartet në nivelin lokal përmes kësaj reforme të kujdesshme që po bëjmë. I kemi diskutuar këto plane në hollësi me UNOSEK-un dhe Serbinë dhe këto biseda po vazhdojnë. Mbesim me shpresë se do të japin rezultatet e tyre. Ka një përparim në bisedat për mënyrën se si mund ta mbrojmë më së miri trashëgiminë kulturore të komuniteteve të Kosovës duke përfshirë kishat, manastiret dhe vendet e tjera me rëndësi religjioze dhe kulturore. Nga ana e Kosovës, përkushtimi ynë është i qartë si kristali: ne do ta mbrojmë dhe ruajmë gjithë trashëgiminë kulturore të Kosovës, duke i kushtuar pokështu vëmendje të veçantë trashëgimisë së komuniteteve joshqiptare, d.m.th. minoritare, të Kosovës. Kjo është trashëgimi e përbashkët e gjithë popullit të Kosovës, dhe prandaj është detyra jonë ndaj gjithë qytetarëve tanë ta mbrojmë dhe ruajmë këtë trashëgimi. Në veçanti do të ruhen të drejtat e kishës ortodokse serbe, të përfaqësuesve dhe pjesëtarëve të saj, ndërsa manastiret dhe kishat do të mbrohen në përputhje me normat relevante ndërkombëtare, duke përfshirë Deklaratën Universale dhe shumë instrumenta të tjerë të OKB-së dhe Këshillit të Evropës. Sa u përket çështjeve ekonomike, Kosova ka prezantuar një qëndrim të qartë, i cili konsiston në gatishmërinë tonë për të marrë të gjitha obligimet e arsyeshme që dalin për të në një proces normal suksesioni, si dhe për mbrojtje të plotë të të drejtave pronësore të të gjithë qytetarëve tanë. Zonja dhe zotërinj, Janë dy realitete të pakontestueshme të Kosovës së sotme që duhet të njihen. Së pari, që nga tmerri dhe vuajtjet e mëdha që ka përjetuar populli i Kosovës sidomos që nga viti 1989 dhe përfundimisht më 1999, Kosova është qeverisur ndaras nga Serbia. Ora e historisë nuk mund të kthehet mbrapa. Realiteti i dytë – po aq i pakontestueshëm – është dëshira e qartë dhe mbizotëruese e shumicës dërmuese të popullit të Kosovës që Kosova më në fund të njihet si shtet i pavarur dhe sovran. Ky vullnet nuk mund të injorohet apo të zhbëhet me biseda. Ka vetëm një rrugë drejt stabilitetit që e synojmë të gjithë: një vendim të qartë dhe të vendosur për ta bërë Kosovën më në fund shtet të pavarur. Dua t’ju siguroj edhe njëherë se shteti i Kosovës do të ofrojë gamën më të gjerë të mundshme të mbrojtjes, si kushtetuese ashtu edhe praktike, për të siguruar sundim të ligjit dhe mbrojtje të të drejtave të të gjitha komuniteteve pakicë: serbëve, turqve, romëve, ashkalive, boshnjakëve. Kosova do të jetë një shtet në paqe me veten dhe me fqinjët e parë dhe me rajonin në përgjithësi. Ne nuk kemi pretendime apo lakmi për territore të të tjerëve, por as nuk do të tolerojmë pretendimet ndaj territorit tonë. Ne pranojmë plotësisht kushtet që ka vënë Grupi i Kontaktit për procesin për statusin përfundimtar, se mu ashtu sikurse nuk mund të ketë ndarje të Kosovës, nuk mund të ketë ndryshim në kufijtë dhe territorin ekzistues. Në të vërtetë, sapo të njihemi shtet i pavarur, duam që të mbërrijmë marrëveshje të shpejta për t’i hapur kufijtë tanë – dhe tregtinë tonë – me fqinjët tanë, duke përfshirë në këtë kuadër edhe me Serbinë. Ne duam të bashkëpunojmë plotësisht dhe hapur në të gjitha fushat me fqinjët tanë dhe me rajonin, dukë përfshirë edhe përmes mekanizmave ekzistues të Paktit të Stabilitetit dhe procesit të bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Bashkëpunimi i plotë rajonal bëhet i mundshëm vetëm kur të jetë zgjidhur çështja e Kosovës, çështja e vetme ende e pazgjidhur në Evropën Juglindore. Pa marrë parasysh divergjencat që kemi sot, është e qartë se populli i Evropës Juglindore – le ta përdorim këtë emër për të ardhmen e jo ‘Ballkani’, që ka gjithë ato konotacione negative nga e kaluara – ka një aspiratë të përbashkët për të ardhmen. I pyetni të rinjët e Beogradit, të Shkupit, të Prishtinës apo të Podgoricës dhe Tiranës, dhe ju, besoj, do të dëgjoni të njëjtën përgjigje: Evropë. Popujt tanë duan të udhëtojnë lirshëm, të punojnë me zotësitë e tyre më të mira, dhe të gëzojnë liritë dhe mundësitë që i gëzojnë ata që tashmë janë pjesë e Unionit Evropian. Ne mëtojmë të jemi pjesë e vlerave demokratike dhe normave ligjore që mishëron Unioni Evropian, dhe jemi të përkushtuar që të bëjmë punë praktike për t’i inkorporuar ato në ligjet dhe institucionet tona. Ne e dimë se ky është një udhëtim i gjatë dhe i vështirë që kërkon punë të madhe, por ne jemi të përkushtuar të shkojmë kësaj rruge: sepse nuk ka tjetër. Këtë ambicje duhet ta kenë të gjithë fqinjët tanë. U them të gjithë fqinjëve, pra edhe Serbisë: le të shkojmë përpara rrugës së integrimeve euro-atlantike. Ky është shansi për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit tonë përgjithësisht. Ky shans mund të realizohet vetëm me shtetin e pavarur të Kosovës. Z. President, Zonja dhe zotërinj, Duke çmuar lartë përkushtimin dhe punën tuaj për të vendosur paqen dhe stabilitetin e përhershëm në Kosovë, ju sigurojmë se pavarësimi i Kosovës dhe bërja e saj shtet modern e demokratik do të thotë në të njëjtën kohë paqe dhe stabilitet afatgjatë në të gjithë rajonin. Bashkëpunimi më fqinjët e parë dhe vendet e rajonit janë prioritete të institucioneve dhe popullit të Kosovës. Bashkëpunimi në shkallë rajoni në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët në Kosovë shihet si pjesë e një procesi të gjithanshëm të integrimit të vendit tonë në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që janë ndër objektivat kryesorë të Kosovës. Ju bëj me dije se kushtetuta e shtetit të Kosovës, parimet e së cilës janë hartuar, do të reflektojë përvojat më pozitive dhe vlerat universale të aplikuara në demokracitë perëndimore. Kosova edhe pas pavarësimit të plotë të saj mirëpret një prani të lehtë civile ndërkombëtare. Për më tepër institucionet tona janë duke punuar në konceptimin e kësaj pranie e cila në Kosovë shihet si një ndihmesë e rëndësishme në kuadër të përgatitjes së vendit tonë për integrim në BE. Poashtu, ne mirëpresim vazhdimin e pranisë së NATO-s në Kosovë dhe deklarojmë përkushtimin tonë të fuqishëm për një bashkëpunim të ngushtë me strukturat e tjera evropiane e botërore në sektorin e sigurisë. I nderuari President Ahtisari, Të nderuar zonja dhe zotërinj, Populli dhe institucionet e Kosovës janë të palëkundur në vizionin për një Kosovë evropiane në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë historia jonë është e dhimbshme, e përgjakshme. Ne nuk mund ta harrojmë këtë histori, por po ashtu jemi të vendosur që të mos mposhtemi prej saj. Vizioni ynë për një shtet të pavarur dhe shoqëri multientike, është vizion i përbashkët i institucioneve demokratike të Kosovës dhe i popullit tonë. Ju falemnderit!”

Çeku: Pavarësia është e panegociueshme

"Ne mendojmë se kemi ardhur shumë të bindur dhe të vendosur se praktikisht Kosova është e bërë. Kosova sot funksionon si një shtet demokratik, shumëkombësh, funksional dhe stabil si dhe një vend i sigurt. Këtë takim ne e shohim si pjesë të procesit për ta njohur edhe "de jure" pavarësinë e Kosovës", tha Çeku në një intervistë për BBC-në. Çeku sqaroi se delegacioni i Prishtinës ka ardhur në Vjenë që të shpalosë vizionin e tij dhe të përshpejtojë procesin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Fjala e Kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, në Vjenë

"Fillimisht dëshiroj ta falënderoj qeverinë austriake për mikpritjen. I shpreh mirënjohje Presidentit Ahtisari, Ambasadorit Rohan dhe ekipit të tyre - për përkushtimin e treguar gjatë procesit të statusit. Falënderoj Grupin e Kontaktit për mbështetjen e vazhdueshme - për të siguruar të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Shtatë vjet më parë, qytetarët e Kosovës përjetuan dhe po e jetojnë për herë të parë lirinë.
Atë që nuk e kishim arritur për një shekull, e jetësuam në këto shtatë vite.
Sot, jemi mbledhur që të flasim për paqe dhe të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike.
Ne si gjeneratë e kemi përgjegjsinë të ndërtojmë paqen për brezat e ardhshëm.
Paqja nuk mund të jetë vetëm mungesë e luftës, por ngadhënjim i drejtësisë. Kemi dëshmuar se jemi për zgjidhje politike dhe civilizuese.
Populli i Kosovës u detyrua të bëjë luftë të armatosur, për ta fituar lirinë. Gjatë luftës, dëshmuam para botës demokratike se jemi për zgjidhje politike. Në fund, aleanca ushtarake e shteteve më demokratike në botë, NATO, u detyrua të ndërhyjë, për ta ndihmuar popullin e Kosovës.
Sot, Kosova është e lirë, ka ndërtuar institucionet e veta demokratike, paqen dhe mirëkuptimin qytetar në mes të gjitha etniteteve dhe religjioneve.
Kosova pret që shumë shpejt me identitetin e vet të ndërtuar sovran, politik dhe ekonomik, zyrtarizimin e pavarësisë, realitet me të cilin e jeton që nga qershori i vitit 1999.
Sot, kemi ardhur të bisedojmë jo për të kaluarën, por të prezentojmë vizionin për të ardhmen, jo konfrontues, por mirëkuptues të dy vendeve tona sovrane, dy vendeve tona që fatkeqësisht për shkak të së kaluarës represive, sot përballen me sfidat e varfërisë dhe të prapambetjes.
Para nesh gjendet momenti për ndërtuar paqen dhe të ardhmen e sigurt për gjeneratat e tashme dhe ato që vijnë.
Nuk kemi kohë për të humbur.
Lufta rrënoi shoqëritë dhe ekonomitë, shkaktoi vonesën historike të vendeve tona në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Është detyrë e forcave demokratike të punojnë që të kompensohet kjo vonesë historike, në një të ardhme të afërt të jemi pjesë dinjitoze e familjes evropiane.
Dialogu dhe toleranca nuk kanë alternativë. Siç ka thënë Presidenti John F. Kennedy- “Asnjëherë nuk duhet të frikësohemi të bisedojmë dhe asnjëherë nuk duhet të bisedojmë nga frika”.
Në mes dy vendeve dhe popujve tanë duhet të ndodhë mirëkuptimi dhe pajtimi.
Të pajtuar mund ta ndërtojmë të ardhmen.
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni ta shpalos vizionin për shtetin e ardhshëm të Kosovës:
Kosova do të jetë shtet që bashkëpunon me të gjithë fqinjët me respektim të sovranitetit dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit, anëtar i Kombeve të Bashkuara, anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian, anëtar i ardhshëm i NATO-s.
Shtet që punon drejt krijimit të identitetit të vet shtetëror, ku të gjithë qytetarët do të jenë shtetas të barabartë. Të drejtën e dyshtetsisë, me marrëveshje. Kosova do t’i ketë simbolet e veta shtetrore, që do të pasqyrojnë identitetin qytetar të saj.
Shtet ku sundon ligji, me legjislacion në interes të të gjithë qytetarëve; me kushtetutë në përputhje me ato të shteteve demokratike perëndimore; me gjyqësi të pavarur, të paanshme dhe të përgjegjshme .
Shtet me shoqëri shumetnike dhe shumëfetare; kundër diskriminimit në baza të identitetit etnik, gjinor, racor ose fetar; me mbrojtje të të drejtave të pakicave; Shtet ku gjuha shqipe dhe serbe do të jenë gjuhë zyrtare. Pjesëtarët e komuniteteve të tjera do të kenë të drejtë të praktikojnë dhe komunikojnë në gjuhët e tyre në të gjitha nivelet e institucioneve; nënshkruese e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe e Paktit për të Drejtat Civile dhe Politike dhe e traktateve të tjera relevante.
Shtet me kufij ekzistues në përputhje me parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare; me garanci të sigurisë nga NATO, përfshirë ngritjen dhe zhvillimin e forcës mbrojtëse të Kosovës të integruar në NATO; pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafikimit.
Shtet me qeverisje funksionale dhe efektive me shërbim civil modern dhe profesional me status të mbrojtur me ligj; reforma zgjedhore me aplikimin e listave të hapura, Parlament të përgjegjshëm ndaj nevojave të të gjithë qytetarëve; paga në sektorin publik konkurrente me ato në sektorin privat; shoqëri aktive civile, media të lira dhe të pavarura.
Shtet me ekonomi të zhvilluar; euro si valutë; marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet fqinje dhe vendet e tjera; respektim dhe mbrojtje me ligj e pronës private; lehtësim të investimeve ndërkombëtare; krijim të kuadrit favorizues për ndërmarrjen e lirë dhe biznesin e vogël dhe të mesëm, rrethana favorizuese për diasporen.
Shtet që kujdeset për mirëqenien sociale; që ofron asistencë për qytetarët që nuk kanë mundësi t’i përmbushin nevojat elementare për veten dhe familjet e tyre; pensione të rregulluara me ligj; standarde evropiane të shëndetësisë, arsimimit dhe sigurisë në punë; përkujdesje për invalidët e luftës dhe të punës.
Shtet që mbron trashëgimisë kulturore të të gjithë qytetarëve; që siguron kthim të qëndrueshëm dhe të sigurt të të gjithë refugjatëve në shtëpitë e tyre.
Decentralizimi sipas parimeve integruese qytetare dhe marrëveshjës.
Shtet që mirëpret angazhimin dhe mbeshtetjen e vazhdueshëme të NATO-s, SHBA-së, OKB-së dhe BE-së për garantimin e paqes dhe sigurisë; asistencën e vazhdueshme ndërkombëtare në forcimin e institucioneve demokratike, gjyqësore dhe civile; asistencën e vazhdueshme ndërkombëtare për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës.
Kosova e re do të jetë shtet i ndërtuar në themele të forta të vlerave demokratike të qytetërimit perëndimor. Pavarësia e Kosovës është vullnet i qytetarëve të Kosovës.
Të gjihë qytetarët e Kosovës do të jenë të barabartë para ligjit, komunitetet kanë vlerat, respektimin dhe mirëkuptimin mes vete në shtetin e ri.
Shqiptarët luftuan kundër shpypjes dhe jocivilizimit, asnjëherë kundër popullit serb.
Populli shqiptar në Kosovë do të kujdeset me dinjitet për bashkëqytetarët serb në Kosovë.
E kaluara e errët nuk duhet të na mbajë peng, e ardhmja demokratike duhet të na bëjë krenar.
Garantimi i të drejtave të plota, kthimi në shtëpitë dhe pronat e tyre, sigurimi i kushteve për një jetë dinjitoze për qytetarët tanë serbë-nuk paraqesin kompromise, por mundësi për ne. Kërkojmë edhe mbështetjen tuaj për kthimin e të zhvendosureve.
Ata janë obligim dhe përkushtim i politikës së Kosovës. Ne besojmë dhe punojmë për të integruar komunitetin serb në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës së re.
Do t’i forcojmë raportet shumë të mira me fqinjët tanë, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi. Jemi të përcaktuar për raporte të fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë. Caku strategjik i yni mbetet integrimi në strukturat Euroatlantike, në BE dhe në NATO.
Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por, mund ta zgjedhim një të ardhme ndryshe.
Këtë mund ta bëjmë vetëm duke punuar së bashku drejt integrimit.
E kaluara e hidhur - ka treguar se nuk mund të jetojmë nën një çati. Por, jam i sigurt se pavarësia politike nga njëri-tjetri është mënyra e vetme për fqinjësi të mirë dhe kooperuese.
Pavarësia ëshë zgjidhja e vetme për Kosovën, është zgjidhja më e mirë për Serbinë dhe bashksinë ndërkombëtare.
Ju falemnderit."

RTK

No comments: